Në një bulevard në Shkup është derdhur shkumë kimike, kryetari i qytetit Gjorgjievski pretendon se autori është identifikuar
- Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski kumtoi se është identifikuar autori përgjegjës për derdhjen kimike që mbrëmë shkaktoi shqetësim te qytetarët. Në një postim në Fejsbuk, ai thekson se nga puseta qendrore në bulevardin "Aleksandar Makedonski" në Gazi Babë u derdh një sasi e madhe e shkumës kimike, që paraqet shkelje serioze të dispozitave ekologjike.
- Post By Sara Ademi
- 12:08, 19 nëntor, 2025
Shkup, 19 nëntor 2025 (MIA) - Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski kumtoi se është identifikuar autori përgjegjës për derdhjen kimike që mbrëmë shkaktoi shqetësim te qytetarët. Në një postim në Fejsbuk, ai thekson se nga puseta qendrore në bulevardin "Aleksandar Makedonski" në Gazi Babë u derdh një sasi e madhe e shkumës kimike, që paraqet shkelje serioze të dispozitave ekologjike.

"Autori është gjetur, po veprojmë menjëherë!. Askush nuk guxon ta rrezikojë shëndetin e shkupjanëve. Sipas urdhërit të dhënë nga Inspektorati i Qytetit të Shkupit, është kryer një kontroll inspektues i jashtëzakonshëm në bulevardin "Aleksandar Makedonski" në komunën e Gazi Babës. Inspektorët e autorizuar të Qytetit të Shkupit menjëherë dolën në terren dhe inspektuan gjendjen në detaje. Në vendin e ngjarjes u konstatua një situatë alarmante, nga puseta qendrore në bulevard është vërejtur derdhje masive e shkumës kimike në sipërfaqe publike, e derdhur nga një subjekt juridik që ekonomizon në afërsi të drejtpërdrejtë", publikoi Gjorgjievski.
Ai informon se janë marrë prova nga puseta, nga sipërfaqja e bulevardit, si dhe nga makina e shkumës në pronësi të personit juridik.

"Në detaje do të analizohet elaborati për mjedis jetësor të cilin subjekti është i obliguar ta posedojë, që të konfirmohen arsyet dhe parregullsitë eventuale në proceset e tij operative. Në bazë të gjendjes së konfirmuar dhe provave të mbledhura, ndaj personit juridik do të ndërmerren masa më të ashpra sanksionuese. Asnjë arsyetim nuk do të lejohet, secili që e shkel ligjin, e ndot mjedisin dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve, do të përballet me fuqinë e plotë të institucioneve", shënoi në një postim kryetari i Qytetit të Shkupit Gjorgjievski. sa/
Foto: Fejsbuku i Orce Gjorgjievskit