• e premte, 05 dhjetor 2025

Nga errësira në dritë: Pengjet e liruara të Hamasit përballen me rrugë të vështirë drejt jetës normale

Nga errësira në dritë: Pengjet e liruara të Hamasit përballen me rrugë të vështirë drejt jetës normale

16 tetor 2025

Asoshietied Pres

Njëzet pengjet e fundit të liruara nga Hamasi po fillojnë një rrugë të vështirë drejt rimëkëmbjes që përfshin të mësuarit për të rifituar një ndjenjë kontrolli mbi jetën e tyre, deklarojnë mjekët izraelitë.

Çdo person i liruar do të shoqërohet nga një ekip mjekësh, infermierësh, specialistësh dhe punonjësish socialë. Ata do të riintegrohen në shoqëri pas dy vitesh robërie në Gazë.

Ata do të trajtohen për kequshqyerje, jetesë në errësirë nën tokë dhe mungesë të dritës së diellit, traumën e mbajtjes së zinxhirëve në këmbë për muaj të tërë. Ata do të mësojnë si të përballen me dhimbje të pashpjegueshme dhe emocione të pashpjegueshme. Ata do të duhet të rimësojnë si të marrin vendime të përditshme, të thjeshta, siç është madje edhe përdorimi i banjës.

Të gjithë pengjet janë në gjendje të qëndrueshme sot pas lirimit të tyre dhe asnjëri nuk kërkoi kujdes intensiv të menjëhershëm.

"Por ajo që duket nga jashtë nuk pasqyron atë që po ndodh brenda tyre," tha Dr. Hagaj Levin, kreu i ekipit shëndetësor në Forumin e Familjeve të Pengjeve. Ai është i përfshirë në ofrimin e kujdesit mjekësor për pengjet e liruara dhe të afërmit e tyre.

Sipas protokolleve të Ministrisë së Shëndetësisë së Izraelit, pengjet e sapo liruara do të qëndrojnë në spital për disa ditë, ndërsa do t'u nënshtrohen analizave, përfshirë një ekzaminim të plotë psikiatrik.

Një nutricionist do t'i vendosë ata në dietë për të shmangur "sindromën e riushqyerjes", një gjendje e rrezikshme mjekësore që mund të zhvillohet pas një periudhe urie për shkak të rikthimit të papritur të ushqimit.

Pas lirimeve të mëparshme, disa nga pengjet dhe familjet e tyre vendosën të qëndronin së bashku në një hotel në veri të Tel-Avivit për disa javë për t'u mësuar me realitetin e ri dhe për të vizituar të tjerët. Të tjerë u kthyen në shtëpi menjëherë pasi u liruan nga spitali.

Të gjithë pengjet e liruara janë jashtëzakonisht të dobët dhe të zbehtë, ndoshta rezultat i jetesës pa ushqim të mjaftueshëm për një kohë të gjatë, tha Dr. Levin.

Mungesa e dritës së diellit dhe e të ushqyerit mund të çojë në probleme me veshkat, mëlçinë dhe sistemet konjuktive apo njohëse, si dhe shfaqjen e osteoporozës.

Shumë nga pengjet mbanin zinxhirë në këmbë gjatë robërisë së tyre dyvjeçare, gjë që mund të çojë në probleme ortopedike, dobësim të muskujve dhe mpiksje gjaku.

Elkanah Bobot i tha familjes së tij se i dhembte i gjithë trupi, veçanërisht shpina, këmbët dhe barku, për shkak të ushqyerjes me forcë, raportoi televizioni izraelit “Kanal 12”.

"Para lirimit të tij, atij iu dhanë porcione të mëdha ushqimi që ta bënin të dukej pak më mirë në sy të botës", tha Rebeka Bobot, gruaja e Elkanahut.

Disa nga pengjet që ishin kthyer më parë gjatë pengmarrjes kishin pësuar goditje të lehta në tru që nuk ishin trajtuar, tha Levin.

Shumë prej tyre, shtoi ai, kishin marrë infeksione të ndryshme dhe ishin kthyer me sistem imunitar të dobësuar rëndë, prandaj numri i vizitorëve tek këta njerëz duhet të mbahet në minimum.

“Pengëve të liruar më parë u tha se dukeshin ‘mjaft mirë’, por disa kërkonin operacione shumë të ndërlikuara. Disa kishin dhimbje të vazhdueshme. Shumë prej tyre kanë të gjitha llojet e dhimbjeve që nuk mund t’i shpjegojnë”, tha Levin.

Mjeku tha gjithashtu se Izraeli kishte mësuar nga përvoja e luftës arabo-izraelite të vitit 1973, kur më shumë se 60 ushtarë izraelitë u mbajtën në Siri për gjashtë muaj. Shumë më vonë zhvilluan kancer, probleme kardiovaskulare dhe plakje të përshpejtuar, dhe u kërcënuan me vdekje të parakohshme.

Lufta në Gazë filloi më 7 tetor 2023, kur persona të armatosur të udhëhequr nga organizata palestineze Hamas sulmuan Izraelin jugor nga Gaza, duke vrarë rreth 1,200 njerëz dhe duke rrëmbyer 251.

Në luftën hakmarrëse izraelite janë vrarë më shumë se 67,600 palestinezë në Rripin e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila është pjesë e qeverisë së Hamasit. Ministria mban të dhëna të hollësishme të viktimave që agjencitë e KB-së dhe ekspertët e pavarur i konsiderojnë përgjithësisht të besueshme. Ata nuk bëjnë dallim midis civilëve të vdekur dhe luftëtarëve.

Hapi më i rëndësishëm në kthimin e pengjeve është t’i ndihmojmë ata të rifitojnë një ndjenjë kontrolli, shpjegoi Einat Xhehene, neuropsikologe klinike dhe drejtuese e Departamentit të Rehabilitimit në Forumin e Familjeve të Pengjeve.

Shumë prej tyre u liruan direkt nga rrjeti i tuneleve të gërmuara nga Hamasi nën Gazë, duke parë rrezet e diellit për herë të parë për dy vjet, tha ajo.

"Jam e lumtur që shoh diellin. Jam e lumtur që shoh pemët. Pashë detin. Nuk keni idenë sa e çmuar është kjo," i tha Elkanah Bobot familjes së saj, citojnë mediave izraelite.

"Sa i përket stimulimit dhe autonomisë, është vërtet e frikshme," tha Xhehene, duke shtuar: "Dikush të pyet: 'A ke dëshirë të shkosh në banjo? A do diçka për të ngrënë?' Ata nuk i kanë dëgjuar këto pyetje për dy vjet."

Një ndjenjë autonomie personale tek ish-pengjet mund të aktivizohet duke u lejuar atyre të marrin vendime të vogla.

Sipas protokollit, kushdo që i trajton ata duhet të kërkojë lejen e tyre për gjithçka, sado e vogël, duke përfshirë fikjen e dritave, ndërrimin e çarçafëve ose kryerjen e testeve mjekësore.

Disa pengje të kthyer kanë frikë nga ndjesia fizike e etjes sepse i bën të ndihen sikur janë ende në robëri, tha Xhehene.

Të tjerët nuk mund të jenë vetëm, duke kërkuar që një anëtar i familjes të jetë me ta në çdo kohë.

Ndër pengjet që e kanë pasur më të lehtë integrimin në jetën normale pas një robërie të zgjatur ishin baballarët, tha Levin, duke shtuar se u është dashur kohë për të rindërtuar besimin me fëmijët e tyre të vegjël.

"Është një faktor lehtësues në rimëkëmbje sepse i detyron ata të kthehen në rolin e babait," tha Levin.

Asnjë nga gratë që ishin në robëri për periudha të gjata nuk ishte nënë.

Në ditët e para pas lirimit të tyre, pengjet janë në një gjendje euforie, megjithëse shumë ndihen fajtore për dhimbjen që kanë kaluar familjet e tyre, tha Xhehene.

Për ata që nuk kanë shumë ekspozim ndaj informacionit mediatik dhe nuk kanë idenë se çfarë po ndodh në Izrael, njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm që t'i ekspozojnë ata ndaj informacionit ngadalë, theksoi ajo.

QËNDRONI TË LIDHUR