• e hënë, 23 dhjetor 2024

Negociatat për një marrëveshje globale për gatishmëri për pandemi hyjnë në fazë përfundimtare

Negociatat për një marrëveshje globale për gatishmëri për pandemi hyjnë në fazë përfundimtare

Zhenevë, 29 prill 2024 (MIA) - Vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) prej sot i bëjnë përpjekjet e fundit për të arritur marrëveshje për gatishmëri globale për pandemitë, njoftoi DPA.

Në prag të pandemisë Kovid, 194 vende anëtare të OBSH-së kanë bërë thirrje për një marrëveshje për të siguruar që vendet të jenë më të përgatitura për t'u përballur me fatkeqësinë e ardhshme dhe që përgjigja globale të mos jetë aq kaotike.

Palët duan që marrëveshja e planifikuar të përfshijë një rrjet për furnizim të koordinuar nga OBSH-ja, në mënyrë që të gjitha vendet të kenë qasje në barnat që u nevojiten në rast urgjence pa kufizime tregtare.

Ngjashëm në këtë, një pjesë e barnave ose vaksinave të prodhuara do t'u jepen vendeve më të varfra falas ose me çmim më të ulët. Dispozitat do të vlejnë vetëm për vendet që e ratifikojnë marrëveshjen. Ajo do të hyjë në fuqi pasi 60 vende ta ratifikojnë dokumentin. 

Qëllimi është që marrëveshja të miratohet në Asamblenë e sivjetshme botërore të shëndetësisë - organi për vendimarrje i OBSH-së. Takimi do të fillojë në fund të majit.

Raundi i fundit i bisedimeve në fillim të këtij viti dështoi, ndërsa bisedimet që fillojnë sot shihen si shansi i fundit për të arritur një marrëveshje përpara afatit të majit.

Në përpjekje për të arritur konsensus, negociatorët paraqitën një draft-marrëveshje shumë më të kondensuar se versioni i mëparshëm. Ky aktual përbëhet nga 23 faqe, duke lënë jashtë shumë dispozita të diskutueshme.

Një nga çështjet e diskutueshme është nëse dhe si kompanitë farmaceutike duhet të detyrohen të ndajnë ekspertizën dhe të sigurojë një pjesë të produkteve të tyre për vendet më të varfra.

Organizata humanitare "Mjekët pa kufij" pohon se marrëveshja duhet të trajtojë çështje që lidhen me shëndetin global, kujdesin shëndetësor dhe drejtësinë, ndërsa jo vetëm të mbrojë interesat e industrisë. ls/ 

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR