• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mucunski - O'Brajan: Thellimi i partneritetit strategjik dhe përforcimi i aleancave në kuadër të NATO-s

Mucunski - O'Brajan: Thellimi i partneritetit strategjik dhe përforcimi i aleancave në kuadër të NATO-s

Shkup, 26 shtator 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski realizoi takim me ndihmës sekretarin shtetëror të SHBA-së për çështje evropiane dhe euroaziatike, Xhejms O'Brajan, në margjinat e Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.

Diskutimet u fokusuan në thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë në fushat kyçe siç janë siguria rajonale, zhvillimi ekonomik, sundimi i mirë dhe demokracia, kumtoi MPJTJ.

Ministri Mucunski theksoi përkushtimin e vendit për progres të përshpejtuar në proceset eurointegruese dhe theksoi vlerën e mbështetjes së vazhdueshme të SHBA-së për aspiratat e vendit.

"SHBA është partneri ynë i rëndësishëm strategjik dhe aleati ynë i NATO-s, i cili në vazhdimësi ndihmon zhvillimin tonë demokratik dhe progresin e përgjithshëm. Në kushtet e një konteksti gjeopolitik të ndryshuar punojmë me përkushtim dhe bashkërisht për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Në këtë kontekst, është veçanërisht e rëndësishme që vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur, për çka kemi mbështetjen e parezervë të Amerikës", theksoi Mucunski.

Në takim u rikonfirmua mbështetja për Ukrainën, si dhe angazhimet e përbashkëta për forcimin e aleancës në kuadër të Aleancës së NATO-s, gjë që do të kontribuojë në përmirësimin e mëtejshëm të stabilitetit të përgjithshëm transatlantik. sa/

Foto: MPJTJ

QËNDRONI TË LIDHUR