Minçev u takua me ministren e Administratës Publike dhe Antikorrupsion të Shqipërisë, Adea Pirdeni
- Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev ka realizuar takim dypalësh me ministren e Administratës Publike dhe Antikorrupsion të Republikës së Shqipërisë, Adea Pirdeni në Tiranë.
- Post By Qefsere Abduli
- 10:51, 15 nëntor, 2024
Shkup, 15 nëntor 2024
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev ka realizuar takim dypalësh me ministren e Administratës Publike dhe Antikorrupsion të Republikës së Shqipërisë, Adea Pirdeni në Tiranë.
Takimi u mbajt në kuadër të aktivitetit kushtuar Partneritetit për qeverisje të hapur, një nismë që promovon transparencën, llogaridhënien dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në sektorin publik.
Ministri Minçev dhe ministrja Pirdeni shkëmbyen përvoja dhe të arritura mbi reformat aktuale në administratën publike, duke theksuar rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve dhe përgjegjësinë e institucioneve në drejtim të përmirësimit të shërbimeve publike dhe vendosjes së mekanizmave të fuqishëm për parandalimin e korrupsionit. Kjo ishte gjithashtu një mundësi për të diskutuar iniciativat për inkurajimin e transparencës dhe forcimin e përfshirjes së qytetarëve dhe organizatave joqeveritare në krijimin e politikave publike.
Ministri Minçev shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e suksesshëm me Shqipërinë dhe theksoi se Republika e Maqedonisë dhe Shqipëria ndajnë vizion të përbashkët për një administratë publike më efikase dhe transparente të fokusuar në llogaridhënie dhe menaxhim efikas të burimeve. Ai theksoi rëndësinë e partneritetit për qeverisje të hapur në ndërtimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve.
Ministrja Pirdeni, nga ana e saj, përshëndeti partneritetin me Republikën e Maqedonisë, duke theksuar nevojën për punë të përbashkët dhe shkëmbim të praktikave të mira, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Ajo shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë përmes projekteve dhe nismave të përbashkëta të cilat do të kontribuojnë në krijimin e një administrate publike më efikase dhe transparente.
Ky takim dypalësh konfirmon përkushtimin e të dyja vendeve për qeverisje të hapur dhe të përgjegjshme, ndërsa përpjekjet e përbashkëta do të kontribuojnë në zhvillimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe demokratike.
Kabineti i ministrit të Administratës Publike