• e hënë, 23 dhjetor 2024

Në margjinat e Takimit ministror të OSBE-së nënshkruhet deklaratë e përbashkët në luftën kundër korrupsionit

Në margjinat e Takimit ministror të OSBE-së nënshkruhet deklaratë e përbashkët në luftën kundër korrupsionit

Shkup, 30 nëntor 2023 (MIA) - Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi, në margjinat e Samitit të 30-të ministror të OSBE-së të mbajtur në Shkup nënshkruan deklaratë të përbashkët për luftën kundër korrupsionit, pastrim parash dhe lehtësimin e përpjekjeve për rikthimin e pronave.

Teksti i deklaratës së përbashkët, harmonizuar gjatë konferencës rajonale për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore të mbajtur në Shkup më 31 tetor të këtij viti nën organizimin e Maqedonisë së Veriut e cila kryeson me OSBE-në dhe në bashkëpunim me Departamentin e kërcënimeve transnacionale të OSBE-së dhe Zyrës së koordinatorit të OSBE-së për aktivitete ekonomike dhe ekologjike u nënshkrua nga ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq, ministri i Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës Elmedin Konakoviq, ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi Filip Ivanoviq dhe ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë Igli Hasani.

Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani pas nënshkrimit tha se korrupsioni është problem i përbashkët i rajonit, ndërsa nënshkrimi i deklaratës së përbashkët dërgon porosi të qartë kundër kësaj dukurie.

"Deklarata e përbashkët potencon se korrupsioni dobëson sundimin e ligjit, minon besimin në institucione dhe kërcënon zhvillimin dhe prosperitetin social dhe ekonomik, si dhe stabilitetin dhe sigurinë. Ajo paraqet rrezik për vlerat e përbashkëta të OSBE-së dhe shkakton të gjitha llojet e aktiviteteve kriminale", ka thënë ministri Osmani.

Dokumenti, siç theksoi ai, përmban dhjetë pika, duke përfshirë forcimin dhe përdorimin e hallkave digjitale, bashkëpunimin rajonal në nivel institucionesh dhe organizata në luftën kundër korrupsionit dhe lehtësimin e përpjekjeve për kthimin e pronave.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq tha se lufta kundër korrupsionit nuk është e mundur pa bashkëpunim gjithëpërfshirës institucional dhe rajonal.

"Asnjë shtet nuk mundet vetëm dhe OSBE-ja mund të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit", tha Daçiq.

Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq tha se forcimi i bashkëpunimit rajonal është kyç në luftën kundër korrupsionit, ndërsa nënshkrimi i deklaratës, tha ai, “paraqet konfirmim të përkushtimit të fuqishëm në luftën kundër korrupsionit”.

“Konsiderojmë se korrupsioni është problem transnacional dhe angazhimi ynë shtrihet përtej kufijve", theksoi ai.

Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Filip Ivanoviq, nënshkrimin e iniciativës e vlerësoi si hap konkret në forcimin e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër korrupsionit dhe se kjo do të ndihmojë dukshëm në rritjen e mirëqenies së shteteve.

“Kjo është gjithashtu një kriter kritik për vlerësimin e progresit të shteteve perëndimore në rrugën drejt BE-së”, shtoi Ivanoviq.

Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani përshëndeti iniciativën duke theksuar se lufta kundër korrupsionit dhe qeverisjes së mirë është një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare.

"Thelbi mbetet vullneti politik dhe shpresoj që edhe pse të gjithë ministrat e pranishëm në tryezë janë burra, do të bëjmë shumë më tepër për gratë dhe të rinjtë", tha ai.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR