Ministria e Kulturës dhe Turizmit: Pagesa e pagave është në vijim dhe do të përfundojë sot, dialogu me Sindikatën duhet të vazhdojë
- – Ministria e Kulturës dhe Turizmit kumtoi sot se pagesa e pagave për të punësuarit në institucionet nga sfera e kulturës në koordinim me Ministrinë e Financave është në vijim dhe do të përfundojë sot. Nga atje potencojnë se një pjesë e institucioneve tashmë e morën pagën e tyre, ndërsa paralajmëruan edhe se do të dërgojnë ftesë për takim zyrtar me përfaqësuesit e Sindikatës.
- Post By Fitore Curri
- 14:39, 24 prill, 2025

Shkup, 24 prill 2025 (MIA) – Ministria e Kulturës dhe Turizmit kumtoi sot se pagesa e pagave për të punësuarit në institucionet nga sfera e kulturës në koordinim me Ministrinë e Financave është në vijim dhe do të përfundojë sot. Nga atje potencojnë se një pjesë e institucioneve tashmë e morën pagën e tyre, ndërsa paralajmëruan edhe se do të dërgojnë ftesë për takim zyrtar me përfaqësuesit e Sindikatës.
“Ministria e Kulturës dhe Turizmit është plotësisht e angazhuar për zgjidhjen e problematikave që lidhen me pagesën e pagave për sektorin e kulturës. Vazhdon pagesa e pagave për punonjësit në institucionet e kulturës në koordinim me Ministrinë e Financave dhe do të përfundojë sot. Në të njëjtën kohë konfirmojmë qëndrimin se dialogu social me Sindikatat duhet të vazhdojë”, thonë nga Ministria.
Siç potencojnë nga Ministria, do të dërgojnë ftesë për takim zyrtar me përfaqësuesit e Sindikatës, me qëllim që të shqyrtohen të gjitha çështjet e hapura, në frymën e respektit dhe partneritetit të ndërsjellë.
"Dialogu duhet të vazhdojë, sepse vetëm kështu mund të gjejmë zgjidhje afatgjata për stabilitetin e institucioneve kulturore dhe dinjitetin e punonjësve të kulturës. Jemi të përkushtuar që të arrijmë rezultate të qëndrueshme dhe kjo do të ndodhë vetëm me dialog aktiv dhe përgjegjësi të përbashkët", njoftuan nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Kryeministri Hristian Mickoski sot duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve, theksoi se po bëhet pagesa e pagave në kulturë, sipas Marrëveshjes Kolektive.
“Marrëveshja Kolektive në kulturë është nënshkruar nga një ministër i cili nuk ka marrë pëlqimin nga Ministria e Financave. Por përkundër kësaj, ne i kemi paguar pagat me rritje, në përputhje me Marrëveshjen Kolektive, e cila ka skaduar. Jemi në linjë me ministrin e Kulturës dhe Turizmit dhe jemi gati të ulemi me përfaqësuesit e sindikatave për të negociuar një të re, në të cilën kultura do të fitojë shkëlqimin e saj të vërtetë kulturor. Ata duhet të jenë përfaqësues të punëtorëve të kulturës dhe jo përfaqësues të jokulturës. Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë me gjithë rrezikun politik, sepse për ne është e rëndësishme kultura”, tha Mickoski.
Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, nga foltorja e Kuvendit theksoi se Ministria e Financave seriozisht iu qas zgjidhjes së problemit me pagesën e pagave të punonjësve të kulturës. Siç tha, deri në fund të ditës do të paguhen të gjitha institucionet kulturore, të gjithë të punësuarit do të marrin pagën adekuate.
“Janë paguar rreth 87 milionë denarë, deri në fund të ditës do të paguhen të gjitha institucionet kulturore, të gjithë të punësuarit do të marrin pagën përkatëse. Ky problem është përsëritur prej disa vitesh. Ku ishit ju si ministër në atë moment për të thënë se cili ishte problem”i, tha zëvendësministri i Financave.
Për shkak të vonesës me pagesën për muajin mars, Sindikata e Kulturës (SKRM) paraprakisht mbajti këshill protestues para Ministrisë së Kulturës. Mes tjerash, në këshill përfaqësuesit e Sindikatës kërkuan kushte dinjitoze për punë, respektim të marrëveshjes kolektive, transparencë dhe menaxhim profesional me institucionet kulturore, strategji për zhvillim të kulturës, si dhe Ligj për kulturë me pjesëmarrje të punonjësve të kulturës në përgatitjen e tij.
Mbështetje për SKRM-në dhe të punësuarit në kulturë dhanë edhe nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Kryetari SASHK Jakim Nedellkov e thirri në takim ministrin e këtij dikasteri Zoran Lutkov, në të kundërtën, siç tha, në mbledhje të Këshillit do të vendosë për hapat e ardhshëm dhe se nuk përjashtohet edhe vendimi për grevë për shkak të vonesës së pagës dhe mosrespektimit të ligjit dhe të marrëveshjeve kolektive. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s