• e premte, 05 dhjetor 2025

Ndryshimet e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale kaluan në Qeveri, zgjidhja ligjore do të vlejë për kryetarët e rinj të komunave

Ndryshimet e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale kaluan në Qeveri, zgjidhja ligjore do të vlejë për kryetarët e rinj të komunave

Shkup, 6 maj 2025 (MIA) – Propozim-ndryshimet e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale sot kaluan në mbledhjen e Qeverisë. Me to, mes tjerash parashihet revokim me referendum të kryetarëve të komunave, vendosje të policisë komunale dhe pjesëmarrje më të madhe të sektorit civil në miratimin e vendimeve në nivel lokal. 

Propozim-ndryshimet do të dërgohen në procedurë kuvendore dhe nëse miratohen deri në verë do të vlejnë për kryetarët e rinj të komunave të cilët do të zgjidhen në tetor në zgjedhjet e rregullta lokale. 

"Pas miratimit nga ana e Kuvendit, këto ndryshime do të sjellin përmirësime të rëndësishme në funksionimin e komunave, rritjen e transparencës, pjesëmarrjen qytetare dhe efikasitetin administrativ", thonë nga Qeveria. 

Ndryshimet parashohin shpalljen e referendumit për kryetar komune nëse 20 për qind e qytetarëve kërkojnë propozim për shkarkimin e tij. 

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski disa herë deri më tani informoi se ndryshimet nuk mund të vlejnë në mënyrë retrograde, që nënkupton se nuk mund të revokohet asnjë nga kryetarët aktualë të komunave. Me ndryshimet pritet të përmirësohet gjendja në nivel lokal dhe të gjithë faktorët e prekur të kenë zgjidhje ligjore më cilësore dhe më të qëndrueshme. 

Nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) sot pasdite e përshëndetën kalimin e propozim-zgjidhjes ligjore në Qeveri dhe shfaqën shpresë se ky ligj do të miratohet nga Kuvendi në afat sa më të shpejtë. 

“BNJVL përshëndet vendimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për të miratuar Ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, dhe veçanërisht pjesën që lidhet me themelimin e policisë komunale në komuna. Kjo ka qenë kërkesë e kahershme e BNJVL-së dhe shpresojmë që me këto ndryshime, pas miratimit të këtij Ligji, komunat do t'u ofrojnë shërbime shumë më të mira qytetarëve të tyre”, informuan nga BNJVL. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR