Arsimi i mesëm policor po rivendoset pas 26 vitesh, do të regjistrohen rreth 200 nxënës, MPB-ja me investime të mëdha në Qendrën e Trajnimit
- Rreth dyqind nxënës do të pranohen në klasën e parë, përkatësisht në gjeneratën e 25-të të Shkollës së re të Mesme Shtetërore Policore – Akademia Policore, për të cilën shpallja publike për vitin shkollor 2026/2027 pritet të publikohet rreth një korrikut. Me këtë do të rivendoset arsimi i mesëm policor pas një ndërprerjeje prej 26 vitesh, përkatësisht që nga diplomimi i gjeneratës së fundit (1996-2000), para shfuqizimit të atëhershëm të Qendrës për Arsimimin e Kuadrove nga Fusha e Sigurisë (QAKFS) „Elisie Popovski-Marko“.
- Post By Fitore Curri
- 09:13, 8 mars, 2026
Shkup, 8 mars 2026 (MIA)
Hatka SMAILLOVIÇ
Rreth dyqind nxënës do të pranohen në klasën e parë, përkatësisht në gjeneratën e 25-të të Shkollës së re të Mesme Shtetërore Policore – Akademia Policore, për të cilën shpallja publike për vitin shkollor 2026/2027 pritet të publikohet rreth një korrikut. Me këtë do të rivendoset arsimi i mesëm policor pas një ndërprerjeje prej 26 vitesh, përkatësisht që nga diplomimi i gjeneratës së fundit (1996-2000), para shfuqizimit të atëhershëm të Qendrës për Arsimimin e Kuadrove nga Fusha e Sigurisë (QAKFS) „Elisie Popovski-Marko“.
Shkolla e re e mesme policore do të jetë dyvjeçare (viti i tretë dhe i katërt) dhe do të regjistrojë nxënës të shkollave të mesme në moshën 15-16 vjeç, të cilët dy vitet e para i kanë përfunduar në cilëndo shkollë të mesme katërvjeçare në vend. Nxënësit do të ndjekin mësim nga lëndë profesionale dhe të përgjithshme arsimore dhe do të qëndrojnë në konvikt nxënësish, në kuadër të Qendrës për Trajnim të MPB-së (Akademia Policore) në Idrizovë, ku për policë janë shkolluar 24 gjenerata, nga viti 1972 deri në vitin 2000, në ish-shkollën katërvjeçare policore.
Njohuri teorike dhe shkathtësi praktike sipas standardeve të sigurisë
Shkolla e Mesme Policore – Akademia Policore themelohet me vendim të Qeverisë dhe në bazë të Ligjit për shkollën e mesme policore, i cili u miratua në muajin gusht për shkak të mungesës së një arsimi të mesëm policor të formalizuar.

Që nga shuarja e shkollës ekziston trajnimi bazë policor për kandidatët e moshës 18 deri në 25 vjeç, të përzgjedhur me shpallje publike, të cilët pas një viti në Qendrën e Trajnimit themelojnë marrëdhënie pune në MPB. Kjo, sipas nismëtarëve për themelimin e shkollës së re të mesme policore, nuk mundëson përgatitje të hershme dhe të plotë të policëve të ardhshëm. Duke u mbështetur në përvoja krahasuese të vendeve të rajonit, ata vlerësojnë se shkolla do të sigurojë arsimim të vazhdueshëm, të strukturuar dhe cilësor që nga mosha e shkollimit të mesëm, si dhe do të përgatisë kuadër i cili që nga dita e parë e karrierës profesionale do të zotërojë njohuri teorike dhe aftësi praktike në përputhje me standardet e sigurisë dhe nevojat e shtetit.
Për t’u pranuar, nxënësit do të duhet të plotësojnë kushte të përgjithshme (të jenë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të jenë më të rinj se 18 vjeç, të përdorin në mënyrë aktive gjuhën maqedonase, si dhe të kenë aftësi shëndetësore dhe psikofizike) dhe kushte të posaçme që i përcakton ministri i Punëve të Brendshme.
Magjistri Vlatko Mitkovski, ndihmës i ministrit në Qendrën për Trajnim të MPB-së, deklaroi për MIA se qëkur u paralajmërua hapja e shkollës policore, në faqen e tyre në Facebook marrin vazhdimisht pyetje lidhur me hollësitë e mësimit dhe kohën kur do të shpallet konkursi. Për t’i informuar nxënësit që po përfundojnë vitin e dytë, ata planifikojnë vizita në shkollat e mesme në të gjithë vendin.

Në përputhje me afatet e përcaktuara në ligj, thotë Mitkovski, Ministria e Punëve të Brendshme rreth datës 1 korrik do të publikojë në faqen e saj të internetit thirrjen publike për pranimin e nxënësve, pas së cilës të interesuarit do t’u nënshtrohen disa kontrollimeve – mjekësore, psikofizike, pastaj do t’u nënshtrohen testit të njohurive të përgjithshme, testit të integritetit dhe do të kenë intervista para komisionit që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve.
Ata që do të pranohen, nga 1 shtatori do të kenë akomodim dhe ushqim falas në konviktin e Qendrës për Trajnim të MPB-së në Idrizovë.

Testi i njohurive të përgjithshme dhe kontrollimet psikofizike do të sjellin numrin më të madh të pikëve, ndërsa suksesi nga dy vitet e para të shkollës së mesme është faktori i fundit në renditje, por do të ndikojë në rast se ka më shumë kandidatë të paraqitur me numër të njëjtë pikësh. Varësisht nga numri i kandidatëve, kontrollimet për përzgjedhje do të caktohen në disa afate. Nuk do të ketë kuota për përkatësi gjinore dhe për atë etnike, sepse policinë nuk e ndajmë mbi asnjë bazë. Kur nxënësi të maturojë, bëhet polic dhe ka vend pune të garantuar. Me përfundimin e arsimit të mesëm, ata hyjnë drejtpërdrejt në punë. Po mendojmë që në të ardhmen ata të kenë një përparësi të vogël dhe në vend që si kandidatët e deritanishëm në trajnim bazë të fillojnë si policë të rinj, të nisin drejtpërdrejt si policë. Ata do të sistemohen në sektorët për punë të brendshme prej nga vijnë. Kërkesa më e madhe do të jetë për Shkupin dhe meqenëse SPB Shkup do të shndërrohet në Departament për Punë të Brendshme, do të kenë edhe paga më të larta, në përputhje me problematikën dhe vëllimin e punës në raport me qytetet e tjera. Ideja është që nga shkolla e mesme policore të dalin kuadro që në të ardhmen do të jenë drejtues në MPB, deklaroi Mitkovski.

Objektet e akomodimit janë rinovuar, gjithashtu në përgatitje e sipër janë edhe programet mësimore
MIA e vizitoi Qendrën për Trajnim të MPB-së, e cila po përgatitet intensivisht për hapjen e Shkollës së Mesme Policore gjgj. Akademisë Policore. Objektet për akomodim janë rinovuar, disa të tjera po rregullohen më tej, janë duke u pajsur klasat dhe kabinetet për mësim. Në bashkëpunim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit dhe Qendrën për Zhvillimin e Arsimit Profesional pranë MASh-it, janë duke u harmonizuar programet mësimore dhe planet mësimore, gjithashtu janë duke u hartuar edhe planet për kuadrin arsimor.
Ndryshe nga mësimi në module, të cilin e ndjekin kandidatët e përzgjedhur me shpallje publike për trajnim bazë policor njëvjeçar, për nxënësit e shkollës së mesme mësimi do të jetë sipas lëndëve. Në kuadër të lëndëve të përgjithshme do të mësohen gjuha maqedonase, gjuha angleze, historia, sporti dhe matematika si lëndë zgjedhore.
Do të ketë mjaft lëndë profesionale në fushën e taktikës policore, etikës, metodikës, kriminalistikës, përmbajtje që kanë të bëjnë me të drejtën policore dhe autorizimet policore, të drejtën penale dhe kundërvajtëse, procedurën penale, të drejtën kushtetuese dhe administrative etj. Do të kenë gjithashtu mësim për aftësi mbrojtëse, përdorim të armëve dhe gjuajtje. Kur të bëhen madhorë, përkatësisht në fund të vitit të katërt, para maturës, do të dijnë të përdorin dhe do të japin provim me armë të vërteta. Edhe informatika është lëndë e detyrueshme, në mënyrë që të mund të punojnë me programet dhe softuerët ekzistues të MPB-së, sqaron Mitkovski

Lëndët do t’i ligjërojnë mësimdhënës, bashkëpunëtorë profesionalë (të punësuar në MPB me status të personave të autorizuar zyrtarë) dhe ekspertë të spikatur, të cilët, siç thekson bashkëbiseduesi ynë, do të jenë doktorë shkencash në fusha konkrete ose persona që kanë regjistruar studime doktorale; ndër ta do të ketë edhe pensionistë nga MPB-ja që kanë përvojë të madhe pune. Mësimdhënësit për lëndët e përgjithshme do të punësohen me konkurs ose do të angazhohen nga shkollat tjera të mesme ku ata nuk e kanë fondin e plotë të orëve mësimore.
Byroja për Zhvillimin e Arsimit është institucioni kompetent për dhënien e mendimit lidhur me lëndët e përgjithshme arsimore. Drejtoresha e BZhA-së, Milka Trimçevska, deklaroi për MIA se gjatë hartimit të planit mësimor për këto lëndë, Byroja do të udhëhiqet nga parimi i sigurimit të kalueshmërisë drejt arsimit të lartë, si dhe nga harmonizimi me Konceptin e Maturës Shtetërore, me qëllim që nxënësit e shkollës së mesme policore të mund ta vazhdojnë arsimin e tyre pa pengesa.

"Pas përfundimit dhe përcaktimit zyrtar të planeve dhe programeve mësimore, do të vijojë procedura për hartimin dhe/ose miratimin e teksteve shkollore. Sa u përket lëndëve të përgjithshme arsimore, do të kihet kujdes që ato të jenë të harmonizuara me standardet kombëtare dhe programet mësimore që zbatohen në shkollat e tjera të mesme, me qëllim që të sigurohet vazhdimësia, krahasueshmëria e njohurive dhe mundësia për dhënien e maturës shtetërore, tha Trimçevska.

Qendra për Trajnim e MPB-së do të zgjerohet me 10,5 hektarë shtesë
Edhe pas hapjes së shkollës së mesme policore, në Qendrën për Trajnim të MPB-së paralelisht do të vazhdojnë të realizohen trajnimet bazë njëvjeçare për policë, për kandidatët e moshës 18 deri në 25 vjeç. Aktualisht në vijim e sipër është trajnimi i 600 kandidatëve dhe përzgjedhja për trajnimin e ardhshëm të 150 kandidatëve të rinj – vetëm për rajonin e Shkupit. Mitkovski thotë se shpalljet në të ardhmen do të jenë për numër më të vogël kandidatësh dhe nevoja për ta do të zvogëlohet me daljen e gjeneratave nga shkolla e mesme policore.

Sa i përket akomodimit të gjeneratës së parë të nxënësve për vitin shkollor 2026/2027, nuk do të ketë probleme – kapacitetet do të jenë të lira, sepse trajnimi i 600 kandidatëve do të përfundojë në gusht, ndërsa 150 kandidatët e rinj do të sistemohen në një ndërtesë. Objektet e konviktit janë rinovuar, ndërsa më tej do të zëvendësohet edhe infrastruktura e kanalizimit dhe ajo telekomunikuese.
Qendra për Trajnim e MPB-së do të zgjerohet me 10,5 hektarë shtesë, ku do të vendosen terrenet për trajnim taktik dhe terrenet sportive. Është planifikuar ndërtimi i një objekti të ri për Shkollën e Mesme Policore gjgj. Akademisë Policore, ndërsa në pjesën e re gjatë këtij viti do të ndërtohet edhe një poligon i ri për gjuajtje. Parashihet gjithashtu edhe një poligon me shtigje trajnimi për sigurimin shoqërues të VIP-ave.

MPB investon shumë në Qendrën për Trajnim. Është një operacion stërmadh, me shumë aktivitete për rinovim dhe zgjerim, por synimi përfundimtar është cilësia e lartë. Mbetet të përfundojë rinovimi i dy pavijoneve, po rinovohet Muzeu Kriminalistik, biblioteka dhe pishina sportive, ku për lëndën e edukimit fizik nxënësit e shkollës së mesme do të kenë edhe not. Kjo Qendër po shndërrohet në një akademi rajonale për trajnim policor dhe ne po i forcojmë trajnimet e vazhdueshme. Kapacitetet ekzistuese do të jenë të dedikuara, para së gjithash, për atë pjesë dhe për segmentin e trajnimit bazë të policëve, i cili do të vazhdojë edhe më tej, në përputhje me nevojat, shtoi Mitkovski.
Deri në fillimin e vitit shkollor do të merret vendim edhe për emrin e Shkollës së Mesme Policore – Akademia Policore, sepse ajo nuk do ta ruajë emrin e dikurshëm „Elisie Popovski-Marko“. Do të përgatiten edhe simbolet e shkollës, të cilat nxënësit e saj do t’i kenë në uniformat e tyre.

Foto: Frosina Naskoviq