Në Pretor ka nisur një eko-projekt për ruajtjen e biodiversitetit të Liqenit të Prespës
- Dita Botërore e Mjedisit Jetësor po shënohet me një projekt shumë të rëndësishëm për rajonin e Prespës, që është trajtimi i ujërave atmosferik përmes ndërtimit të kanalizimeve për ruajtjen e biodiversitetit rreth Liqenit të Prespës, tha në Pretor ambasadori i BE-së në vend, Mihalis Rokas.
- Post By Sara Ademi
- 11:02, 5 qershor, 2025
Resnjë, 5 qershor 2025 (MIA) - Dita Botërore e Mjedisit Jetësor po shënohet me një projekt shumë të rëndësishëm për rajonin e Prespës, që është trajtimi i ujërave atmosferik përmes ndërtimit të kanalizimeve për ruajtjen e biodiversitetit rreth Liqenit të Prespës, tha në Pretor ambasadori i BE-së në vend, Mihalis Rokas.
Në një konferencë për shtyp në Pretor, në bregun e liqenit të Prespës, ambasadori Rokas theksoi se projekti ka një përfitim të dyfishtë dhe kontribuon drejtpërdrejt në ruajtjen e mjedisit.

"Ne po fillojmë një projekt shumë të rëndësishëm për këtë rajon, që është trajtimi i ujërave atmosferik, pra ndërtimi i kanalizimeve për të ruajtur biodiversitetin rreth liqenit të Prespës, sepse ky duhet të jetë një rajon që do të tërheqë të gjithë turistët që vijnë këtu dhe kur të vijnë turistët, të jenë të sigurt se mjedisi mund të ruhet. Ne kemi një përfitim të dyfishtë nga ky projekt. Nga njëra anë shënojmë përfundimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza dhe nga ana tjetër për trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta. Ky projekt kontribuon në ruajtjen e mjedisit", theksoi ambasadori Rokas dhe u bëri thirrje të gjithëve që të luftojnë kundër mbetjeve plastike, të cilat janë në rritje.
Projekti ekologjik për Pretorin me vendbanimin turistik dhe vendbanimet e vikendit është i një rëndësie të veçantë për pushtetin lokal sepse do të mundësojë ruajtjen e natyrës së pastër, theksoi kryetari i Komunës së Resnjës, Jovan Tozievski.

"Ky projekt është një nga më të mëdhenjtë në vendin tonë, shumë i rëndësishëm për popullsinë vendase, për mbrojtjen e mjedisit dhe për turizmin në këtë rajon. Për një komunë të vogël, ky është një projekt i madh. Do të ndërtojmë gjashtë sisteme të kanalizimit, ndërsa projekti i infrastrukturës përfshin edhe aktivitete të tjera që do të ofrojnë shërbime më cilësore për popullatën, mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e turizmit në Prespë", tha kryetari Tozievski.
Përfaqësuesi i UNDP-së në vend Armen Grigorjan përkujtoi se programi zhvillimor i Kombeve të Bashkuara, njëzet vjet bashkëpunon me rajonin e Prespës në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor.
"Jam i kënaqur që jemi përfshirë në këtë projekt si partnerë të komunës, të mbështetur nga fondet e BE-së, i cili ka një rëndësi të madhe. Në periudhën e ardhshme, ne do të punojmë në menaxhimin e ujërave të zeza dhe mbetjeve të ngurta me qëllim që të ruajmë ekosistemin e brishtë të Liqenit të Prespës dhe në këtë mënyrë të mbrojmë biodiversitetin dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës së popullatës lokale. Pres që të hapen mundësi shumë më të mira për zhvillim ekonomik përmes turizmit dhe presim përfundimin me sukses të këtij projekti dhe arritjen e të gjitha qëllimeve të përcaktuara", tha Grigorjan.

Sipas projektit të përgjithshëm, përveç Pretorit, rrjete për grumbullimin e ujërave të zeza dhe impiante për trajtimin e ujërave të zeza do të ndërtohen edhe në Stenjë, Krani, Dolno Dupeni, Brajçino dhe Slivnicë. sa/
Foto: MIA