Në programin zyrtar të Micotakisit në Uashington gjatë ditës së sotme nuk është paraparë takim me Mickoskin
- Në programin zyrtar të kryeministrit grek Kiriakos Micotakis mbi aktivitetet e sotme në Uashington në Samitin e NATO-s, nuk është paraparë takim me kolegun e tij nga Maqedonia, Hristian Mickoski, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Fami Bajrami
- 13:50, 10 korrik, 2024
Athinë, 10 korrik 2024 (MIA) - Në programin zyrtar të kryeministrit grek Kiriakos Micotakis mbi aktivitetet e sotme në Uashington në Samitin e NATO-s, nuk është paraparë takim me kolegun e tij nga Maqedonia, Hristian Mickoski, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Siç informojnë nga kabineti i kryeministrit grek, në orën 11:30 sipas orës lokale, Micotakisi do të japë intervistë për ish zëvendës këshilltaren për siguri kombëtare të SHBA-së Nadja Sandlou në kuadër të Forumit publik të NATO-s, më pas do të marrë pjesë në Samit, pastaj do të takohet me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, ndërsa në orën 19:30 sipas orës lokale do të marrë pjesë në darkën për nder të liderëve pjesëmarrës në Samitin e organizuar nga presidenti amerikan Xho Bajden dhe zonja e parë e SHBA-së.
Edhe pse takim bilateral midis dy kryeministrave nuk është planifikuar (zyrtarisht), megjithatë Mickoski dhe Micotakisi do të marrin pjesë në të njëjtat aktivitete: takimin e NATO-s dhe darkën në Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministri grek gjatë diskutimit të djeshëm me ish ambasadorin e SHBA-së në Greqi, Daniel Spekhard organizuar nga Këshilli amerikan tink- tenk Council on Foreign Relations, ka folur edhe për marrëdhëniet greko-turke të cilat i cilësoi si të përmirësuara vitin e fundit si dhe për vendin tonë, duke përsëritur qëndrimet e Athinës zyrtare në lidhje me Marrëveshjen e Prespës dhe duke thënë se “aspekti fondamental është emri Maqedonia e Veriut i cili duhet të përdoret brenda dhe jashtë saj”.
Siç publikoi mbrëmë MIA, Micotakisi theksoi se “Maqedonia e Veriut tani është anëtare e NATO-s sepse Greqia e hoqi veton pas Marrëveshjes së Prespës”, duke shpjeguar se është marrëveshje e nënshkruar nga qeveria e kaluar, por e respekton sepse është “ marrëveshje ndërkombëtare që lidh vendin” dhe shtoi se përdorimi i emrit erga omnes është diçka për të cilën “Greqia nuk negocion”.
"Kur dëgjoj se qeveria e re e Maqedonisë së Veriut në brendësi të vendit quhet Republika e Maqedonisë, atëherë shqetësohem seriozisht dhe sigurisht kjo është një çështje që dua ta ngre, nuk është konstruktive, nuk e ndihmon rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, do të thosha se është një ndërlikim i panevojshëm në një kohë kur të gjithë duhet të kërkojnë pikat e konvergjencës", ka thënë Micotakisi.
Foto: kabineti i kryeministrit grek