• e hënë, 23 dhjetor 2024

MSH: Për murin pas Klinikës së Fëmijëve duhet gjetur zgjidhje me Qytetin e Shkupit dhe Komunën Qendër

MSH: Për murin pas Klinikës së Fëmijëve duhet gjetur zgjidhje me Qytetin e Shkupit dhe Komunën Qendër

Shkup, 11 qershor 2024 (MIA) - Nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) sot njoftuan se është e nevojshme të gjindet zgjidhje e përbashkët me Qytetin e Shkupit dhe Komunën Qendër, rreth murit mbrojtës të shembur në Klinikën e Fëmijëve.

Siç sqarojnë nga MSH-ja, muri mbrojtës i rënë pas Klinikës së Sëmundjeve të Fëmijëve është ndërtuar në tokë shtetërore, ndërsa Ministria nuk ka të drejtë të regjistrohet për shfrytëzim të përhershëm të tokës.

"Secili nga objektet në Qendrën Klinike ka të drejtën e shfrytëzimit të objekteve, por nuk i është dhënë e drejta e përhershme për shfrytëzimin e tokës përreth klinikave. Në interes të qytetarëve, është e nevojshme të gjendet një zgjidhje e menjëhershme në përpjekje të përbashkëta me institucionet kompetente, Qytetin e Shkupit dhe Komunën Qendër, të cilat duhet të jenë iniciatorë për zgjidhjen e problemit, për shkak se bëhet fjalë për rrugë, dhe shërbimet kompetente inspektuese duhet të japin mendim për sigurinë aktuale", thuhet në njoftimin e sotëm.

Më herët gjatë ditës së sotme Komuna e Qendrës ka lëshuar një komunikatë, në të cilën ka mohuar ashpër “pretendimet dhe spekulimet se sanimi i murit mbrojtës të Qendrës Klinike dhe rruga "Belgradska" janë përgjegjësi e komunës”.

Qendra për menaxhimin e krizave (QMK) dje apeloi tek institucionet kompetente që të koordinohen dhe të zgjidhin menjëherë problemin me murin mbrojtës.

Drejtori i QMK-së, Stojçe Angellov tha se në rastin më të keq mund të shembet jo vetëm muri, por edhe një pjesë e rrugës ku kalojnë automjetet.

"Mund të vijë deri te një tragjedi më e madhe ku do të përfshihen edhe automjetet. Në rrezik janë jetët e njerëzve, shëndeti, por edhe pasuria e njerëzve, referuar automjeteve të parkuara poshtë murit", sqaroi Angellov. qa/

Foto: Printskrin/ Qendra e menaxhimit të krizave 

QËNDRONI TË LIDHUR