• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nikolloski kërkon që Prokuroria të hetojë punën e NP për rrugët shtetërore dhe HRMV Infrastrukturë

Nikolloski kërkon që Prokuroria të hetojë punën e NP për rrugët shtetërore dhe HRMV Infrastrukturë

Shkup, 26 qershor 2024 (MIA) - Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski sot i ka bërë thirrje Prokurorisë Publike që të hetojë punën e HRMV Infrastrukturë dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore (NPRRSH) në bazë të pretendimeve nga raporti për investimet publike të Entit Shtetëror për revizion.

Sipas Nikollovskit, Raporti vë në dyshim punën e mëparshme të NPRRSH-së, ndër të tjera në rrugën Drenovë-Gradsko, për të cilin projekt thotë se ka rreziqe nga arbitrazhi, si dhe për rritjen e vlerës së autostradës Kërçovë-Ohër për 175 milionë euro për të cilat janë shpenzuar 446 milionë euro dhe nuk ka përfunduar as pas 10 vitesh nga fillimi i ndërtimit.

Për fazën e tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë, ku vlera është rritur për 220 milionë euro, gjegjësisht në 560 milionë euro në vend të 340 të planifikuara fillimisht, sipas Nikollovskit, në një proces jashtëzakonisht jotransparent, është nisur një procedurë tenderimi para zgjedhjeve në kushte kur, siç tha, të gjithë e dinin se do të ketë ndryshime në qeveri. Ofertat për tenderin janë dorëzuar deri më sot, por ministri ka treguar se për momentin nuk mund të bëjë asgjë për anulimin e mundshëm. Një proces vlerësimi do të vijojë së bashku me NPRRSH-në dhe kreditorët ndërkombëtarë dhe do të diskutohet rishikimi i projektit.
 
"Bëhet fjalë për hekurudhën më të shtrenjtë që përfundon në një tunel që nuk ka fund dhe për të cilin Bullgaria nuk ka as projekt lidhjeje hekurudhore", tha Nikolloski.

Ai u bëri thirrje kreditorëve ndërkombëtarë, siç tha, të ulen dhe të diskutojnë nëse kjo është rruga e duhur dhe nëse ia vlen të shpenzohen kështu paratë e publikut, ndërsa PTH të hetojë punën e të dy ndërmarrjeve. 

Pas ndryshimit të kryesisë në NPRRSH, paralajmëroi se do të kërkojë deklasifikimin e Marrëveshjes me Behtel dhe Enka për autostradat e korridoreve 8 dhe 10D. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR