• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mijëra të vdekur në Libi pas shembjes së dy digave nga stuhia

Mijëra të vdekur në Libi pas shembjes së dy digave nga stuhia

Tripoli, 12 shtator 2023 (MIA) - Më shumë se dy mijë njerëz vdiqën, dhe rreth gjashtë mijë janë të zhdukur në Derna të Libisë, ku dy diga u shembën nën presionin e përmbytjeve të shkaktuara nga stuhia "Daniel", raporton Si-En-En.

"Si pasojë janë shembur tre ura. Uji i rrjedhshëm mori lagje të tëra", tha Ahmed Misamari, zëdhënës i Ushtrisë Kombëtare Libiane.

Kreu i shërbimeve libiane për gjendje të jashtëzakonshme, Osama Ali, tha për Si-En-En se pas shembjes së digës, "i gjithë uji shkoi në zonën pranë Dernas, e cila është një zonë bregdetare malore".

Ai shtoi se shtëpitë në lugina u rrënuan nga rrëshqitjet e forta të baltës që bartnin automjete dhe mbeturina. Linjat telefonike në qytet janë gjithashtu të ndërprera, duke ndërlikuar përpjekjet e shpëtimit, tha Ali, ndërsa punëtorët nuk kanë qenë në gjendje të hyjnë në Derna për shkak të shkatërrimit masiv. Ali tha se autoritetet nuk i kishin parashikuar përmasat e katastrofës.

Kreu i qeverisë lindore libiane të mbështetur nga parlamenti i Libisë, Osama Hamad, e përshkroi situatën si "katastrofike dhe të paprecedentë". sa/

foto: Printskrin/Tuiter

QËNDRONI TË LIDHUR