Ministri Aliu për vizitë në pikën e vaksinimit në Gostivar dhe ambulancën e re në Radushë
- – Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu sot do t’i vizitojë pikën e vaksinimit në Repartin e Epidemiologjisë në Qendrën e Shëndetit Publik në Gostivar, ndërsa pastaj edhe ambulancën e rinovuar në fshatin Radushë të Shkupit.
- Post By Fitore Curri
- 07:36, 17 tetor, 2025
Shkup, 17 tetor 2025 (MIA) – Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu sot do t’i vizitojë pikën e vaksinimit në Repartin e Epidemiologjisë në Qendrën e Shëndetit Publik në Gostivar, ndërsa pastaj edhe ambulancën e rinovuar në fshatin Radushë të Shkupit.
Vaksinimi kundër gripit sezonal filloi dje, ndërsa zbatohet në gjithsej 35 pika vaksinimi në shtet, prej të cilave pesë pika janë në Shkup.
Ministria e Shëndetësisë informon se tashmë janë regjistruar 43.000 qytetarë në aplikacionin vakcinacija.mk, ndërsa mundësia për regjistrim vazhdon.
“Ministria këtë vit është furnizuar historikisht me numër më të madh vaksinash kundër gripit sezonal - 80.000 doza të vaksinës katërvalente nga prodhuesi me renome ‘Abot’ nga Holanda. Vaksinimi është masa më e mirë parandaluese për mbrojtje të shëndetit dhe pres që numri i personave të regjistruar për vaksinim të rritet edhe në ditët në vazhdim”, porositi dje ministri Aliu.
Me vaksinim falas janë përfshirë kategoritë e rrezikuara të popullsisë: personat më të moshuar se 65 vjet, persona me sëmundje kronike, punonjës shëndetësorë, gra shtatzëna, fëmijë të moshës prej 6 muaj deri 5 vjet, si dhe personat e akomoduar në institucione për mbrojtje sociale të personave të moshuar dhe të punësuarit në këto institucione.
Ministria e Shëndetësisë informon se Qendrat e Shëndetit Publik në shtet siguruan 2.400 vaksina komerciale. Prej tyre 1.000 doza ka në Qendrën e Shëndetit Publik – Shkup. Marrja e vaksinës komerciale do të kushtojë 700 denarë. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s