• e hënë, 23 dhjetor 2024

Në Kuvend u shënua Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë

Në Kuvend u shënua Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë

Shkup, 12 korrik 2024 (MIA) - Në Kuvend sot u shënua 11 Korriku - Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Pjesëmarrësit i bëjnë thirje Qeverisë, që në bazë të Rezolutës së KB-së, ta shpallë 11 korrikun si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave nga Gjenocidi në Srebrenicë. 

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili e hapi ngjarjen, theksoi se kjo ngjarje na e kujton çdo ditë brishtësinë, por edhe vlerën e paçmueshme të paqes, sundimin e ligjit, bashkëjetesën, demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. 

"Paqja, sundimi i së drejtës, bashkëjetesa, demokracia dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë vlera kruciale që të gjitha shoqëritë e qytetëruara dhe demokratike duhet t'i ruajnë, kultivojnë dhe përmirësojnë në epokën e globalizimit, kur nga rrethi ynë më i afërt, por edhe më i largët, ende vijnë lajme shqetësuese për përplasje ushtarake", tha Gashi.

Në emër të deputetëve në Kuvend dhe në emrin e tij personal shprehu ngushëllime për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, duke theksuar se Maqedonia e Veriut, së bashku me shumicën e vendeve të organizatës botërore, para do kohe e mbështeti Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me të  cilën dënohet mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe me të cilën shpallet 11 Korriku si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.   

"Kjo Rezolutë, siç theksuan propozuesit e saj, nuk është e drejtuar kundër askujt në veçanti, por u referohet vetëm autorëve të gjenocidit, të cilët gjithsesi janë të njohur përgjithësisht, kurse për disa tashmë janë ekzekutuar aktgjykime ndërkombëtare për krime lufte", tha Gashi.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut çdo vit e shënon Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit nga viti 1995, pasi në vitin 2010, me Deklaratë, u mbështet Rezoluta e Parlamentit Evropian për Srebrenicën. 

Mersiha Smailoviq nga Shoqata Divanhana falënderoi që kjo ditë po debatohet në Kuvend, duke theksuar se në këtë mënyrë kryetari i Kuvendit dhe shteti janë miq të mëdhenj të bashkësisë boshnjake. Kjo, siç tha ajo, është dëshmi se Maqedonia nuk do ta mohojë gjenocidin.

Në ngjarjen në Kuvend folën edhe prof. dr. Sead Xhigal, Safet Bishevac dhe të tjerë. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR