• e premte, 22 nëntor 2024

Ministria e Transportit: Kanë ngecur rreth 600 plane urbanistike, me ndryshimet ligjore do ta lehtësojmë ndërtimin e shkollave, kopshteve, spitaleve...

Ministria e Transportit: Kanë ngecur rreth 600 plane urbanistike, me ndryshimet ligjore do ta lehtësojmë ndërtimin e shkollave, kopshteve, spitaleve...

Shkup, 9 gusht 2024 (MIA) - Rreth 600 plane urbanistike kanë ngecur në procedurë me çka është vënë në pikëpyetje miratimi i tyre dhe realizimi i investimeve kapitale, njoftoi sot Ministria e Transportit. Pikërisht ndryshimet e Ligjit për Planifikim Urbanistik, siç informon, propozohen për tejkalimin e situatës së tillë. 

Ndryshimet, bën të ditur Ministria e Transportit, janë vetëm në interes të qytetarëve dhe komunave - për realizim më efikas të projekteve kapitale dhe lëvizje të ekonomisë në tërësi. Do ta lehtësojnë ndërtimin e shkollave, kopshteve, spitaleve, ambulancave dhe garazheve në kate përmes thjeshtësimit të procedurave për miratimin e planeve urbanistike. 

"Për shkak të problemeve të shumta me të cilat ballafaqoheshin qytetarët dhe komunat gjatë realizimit të planeve urbanistike ku interesi publik trajtohej në mënyrë të barabartë me interesin privat dhe shpeshherë mbahej peng i interesave private, me ndryshimet në ligj, për herë të parë në këtë vend, ne kemi vënë në plan të parë interesin publik. Qëllimi kryesor i ndryshimeve është thjeshtimi i procedurave në lidhje me miratimin e planeve urbanistike të destinuara për ndërtimin e objekteve me interes publik, pra për ndërtimin e kopshteve, shkollave, spitaleve dhe objekteve të tjera sociale dhe shëndetësore, si dhe garazhe në kate për të zgjidhur kaosin e trafikut. Me miratimin e këtij ligji do të thjeshtësohet procedura për realizimin e projekteve kapitale në shtet dhe komunat do të mund të realizojnë në tërësi buxhetet e planifikuara zhvillimore, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal", bën të ditur Ministria.

Siç bën të ditur, është e palejueshme që për shkak të mospajes së kornizës adekuate juridike, komunat dhe shteti të mos kenë mundësi t'i realizojnë programet e tyre zhvillimore dhe realizimi i projekteve kapitale të zgjasë me vite, madje edhe me dekada. 

"Në këtë kontekst, theksojmë se rreth 600 plane urbanistike kanë ngecur në procedurë, e cila vë në pikëpyetje miratimin e tyre dhe realizimin e investimeve kapitale. Gjithashtu duam të potencojmë se në mënyrë të gabuar në publik interpretohet dispozita ku thuhet se fshihet mundësia për miratimin e planit urbanistik pa lejen e Ministrisë së Transportit. E vërteta është e kundërta. E drejta 'heshtja është miratim' është shfuqizuar dhe çdo gjë që është jashtë ligjit i nënshtrohet dënimeve më të larta për keqpërdorim të detyrës zyrtare", thekson Ministria.

Shtojnë edhe se për shkak të disa shembujve të konfirmuar jashtë ligjit në disa komuna, qëllimi i zgjidhjes së propozuar ligjore është pikërisht fuqizimi i rolit të Ministrisë si mekanizëm kontrollues në proces dhe të vendoset rend, ndërsa ligjet të vlejnë njëjtë për të gjithë qytetarët.

"Me ndryshimet është e pamundur të miratohet plan pa leje të Ministrisë së Transportit, gjithashtu Ministria mund ta kthejë në përpunim çdo plan derisa është e nevojshme në çdo fazë të procedurës. Kështu parandalohen veprimet jashtë ligjit", potencoi Ministria. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s 
 

QËNDRONI TË LIDHUR