• e diel, 22 dhjetor 2024

Mucunski - Borell: Angazhim i fortë ndaj proceseve reformuese për anëtarësim në BE

Mucunski - Borell: Angazhim i fortë ndaj proceseve reformuese për anëtarësim në BE

Bruksel, 12 korrik 2024 (MIA) - Dosja evropiane e vendit, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe dinamika e brendshme politike, ishin temat kryesore të takimit të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë Zhozep Borell në margjinat e Samitit të NATO-s në Uashington.

Siç kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Mucunski apostrofoi përkushtimin tonë të vendosur për realizimin e proceseve reformuese, si dhe vendosmërinë për punë të përkushtuar në drejtim të përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të vendit.

Sipas Mucunskit, vendi mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj procesit të integrimit evropian, veçanërisht në drejtim të përmbushjes së kushteve dhe zbatimit të reformave.

"Megjithatë, ai theksoi nevojën për integrim të përshpejtuar me pjesëmarrje në konfigurime të shumta të Këshillit të BE-së, rritje të ndihmës ose hyrje progresive në politikat dhe përfitimet e rezervuara për vendet anëtare. Në këtë kontekst, është mirëpritur Plani i Rritjes së BE-së dhe përkushtimi ynë ndaj Agjendës së Reformës, e cila është domethënëse për stabilitetin dhe prosperitetin e qytetarëve tanë dhe të vendeve të rajonit", thuhet në kumtesë.

Mucunski theksoi se anëtarësimi ynë në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti më i rëndësishëm i Qeverisë së re.

"Është e nevojshme që vendet e Ballkanit Perëndimor të tregojnë proaktivitet në pjesën e përmbushjes së reformave, ndërsa BE-ja duhet të konfirmojë angazhimet dhe gatishmërinë e saj për të pranuar vende të reja anëtare. Ruajtja e besueshmërisë së procesit të zgjerimit është me rëndësi vendimtare dhe për momentin është i nevojshëm integrimi gradual para anëtarësimit formal në Union", theksoi Mucunski.

Ai dhe Borelli iu referuan edhe integrimeve evropiane në kontekstin rajonal, si dhe shqyrtuan edhe modalitetet për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe BE-së.

Më herët, Borell, në një njoftim në X pas takimit, tregoi se Brukseli dëshiron të shohë përparimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

"Jam i lumtur që u takova me ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski. Maqedonia e Veriut është aleati ynë i fortë. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal duhet të mbeten prioritet për vendin. Ne duam të shohim përparimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE", tha Borell në njoftim. sa/

Foto: MPJTJ

QËNDRONI TË LIDHUR