• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nga data 13 deri më 16 korrik faza portokalli, rekomandohet që kategoritë më të rrezikuara të lirohen nga puna

Nga data 13 deri më 16 korrik faza portokalli, rekomandohet që kategoritë më të rrezikuara të lirohen nga puna

Shkup, 12 korrik 2023 (MIA) - Nga nesër deri të dielën i gjithë territori i Maqedonisë së Veriut do të preket nga temperaturat e fazës portokalli (alert) dhe për këtë arsye po merren masa dhe rekomandime për mbrojtjen e qytetarëve nga temperaturat e larta për katër ditë, deri më 16 korrik, përkatësisht deri në vendimin e ardhshëm. 

Siç njofton shërbimi për shtyp i qeverisë, Qeveria në seancën e sotme ka shqyrtuar informacionin nga Ministria e Shëndetësisë për temperaturat e larta që priten në katër ditët e ardhshme dhe ka miratuar rekomandimet përkatëse.

Në fazën portokalli do të hyjnë të gjitha rajonet në vend: Shkupi, Osogovë-Malesheva, Pellagonia dhe Ohër-Prespa.

Nga nesër do të vlejnë rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, sipas Planit të Veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit në shëndetin e popullatës.

Sipas asaj që u miratua, Qeveria rekomandon: lirimin nga detyrimet e punës të grupeve më të rrezikuara të popullsisë, si gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet), nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë në mes të orës 11:00 dhe 17:00.

Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për personat e vetëm, të moshuar, të dobët dhe të pastrehët.

"Duke e marrë parasysh se disa procese të rrezikshme të prodhimit dhe teknologjisë mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi për respektimin e rregullave ligjore në këtë fushë", thuhet në kumtesë.

Qeveria vendosi që autoritetet shtetërore, ndërmarrjet dhe institucionet publike të respektojnë rekomandimet. Qeveria i rekomandon sektorit privat që të organizojë orarin e punës në mënyrë që punëtorët të mbrohen nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, mbi të gjitha duke shmangur qëndrimin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

"Të gjitha subjektet juridike që kryejnë veprimtari në natyrë, të ndërpresin veprimtarinë në periudhën nga ora 11:00 deri në ora 17:00, e kjo veçanërisht vlen për punën e punëtorëve të ndërtimit. Kopshtet duhet të organizojnë orarin e tyre të punës nga ora 07:00 deri në 17:00, në mënyrë që të mos ushtrojnë aktivitet fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë pas orës 11:00", thuhet në kumtesë.

Qeveria thekson se organet kompetente monitorojnë në vazhdimësi situatën lidhur me temperaturat e motit për të ndërmarrë sa më shpejt masat e duhura për mbrojtjen e qytetarëve.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale apelon për shtim të kontrolleve nga Inspektorati Shtetëror i Punës kompetent. sa/

Foto: MIA



QËNDRONI TË LIDHUR