• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ngritet hetim ndaj të dyshuarit të parë në lëndën “Mali”

Ngritet hetim ndaj të dyshuarit të parë në lëndën “Mali”

Shkup, 30 gusht 2023 (MIA) - Prokuroria themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka miratuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj të dyshuarit të parë në lëndën "Mali", i cili ishte privuar nga liria në fshatin Gërçec për shkak të dyshimit se si organizatori kryesor i veprës penale: “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorët", të paraparë dhe të dënueshme sipas nenit 215 paragrafi 3 në paragrafin 1 të Kodit Penal.

"Procedura hetimore për çështjen 'Mali' u hap në mars të vitit 2021 ndaj 28 personave, mes të cilëve edhe kundër një fëmije në konflikt me ligjin mbi moshën 16 vjeç. Pasi bëhej fjalë për dy grupe kriminale, të përfshira në shitjen e paautorizuar të lëndëve narkotike, u miratuan dy Urdhra për zbatimin e procedurës hetimore. Në aksionet e kryera në atë kohë në territorin e fshatit Gërçec dhe lagjen Gazi Babë janë privuar nga liria 22 persona, ndërsa pesë persona, përfshirë të dyshuarin e parë, ishin në arrati. Ndërkohë, gjegjësisht në shtator të vitit 2021 dhe gjatë vitit të kaluar, tre prej të dyshuarve të padisponueshëm për organet e përndjekjes, janë privuar nga liria, me ç'rast ndaj tyre ka vazhduar procedura hetimore", njofton Prokuroria Publike.

Nga aty theksuan se prokurorët në fjalë kanë arritur marrëveshje me 14 persona të akuzuar, për çka gjykata ka pranuar marrëveshjet e propozuara dhe ka miratuar aktvendime, me të cilat tetë persona janë dënuar me nga 3 vjet burgim, dy persona janë dënuar me nga 3 vjet e 6 muaj, tre persona janë dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg dhe një person me 5 vjet burg.

Anëtarët e dy rrjeteve të organizuara kriminale shisnin narkotikë përmes rishitësve në Shkup, Gostivar, Tetovë, Strumicë dhe qytete tjera me çmim prej 4.000 deri 5.000 denarë për 1 (një) gram kokainë dhe prej 12.000 deri në 15.000 denarë për 100 gramë marihuanë. qa/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR