• e diel, 22 dhjetor 2024

Ndryshimet në ligjin special për ndërtimin e korridoreve kaluan filtrin e Komisionit për çështje evropiane

Ndryshimet në ligjin special për ndërtimin e korridoreve kaluan filtrin e Komisionit për çështje evropiane

Shkup, 23 maj 2023 (MIA) - Anëtarët e Komisionit parlamentar për Çështje evropiane sot dhanë mbështetje për propozimin e pestë ligjor dhe të fundit nga pakoja e ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d – Propozim- ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për përcaktimin e interesit publik dhe nominimit të partnerit strategjik për realizimin e projektit për ndërtimin e korridorit infrastrukturor 8 (pjesa: Tetovë - Gostivar - Bukojçan dhe projekti i autostradës Trebenishtë - Strugë - Qafë Thanë) dhe korridorit 10 d (pjesë e autostradës Prilep - Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut në procedurë të shkurtuar. Pas kalimit të filtrit në komision, Komisioni për çështje evropiane përcjell propozimin ligjor në procedurë të mëtejshme në Kuvend.

Në shpjegimin e amendamentit të vetëm të iniciuar nga VMRO-DPMNE-ja opozitare pas këtij propozim- ligji i cili u refuzua nga përfaqësuesit qeveritar, deputeti Mile Lefkov theksoi se me amendamentin propozohet që Qeveria të publikojë Marrëveshjen për ndërtimin e korridoreve në Gazetën Zyrtare të nënshkruar me partnerin strategjik brenda shtatë ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

"Me amendamentin propozohet që sipas nenit 2 të shtohet neni i ri 2a ku thuhet 'Marrëveshja për ndërtimin sipas nenit 6 konform Ligjit për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor 8 (pjesa: Tetovë - Gostivar - Bukojçan dhe projekti për autostradën Trebenishtë - Strugë - Qafë Thanë) dhe Korridori 10 d (pjesa e autostradës Prilep - Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë në afat prej shtatë ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji", tha Lefkov.

Lidija Petkoska, deputete e VMRO-DPMNE-së theksoi se në hyrjen paragrafi 1 - vlerësim i gjendjes në sferën që duhet rregulluar, ofrohet mundësia e lirimit nga taksat e importit një kompanie private me ligj të veçantë, diçka që, siç tha ajo, “është shumë e diskutabile sepse futet në autonominë e vetë Ligjit të doganave dhe paraqet anashkalim të tij”.

"Lirimi nga detyrimet e importit rregullohet në mënyrë strikte me nenet 193 deri në 198 të Ligjit për doganat dhe atje nuk janë paraparë dispozita të tilla siç parashikon ky propozim-ligj, sepse parashikon përjashtimin nga detyrimet e importit dhe akcizës gjatë importit të një kompanie private, diçka që deri më tani nuk ka ekzistuar në asnjë ligj tjetër", ka thënë Petkoska.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, në debatin e sotëm ka demantuar deputetin Petkoska dhe theksoi se kjo është qasje që përdoret për marrëveshje kur kemi financim të jashtëm me kredi, duke theksuar se me kredi apo hua shkojnë projekte infrastrukturore dhe është qasje që përdoret në të gjitha marrëveshjet e tilla që i kemi financuar nga institucionet financiare ndërkombëtare.

"Dua të bëj një dallim që publiku duhet ta dijë - askush nuk përjashtohet nga taksat. Tatimi mbi fitimin – atë që fitohet këtu, do ta paguajnë si çdo kompani. Të gjithë do të paguajnë tatim mbi të ardhurat personale dhe kontributet. Edhe operatorët që janë në këtë proces ashtu edhe ata që do të jenë nënkontraktorë. Secili që do të punojë në këtë projekt do të paguajë taksat si dhe të gjitha kompanitë e tjera në çdo aktivitet ekonomik në vend. Ajo që i nënshtrohet përjashtimit janë të ashtuquajturat taksat indirekte, ato në fakt janë kosto për investitorin dhe në rastin konkret investitor është NP për “Rrugë Shtetërore” dhe financohet nga mjetet buxhetore, pra me kredi. Në fakt, ulet kostoja që me fjalë të tjera do të thotë se nëse mesatarisht 20 për qind janë detyrimet në bazë të TVSH-së, dogana dhe detyrime të tjera, kjo do të thotë se e gjithë kostoja është diku 20 për qind plus. Këto ndryshime janë edhe në zgjidhjen ekzistuese, por saktësohen në këtë fazë për të mos pasur dilema gjatë zbatimit në praktikë dhe që shteti të mund të paguajë një çmim më të ulët. Kjo është një praktikë që tashmë është vendosur edhe tek ne dhe vende tjera dhe përdoret në atë mënyrë që realizimi të jetë me kosto më të ulëta për buxhetin", ka thënë ministri Besimi. 

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR