Na pret një dimër relativisht më i butë, me më shumë mundësi për reshje bore në pjesën e dytë
Shkup, 11 tetor 2022 (MIA) - Në kontekstin e krizës energjetike në të cilën vendet ballafaqohen me sfidën e sigurimit të sasive të mjaftueshme të energjisë dhe rrymës, shtrohet pyetja se çfarë dimri na pret. Meteorologët, sipas perspektivës sezonale, parashikojnë një dimër përgjithësisht më të butë se mesatarja.
Në gjysmën e parë të dimrit, pritshmëritë janë që të ketë mot pak më të ftohtë, stabil dhe relativisht të thatë me kushte mjegulle nëpër lugina dhe rritje të ndotjes së ajrit, sidomos në luginat dhe në zonat urbane, por mundësi për depërtime të herëpashershme të ajrit të ftohtë dhe fronteve të ftohta. Në gjysmën e dytë të dimrit ka një probabilitet më të madh për reshje, kur në Evropën Juglindore pritet më shumë borë në malet më të larta (Serbia Juglindore, pjesët veriore të Shqipërisë, pjesët veriperëndimore të Maqedonisë).
Ky është konkluzioni i përgjithshëm i analizës së detajuar të perspektivës sezonale të motit në dimrin e ardhshëm, të cilën e ka përgatitur Dr. Vlado Spiridonov, profesor i meteorologjisë në Institutin e Fizikës në Fakultetin e Shkencave-Matematikore në Shkup, në bashkëpunim me Mr.Rada Avramovska dhe Mr.Aleksandra Stevkov nga Drejtoria e Punëve Hidrometeorologjike.
Në një intervistë për MIA-n, profesor Spiridonov thekson se në gjysmën e parë të dimrit ka një probabilitet të shtuar për mot relativisht stabil, të ftohtë, të qetë dhe të thatë. Mund të krijohet mjegull dhe rritje e ndotjes së ajrit në lugina dhe në zonën e qytetit të Shkupit, por nuk përjashtohet mundësia e depërtimit të herëpashershëm të ajrit të ftohtë dhe aktivitet frontal me kushte më dinamike atmosferike, reshje dhe erë.
“Përveç kësaj është fenomeni “La Ninja”, një fazë e ftohtë e ciklit klimatik ENSO dhe temperatura nën mesataren e sipërfaqes së detit (SST), në pjesën qendrore dhe lindore tropikale të Oqeanit Paqësor. Kjo mënyrë e ndryshueshmërisë së klimës ka një ndikim në parashikimin afatgjatë të motit në rajone të caktuara të botës dhe të Evropës. Për më tepër, faza neutrale në negative e indeksit NAO të Atlantikut të Veriut për sa i përket divergjencës së fushës së presionit, statusit të vorbullës polare dhe rrymave gjithashtu ofrojnë perspektiva për një gjysmë të parë mesatare deri më të ftohtë të ciklit të dimrit, me mot më të qendrueshëm dhe një transformim gradual, në një dimër më të butë me një probabilitet më të lartë të borës në gjysmën e dytë. Parashikimi analog, si një risi në parashikimet sezonale në Britaninë e Madhe, shkon paralelisht me këto perspektiva sezonale. Përkatësisht, katër nga pesë anëtarët më të rëndësishëm të indeksit analog tregojnë për dimër më të butë se mesatarja, thotë Spiridonov.
Sipas të dhënave klimatike nga DPHM-së, favorizohen sërish kushtet mesatare deri më të buta. Deri më tani këtë vit, nuk ka pasur muaj më të ftohtë se mesatarja.
“Duke marrë parasysh sa më sipër, mundësia e një sezoni relativisht të butë është më e lartë se mesatarja. Sinjali i reshjeve është shumë më i dobët, edhe pse në gjysmën e dytë të ciklit dimëror ka një probabilitet më të madh për reshje, kur në Evropën Juglindore pritet më shumë borë në malet më të larta”, vlerëson Spiridonov.Sa i përket temperaturave, pritshmëritë janë që ato të jenë pak mbi mesataren. Analiza tregon se shumica e modeleve atmosferike-klimatike (sezonale) për dimrin e ardhshëm (dhjetor-janar-shkurt) japin perspektiva për temperatura më të larta në krahasim me mesataren, ndërsa vlerësimet sezonale të Qendrës Evropiane për Parashikimin e Motit – ECMWF, tregojnë për temperatura me vlera mbi mesataren në pjesët veriore dhe pa devijime në pjesët jugore.
Parashikimet janë se nga mesi i dimrit, pjesa më e madhe e Evropës do të ketë një shtresë më të ulët të dëborës ndërsa në gjysmën e dytë të dimrit në zona të caktuara të Evropës Qendrore dhe Perëndimore do të ketë më shumë reshje bore.
“Duke analizuar sipas muajve, parashikimi i dhjetorit për reshjet e borës tregon anomali të forta negative. Kjo ka të ngjarë për shkak të fushës së presionit të lartë të ajrit në kontinentin evropian, motit të thatë dhe relativisht të ftohtë që nuk lejon shumë skenarë për reshje dëbore dhe formimin e një shtrese dëbore më të trashë. Pjesa më e madhe e Evropës parashikohet të ketë më pak borë deri në mes të dimrit. Me dobësimin e La Ninja-s dhe NAO-s në gjysmën e dytë të dimrit, situata ndryshon gradualisht në mënyrë që në zona të caktuara të Evropës Qendrore dhe Perëndimore në janar dhe aq më tepër në shkurt, shfaqen më shumë reshje bore në pjesë të Evropës Qendrore, por nuk përjashtohet shfaqja e ngricave. Por shumica e pjesëve të tjera parashikohen të kenë më pak reshje bore në muajin e fundit të dimrit”, thuhet në analizë.
Perspektiva sezonale për motin e ardhshëm të dimrit bazohet në gjendjen aktuale të klimës, duke përfshirë shpërndarjen e masave ajrore, qarkullimin bazë atmosferik dhe oqeanik, temperaturat e sipërfaqes së oqeanit dhe detit….
Analizën e plotë mund ta gjeni në vijim: [http://линк:https://aqf.finki.ukim.mk/sezonski_izgledi_vreme_zima_2023.pdf]линк:https://aqf.finki.ukim.mk/sezonski_izgledi_vreme_zima_2023.pdf
Biljana Anastasova- Kostiq