• e mërkurë, 18 shkurt 2026

Ministri Sali në takim ministror për zbatimin e Mekanizmit për Rregullimin e Karbonit në Kufij

Ministri Sali në takim ministror për zbatimin e Mekanizmit për Rregullimin e Karbonit në Kufij

Shkup, 13 shkurt 2026 (MIA) - Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë onlajn në takimin ministror kushtuar Mekanizmit për Rregullimin e Karbonit në Kufij (CBAM), të organizuar nga Komisioni Evropian me qëllim që të informohen vendet e Ballkanit Perëndimor për këtë mekanizëm që hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti.

 Sali, siç bëri të ditur Ministria për Çështje Evropiane, e theksoi   përkushtimin e shtetit tonë ndaj objektivave evropiane për dekarbonizim dhe përafrim me legjislacionin klimatik dhe energjetik të BE-së, duke shtuar se Qeveria në janar të këtoj viti e miratoi projekt-ligjin për Veprim Klimatik, i cili vendos bazën ligjore për sistemin e monitorimit, raportimit, verifikimit dhe akreditimit të emetimeve, si hap kyç drejt vendosjes së çmimit të karbonit.

Ministri Sali theksoi se vendi po punon aktivisht edhe për integrimin e tregut të energjisë elektrike me sistemin evropian, si pjesë e integrimit gradual në tregun e përbashkët evropian të energjisë. 

"Sa i përket CBAM-it, ai theksoi se Maqedonia e Veriut i mbështet objektivat e mekanizmit, por është e nevojshme të merren parasysh veçoritë specifike të vendeve kandidate dhe palëve të Komunitetit të Energjisë, veçanërisht për shkak të ekspozimit ndaj dallimeve të çmimeve dhe sfidave teknike në tregtinë ndërkufitare të energjisë", informon Ministria për Çështje Evropiane. 

 Sali bëri thirrje për një zbatim të kujdesshëm dhe gradual, përfshirë zgjatjen e periudhës tranzitore, me qëllim shmangien e efekteve negative në tregjet rajonale dhe mbështetjen e integrimit të burimeve të rinovueshme të energjisë. 

Foto: Ministria për Çështje Evropiane 

 

QËNDRONI TË LIDHUR