• e diel, 22 dhjetor 2024

Në UT u prezantuan bursat e ambasadës së SHBA-ve që ndahen për studentët dhe kërkimet postdoktorale

Në UT u prezantuan bursat e ambasadës së SHBA-ve që ndahen për studentët dhe kërkimet postdoktorale

Tetovë, 13 maj 2024 (MIA)- Në Universitetin e Tetovës sot u bë prezantimi i bursave për studentë dhe për kërkime postdoktorale të financuara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë. Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Safet Emruli tha se mbështetja e studentëve dhe stafit akademik me bursa nga Ambasada e SHBA-ve në vendin tonë është ndër ngjarjet më të veçanta. “Është për t’u përshëndetur ky bashkëpunim, mundësia për të studiuar në universitetet e SHBA-ve është diçka që çdokush nga stafi akademik dhe studentët duhet ta kenë për synim. Kjo mundësi na ofrohet përmes ambasadës së SHBA-ve ndërsa studentët dhe profesorët shfaqin interes të kënaqshëm për të fituar këto bursa. Deri më tani nga Fakulteti Juridik janë me dhjetëra profesorë të cilët kanë ndjekur studimet postdoktorale në programe të ndryshme të universiteteve të SHBA-ve, por ka edhe shumë studentë dhe profesorë të fakulteteve tjera të Universitetit tonë.” – theksoi Prof. Dr. Safet Emruli

Prezantimin e bursave për studentët dhe profesorët e bëri specialisti i programeve për edukim në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup z. Gazmend Iljazi. Ai tha se është një numër shumë i madh i bursave që ndahet dhe kohës së fundit ka rritje të mundësive për studime në SHBA nëpërmjet programeve të ndryshme si programi Fullbright. “Këtë vit siç edhe jeni të informuar kemi edhe marrëveshje të re me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe shpresojmë që edhe numri i bursave të jetë edhe më i madh krahasuar me vitet e kaluara, por përveç asaj bëmë prezantime edhe për studentët të cilët dëshirojnë të studiojnë studime deriplomike, studime të ndryshme profesionale në SHBA dhe mundësitë e tjera që studentët mund të kenë interes për të aplikuar. Vetë fakti që ka vazhdimësi paraqitja dhe prezantimi i programeve tregon se është i suksesshëm. Ne mund të themi me plot bindje se deri më tani nuk kemi asnjë student që ka studiuar në SHBA nëpërmjet programeve tona dhe që ka ngelur në SHBA, ose ndonjë student që ka studiuar atje dhe është i papunë, pothuajse 100 për qind e rasteve të gjithë janë të sistemuar për shkak të aftësive dhe njohurive të cilat ato i zënë në Universitetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.” – u shpreh z. Gazmend Iljazi.

Universitetet të cilat ofrohen nëpërmjet programeve që ofron Ambasada e SHBA-ve janë universitetet më të mira në SHBA dhe programet studimore i plotësojnë të gjitha kriteret dhe çdo gjë është e nivelit të lartë shkencor dhe mësimor. Interesimi i studentëve dhe profesorëve në këtë prezantim ishte i kënaqshëm.

QËNDRONI TË LIDHUR