• e enjte, 20 mars 2025

Mucunski në Zagreb iu falënderua Kroacisë për ndihmën e ofruar, pesë të lënduarit aty në gjendje stabile

Mucunski në Zagreb iu falënderua Kroacisë për ndihmën e ofruar, pesë të lënduarit aty në gjendje stabile

Shkup, 20 mars 2025 (MIA) - Shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski sot arriti në Zagreb, ku gjenden pesë të lënduar nga zjarri në Koçan, ku jetën e kanë humbur 59 persona, ndërsa 176 janë lënduar. Ai iu falënderua Kroacisë që ka pranuar në shërim pesë të lënduar, duke theksuar se në Shkup mes thirrjeve të para me shprehje të ngushëllimeve dhe ndihmë të ofruar, ka ardhur nga Zagrebi.

Pesë pacientët janë dërguar në mjekim në Zagreb - katër në Klinikën për traumatologji, ndërsa një në Klinikën për pediatri, njoftuan mediat kroate.

"Këtu jam si përfaqësues i një vendi që vajton për 59 jetët e humbura”, tha Mucunski para Klinikës për traumatologji në Zagreb, duke shtuar se “nuk ka fjalë adekuate që mund të thuhen në këtë moment”.

Mucunski falënderoi edhe një herë Kroacinë për solidaritetin e sinqertë që shprehu pas tragjedisë të së dielës.

Ministri kroat i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordan Gërliq, në deklaratë para spitalit tha se Kroacia është e tmerruar nga tragjedia në Koçan, se është vështirë të gjesh fjalë ngushëlluese për tragjedinë, por Kroacia mund të tregojë solidaritet, "një nga komponentët më të rëndësishëm të ndihmës - shfaqja e empatisë ndaj fqinjit dhe mikut".

"Pas dy pacientëve të parë, të cilët me djegie tashmë po trajtohen në Zagreb, dje në kryeqytetin kroat janë sjellë edhe tre të lënduar nga tragjedia në Koçan. Të gjithë janë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut", tha dje ministrja kroate e Shëndetësisë, Irena Hërstiq. bsh/

Foto: Hina

 

QËNDRONI TË LIDHUR