• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ministria e Shëndetësisë i kushton vëmendje të veçantë parandalimit të tuberkulozit në vend

Ministria e Shëndetësisë i kushton vëmendje të veçantë parandalimit të tuberkulozit në vend

Shkup, 25 mars 2024 (MIA) - Me rastin e shënimit të Ditës Botërore kundër Tuberkulozit - 24 Marsit, sot u mbajt konferencë e përbashkët për shtyp nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti për Sëmundjet e Mushkërive dhe Tuberkulozi dhe Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vend, në të cilën u theksuan situata, angazhimet, masat dhe sfidat në luftën kundër kësaj sëmundjeje.

"Ministria e Shëndetësisë i kushton fokus të veçantë kësaj teme dhe për këtë, çdo vit hartohet Program i cili përmban masa dhe aktivitete për parandalimin e tuberkulozit në vend. Si specialist-infektolog, por edhe si ministër i shëndetësisë i vetëdijshëm për rëndësinë e luftës kundër tuberkulozit, besoj se do të kontribuojmë në krijimin e kushteve për të qenë pjesë e gjeneratës që do të shkruajë kapitullin e fundit të tuberkulozit, theksoi Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri.

Tuberkulozi, ndonëse i shërueshëm, është ende një problem shëndetësor global, që vazhdon të jetë shkaku numër një i vdekjeve nga një agjent infektiv. Çdokush mund të sëmuret nga tuberkulozi dhe është i pranishëm në të gjitha vendet dhe grupmoshat. 

Drejtori i Institutit për Sëmundjet e Mushkërive dhe Tuberkulozit, Dr.Sead Zeinel, informoi se vendi ynë ka pasur një rënie të vazhdueshme të rasteve të reja me tuberkuloz në 15 vitet e fundit, p.sh. në vitin 2019 janë zbuluar 199 raste të reja, ndërsa në vitin 2023 u regjistruan 160 të sapo sëmurë. Megjithatë, numri total i rasteve të reja për vitin 2023 është pak më i lartë se tre vitet e pandemisë së Kovid (2020-2022), që do të thotë se hendeku midis rasteve të raportuara dhe numrit real po ngushtohet dhe ky është qëllimi ynë kryesor i përpjekjeve në luftën kundër tuberkulozit. 

Ai theksoi se pavarësisht nga karakteristikat socio-demografike, çdokush mund të sëmuret nga tuberkulozi. Megjithatë, grupe të caktuara janë në rrezik të shtuar, siç janë: personat që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me një pacient me tuberkuloz, personat që jetojnë me HIV në grupe të mbyllura, pacientët në terapi imunosupresive, pacientët me sëmundje malinje. Edhe pse përpjekjet globale për të luftuar tuberkulozin kanë ndihmuar në shpëtimin e rreth 75 milionë jetëve njerëzore që nga viti 2000, pandemia e Kovid-it dhe konfliktet që janë shfaqur në mbarë botën kanë kontribuar ndjeshëm në ngadalësimin e progresit të arritur. 

"Trajtimi i pabarazive shëndetësore është imperativ. Ne duhet të trajtojmë barrierat me të cilat përballen popullatat e margjinalizuara dhe të rrezikuara në aksesin e kujdesit shëndetësor për TB. Nevojitet veprim në nivel kombëtar, rajonal dhe global për tejkalimin e pabarazive dhe diskriminimit, duke ofruar mbështetje për të gjithë individët që kanë nevojë për kujdes, theksoi në konferencën e sotme për shtyp Pia Vraçko, këshilltare e OBSH-së për politikat shëndetësore. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR