Miteva: Pesë ekipe inspektimi janë aktivisht në terren dhe po kryejnë verifikime në objektet e destinuara për ahengje dhe grumbullime të mëdha
- Pesë ekipe inspektimi janë aktivisht në terren dhe po kryejnë verifikime në objektet e destinuara për ahengje dhe grumbullime të mëdha, siç edhe paralajmëruam, njoftoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva në konferencën e sotme për shtyp.
- Post By Besnik Shuki
- 15:04, 26 mars, 2025

Shkup, 26 mars 2025 (MIA) - Pesë ekipe inspektimi janë aktivisht në terren dhe po kryejnë verifikime në objektet e destinuara për ahengje dhe grumbullime të mëdha, siç edhe paralajmëruam, njoftoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva në konferencën e sotme për shtyp.
"Unë fillimisht, dua t’ju informoj se, nëse deri tani kemi folur për kontrollet e kryera dhe të përfunduara duke prezantuar shifra të detajuara, sot dua të theksoj se, nga aspekti juridik dhe administrativ, i gjithë dokumentacioni i nevojshëm i lidhur me inspektimet e fundit është përpunuar plotësisht. I gjithë procesi është përfunduar në formën e një raporti zyrtar dhe është dorëzuar te institucionet përkatëse. Me këtë, Inspektorati Shtetëror i Tregut e ka përmbyllur zyrtarisht dhe ligjërisht pjesën e parë të procesit në një kohë rekord, duke siguruar efikasitet dhe përputhje me rregulloret", deklaroi Miteva.
Ajo tha se siç edhe u paralajmërua, prej sot pesë ekipe inspektimi janë aktivisht në terren dhe po kryejnë verifikime në objektet e destinuara për ahengje dhe grumbullime të mëdha.
"Këto inspektime janë të fokusuara në verifikimin e përmbushjes së kushteve minimale teknike të kërkuara nga ligji. Në ditët në vijim, presim një raport të ri nga këto kontrolle, i cili do të japë një pasqyrë më të qartë mbi nivelin e përputhshmërisë dhe të gjitha masat korrigjuese që do të duhet të ndërmerren", shtoi Miteva.
Sipas saj, Qeveria aktuale "nuk është këtu për të bërë qasje analitike pa hapa konkretë".
"Ne jemi këtu për të vepruar. Nuk do të lejojmë anarki apo standarde të dyfishta dhe do të vazhdojmë të forcojmë efikasitetin institucional me qëllim që të sigurojmë që rregullat të vlejnë për të gjithë në mënyrë të barabartë. Opinioni meriton siguri, drejtësi dhe institucione që i shërbejnë atij, dhe jo e kundërta. Mbetemi të përkushtuar ndaj këtij misioni dhe do t’ju informojmë rregullisht për rezultatet e përpjekjeve tona, gjetjet dhe aktivitetet e ndërmarra si pjesë e këtij procesi", tha zëdhënësja e Qeverisë. bsh/
Foto: MIA arkiv
Video: Qeveria