Në Cyrih të Zvicrës promovohen tre libra të autorit Emin Azemi
- “Kolana e librave me shkrime eseistike-publicistike, “Helena e epikës sonës tragjikomike”, “Në mes të kauzës dhe mbijetesës” e që përmbyllet me vëllimin “A kurohet mendësia”, vjen natyrshëm pasi që rrumbullakon një cikël shkrimesh të autorit të filluara këtu e dy dekada më parë, duke u sublimuar si një projekt kapital e shumë voluminoz në formë idesh të përdegëzuara brenda kopertinave të këtyre libave”, nënvizoi Bujar Salihu.
- Post By Fami Bajrami
- 09:01, 27 janar, 2025
Shkup, 27 janar 2025 (MIA)- Të shtunën (25 janar) në praninë e dhjetëra lexuesve dhe intelektualëve të Kantonit të Cyrihut, në Bibliotekën Pestalozi janë promovuar tre tituj nga kolona e veprave të fundit të shkrimtarit dhe publicistit Emin Azemi.
Duke iu dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve, drejtoresha e Bibliotekës Pestalozi, Suela Jorgaçi, në cilësinë edhe të bashkëorganizatores së këtij promovimi, falënderoi autorin që ka zgjedhur pikërisht këtë vatër të librit për të promovuar librat e tij.
Ajo gjithashtu kërkoi që kultura e leximit të përhapet më tepër në familjet shqiptare në Zvicër, kjo edhe për faktin se biblioteka që ajo drejton ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në shërbim të lexuesve, sidomos të gjeneratave të reja që janë të interesuar për libra shqip, që nuk mungojnë në këtë bibliotekë.
Poeti Bujar Salihu, në cilësinë e promotorit dhe panelistit të këtij promovimi, shprehu kënaqësinë që viti 2025 po hapet me një përurim të një vepre tri vëllimshe të një autori shumë të veçantë, që shfaqet jo vetëm bindës por gjithsesi edhe tejet sugjestiv duke e gërshetuar këtë me estetikë narrative e cila, sipas tij, autorin e bënë një nga penat më kredibile në publicistikën e sotme shqiptare dhe jo vetëm.
“Kolana e librave me shkrime eseistike-publicistike, “Helena e epikës sonës tragjikomike”, “Në mes të kauzës dhe mbijetesës” e që përmbyllet me vëllimin “A kurohet mendësia”, vjen natyrshëm pasi që rrumbullakon një cikël shkrimesh të autorit të filluara këtu e dy dekada më parë, duke u sublimuar si një projekt kapital e shumë voluminoz në formë idesh të përdegëzuara brenda kopertinave të këtyre libave”, nënvizoi Bujar Salihu.
Sipas Salihut në këtë kolanë librash përshkruhet në mënyrë maestrale jeta jonë me lëvizje anakronike dhe me paradokse të përcjella me zhurmat e një pale dhe heshtjen e palës tjetër, me krekosjen e disave dhe, siç tha ai, përuljen e të tjerëve.
“Krahas mugëtirës që e mbulon këtë kohë të ngërthyer brenda kopertinave të këtyre librave, përshkon edhe një rreze e theksuar drite. Dhe, kjo dritë është puna me përkushtim e autorit, rrëfimi i qartë, doemos edhe mesazhet humane që përcjell ai”, theksoi Salihu.
Shkrimtari dhe artisti figurativ, Gani Bytyçi, pasi paraqiti një profil të përgjithshëm të autorit, Emin Azemi, tha se librat që po promovohen sot janë produkt i një analize të thuktë publicitike e eseistike dhe kjo ka ardhur si pasojë e vëzhgimeve të holla që autori i ka bërë në laboratorin e tij krijues. Sipas Bytyçit, gjithë diskursi shkrimor i këtyre veprave bazohet në një stil të veçantë që autori e kultivon, e që është rezultat i formimit dhe pjekurisë së tij intelektuale e profesionale.
Procesi i krijimit të këtyre tre librave, sipas autorit Emin Azemi, ka filluar më herët, por konturat finale të tij u definuan tash viteve të fundit dhe u ndërtua si projekt që lëvizi nga bërthama e ideve deri te realizimi final i tij, por që kishte në mes një prodhim voluminoz shkrimesh të shkruara në vazhdimësi këtu e njëzet vite më parë.
Në vazhdim autori elaboroi disa aspekte mbi të cilat janë krijuar këto libra. Sipas tij të tre këta tituj “Helena e epikës sonë tragjikomike”, “Në mes të kauzës dhe mbijetesës” dhe “A kurohet mendësia?”, përmbajnë ngarkesa të caktuara semantike, të cilat shpërndahen në plotninë e gjithë librit, siç shpërndahet në trupin e njeriut nervatura, e cila pastaj në bazë të reagimeve të brendshme dhe të jashtme, aktivizon mekanizmin e kundërshtimit dhe kontestimit të fenomeneve që autori i ka konsideruar si devijante.
“Shumë kush që do t’i lexoj këto libra do të mund të ballafaqohet me dilemën nëse unë si autor kam qenë gjithmonë në korrent me zhvillimet të cilat i kam ndjekur në vazhdimësi, apo kam ristrukturuar një përmbajtje tjetër shkrimore, që tani mund të shfaqet në formë libri. Ajo çka e shuan dilemën, fillimisht, është sistemi i kronologjisë kohore të shkrimeve që lehtësisht mund të vërehet dhe pastaj është vet rrjedha logjike e gradacionit tematik që ka shkruar duke u formësuar sipas ritmit të ngjarjeve e dukurive socio-politike e kulturlogjike brenda njëzetë viteve”, vuri në dukje Emin Azemi, para se të hapet një bashkëbisedim më i gjerë me lexuesit e pranishëm në këtë ngjarje kulturore.
Me pyetje, sugjerime e komente të shumta u paraqitën disa prej intelektualëve të pranishëm në këtë promovim, në mesin e të cilëve edhe poeti Brahim Avdyli, mjeku Agron Abrashi, inxh. dhe profesori universitar Shaip Lativi, afaristi Ismail Behluli, gazetari Blerim Shabani, poetja Hyrije Jusufi, gazetari dhe teologu Irfan Agushi si dhe ing. i IT-së, Labinot Sulejmani.
Pas këtij promovimi në Cyrih, prezantimi i radhës i tre librave të autorit Emin Azemi do të bëhet në Gjenevë, më 31 janar.