• e premte, 05 dhjetor 2025

Murtezani: Kriteret e Kopenhagës duhet të mbeten udhërrëfyes të procesit të zgjerimit

Murtezani: Kriteret e Kopenhagës duhet të mbeten udhërrëfyes të procesit të zgjerimit

Kopenhagë, 2 shtator 2025 (MIA) – Maqedonia e Veriut është plotësisht e përkushtuar në zbatimin e Kritereve të Kopenhagës, të cilat duhet të mbeten udhërrëfyes i procesit të zgjerimit të BE-së, deklaroi sot në Kopenhagë ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani në fjalimin në takimin joformal të ministrave të çështjeve evropiane të vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve kandidate për anëtarësim. 

“Për ne ato (Kriteret e Kopenhagës) nuk janë vetëm kushte, por gjuhë e demokracisë dhe garancës se progresi ynë do të matet sipas standardeve të drejta dhe objektive, dhe jo sipas pengesave dypalëshe të cilat nuk i përkasin thelbit të idesë evropiane,” u shpreh Murtezani në fjalimin në sesionin e parë të punës të Takimit joformal të ministrave për Çështje Evropiane.

Siç bëri të ditur Ministria për Çështje Evropiane, Murtezani potencoi se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian nuk është “proces teknik i harmonzimit”, por domosdoshmëri strategjike për stabilitetin dhe sigurinë e tërë kontinentit. 

Ai gjthashtu rikujtoi se më shumë se dy dekada pas premtimit nga Selaniku, perspektiva evropiane e rajonit nuk duhet të mbetet projekt i papërfunduar, sepse çdo vonesë e re jo vetëm që e cenon kredibilitetin e Unionit, por edhe e dobëson rolin e tij strategjik në mjedis gjeopolitik jashtëzakonisht të pasigurt.

Ministri Murtezani foli edhe për konceptin e integrimit gradual, duke vlerësuar se ai nuk është zëvendësim për anëtarësim, por urë e cila e ruan besimin e procesit, derisa nuk përfundon anëtarësimi i plotë. 

Murtezani potencoi se përfitimet e kësaj politike tashmë po ndihen përmes pjesëmarrjes së studentëve në programin Erasmus, qasjes në Zonën e Vetme të Pagesave në euro dhe integrimit në rritje në tregun e vetëm. 

Megjithatë, sipas tij, ai proces duhet të thellohet përmes përfshirjes graduale në Semestrin Evropian, në mekanizmat për sundimin e ligjit, në agjencitë dhe programet e Unionit, si dhe përmes bashkëpunimit më të fuqishëm në fushën e politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes.

Murtezani poashtu potencoi se Maqedonia e Veriut paraqitet me besim dhe me përcaktim të qartë se e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian. Gjithashtu u shpreh se procesi i zgjerimit nuk duhet të shihet si zgjerim formal i kufijve, por si përmbyllje e tërësisë evropiane, që e bën Unionin Evropian më të fuqishëm, më stabil dhe më rezistent.

Në këtë kontekst, ai theksoi se rruga evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është pjesë e pandashme e sigurisë dhe besueshmërisë së kontinentit, ndërsa përkushtimi ndaj kritereve të Kopenhagës mbetet garancë më e fuqishme që kjo rrugë do të hapërojë në drejtimin e duhur.

Në një deklaratë gjatë mbërritjes në takim, Murtezani porositi se që nga fillimi i pushtimit rus mbi Ukrainë, Bashkimi Evropian është shumë më i interesuar për procesin e zgjerimit, që veçanërisht duket me integrimin gradual. 

“Ajo që duhet të bëjmë tani është të sigurohemi që përpjekjet që po bëjmë do të japin rezultate sa më shpejt të jetë e mundur. Besoj se deri në vitin 2030 të gjitha vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor mund të jenë anëtare të BE-së”, theksoi Murtezani.

Përveç sesionit mbi zgjerimin e BE-së, takimi përfshiu edhe një sesion kushtuar forcimit të mjeteve të Unionit për sundimin e ligjit, me pjesëmarrjen vetëm të ministrave nga shtetet anëtare. Një drekë pune është planifikuar në fund të takimit, ku do të diskutohen përgatitjet e BE-së për procesin e mëtejshëm të zgjerimit dhe reformat e brendshme të nevojshme në bllok që lidhen me të. fc/

Foto: Ministria për Çështje Evropiane

 

QËNDRONI TË LIDHUR