Mickoski: Sipas FMN-së, në Evropë jemi ndër tre shtetet e para që kanë zbatuar më shumë masa për ballafaqimin me goditjet e çmimeve
- Në periudhën që po kalojmë, pjesën më të madhe të aktiviteteve ia kushtojmë tejkalimit të krizës së çmimeve të karburanteve, që është një input i rëndësishëm dhe ka ndikim mbi çmimet e produkteve të rëndësishme për qytetarët, theksohet në kumtesën e Qeverisë, të cilën MIA e transmeton integrale.
- Post By Melahat Baftija
- 17:26, 19 prill, 2026
Shkup, 19 prill 2026
Në periudhën që po kalojmë, pjesën më të madhe të aktiviteteve ia kushtojmë tejkalimit të krizës së çmimeve të karburanteve, që është një input i rëndësishëm dhe ka ndikim mbi çmimet e produkteve të rëndësishme për qytetarët, theksohet në kumtesën e Qeverisë, të cilën MIA e transmeton integrale.
Ndodhemi në një periudhë pasigurie të theksuar globale. Goditjet e çmimeve të energjisë nuk janë rezultat i politikave të brendshme, por pasojë e zhvillimeve gjeopolitike, veçanërisht krizave në Lindjen e Mesme dhe çrregullimeve në tregjet botërore. Në kushte të tilla, përgjegjësia e çdo qeverie është të reagojë në kohë dhe të amortizojë pasojat për qytetarët dhe ekonominë.
Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se politikat tona nuk janë të izoluara, por janë plotësisht në linjë me trendet botërore.
Sipas analizave të fundit në nivel evropian, sipas FMN-së, në Evropë jemi ndër tre shtetet e para që kanë ndryshuar më shumë gjëra dhe kanë zbatuar më së shumti masa për ballafaqimin me goditjet e çmimeve.
Dhe pikërisht këtë mund ta shohim këtu në slajdin, ju kujtohet se në periudhën e kaluar LSD dhe partnerët e tjerë të koalicionit në qeverinë e mëparshme, siç është BDI, thoshin se vonojmë me masat, se ato nuk ishin të mjaftueshme etj., por sipas të dhënave të FMN-së të publikuara më 15 prill, pra para katër ditësh, mund të vëreni se ne si shtet jemi në vendin e tretë sipas masave që kemi zbatuar si përqindje e BPV-së në Evropë. Gënjyen për migrantët, gënjyen se do të falimentonim, gënjyen se nuk do të kishte para për pensione, e çfarë tjetër nuk gënjyen, kështu që gënjyen edhe për masat që zbatuam dhe e pritëm të përgatitur krizën energjetike, e cila, e përsëris, nuk varet nga ne, por nga zhvillimet gjeopolitike botërore. Nga slide-i mund të shihni se praktikisht si shtet jemi në vendin e tretë dhe kjo është diçka që në të kaluarën për qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së dukej e pamundur.
Efektet e këtyre politikave sot janë qartë të dukshme.
Kur ka korrigjim çmimesh në bursat botërore, edhe ne si qeveri reagojmë përmes TVSH-së dhe akcizës. Të tilla ishin edhe vendimet e djeshme të qeverisë.
Dhe sipas llogaritjeve tona, presim që Komisioni Rregullator për Energjetikë nesër të marrë një vendim me të cilin do të bëhet ulje shtesë e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht rreth 1,5 denarë për litër. Njëkohësisht, mbetet në fuqi masa që kemi rënë dakord tashmë me OKTA-n, që deri në fund të muajit prill të kemi ulje të çmimit të benzinës prej 2 denarë për litër, ndërsa për naftën 3 denarë për litër. Me këtë, sërish mund të konkludojmë se jemi shtet që ka çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon. Në slide-in tjetër mund të shihni cilat janë çmimet e karburanteve në rajon. Në Maqedoni ato lëvizin nga 1.27 deri në 1.31 euro për litër. Në Greqinë fqinje është 2.06, në Shqipëri 2.07, në Serbi 1.63, Kosovë 1.42, Bullgari 1.47, Mali i Zi 1.55, Bosnjë 1.50, Kroacia nga 1.66 deri në 1.88 dhe Sllovenia 1.62. Bindshëm çmimet më të lira. Dhe ajo që po dëgjoj këto ditë, e gjithashtu pata mundësi të dëgjoj shkurt një intervistë nga ish-kryeministri, zoti Kovaçevski, se edhe atëherë kur ishte kriza në vitin 2022 kemi pasur çmimet më të ulëta në rajon, kjo është gënjeshtër, nuk është e vërtetë, çmimet nuk ishin të tilla në vitin 2022 dhe do t’ju kujtoj se atëherë inflacioni ishte me përqindje dyshifrore në nivel mujor, ndërsa tani është 4.9 për shkak se vitin e kaluar në të njëjtin muaj kishim masa, kështu që baza e krahasimit është mjaft e ulët dhe ato masa zgjatën edhe këtë muaj sepse vitin e kaluar Pashkët ishin më 21 prill. Ju kujtohet që kishim shportë të Ramazanit dhe të Pashkëve, kështu që pres që nga muaji maj gjërat të kthehen në nivelin që presim.
Ky është sukses, sepse përveç çmimit hyrës të karburantit që varet nga çmimet në bursa, pra nga çmimi i plasit, për ne referencë është Italia, varet edhe nga politikat e brendshme dhe masat që ndërmerren.
Është e qartë se masat që po ndërmerr kjo qeveri janë krejtësisht të ndryshme dhe ato japin këtë rezultat, sipas FMN-së të jemi vendi i tretë për nga vëllimi i masave të zbatuara për të amortizuar krizën energjetike dhe të jemi shtet me çmimet më të ulëta të benzinës dhe naftës në rajon, në përputhje me masat që kemi ndërmarrë.
Dua të theksoj se kjo nuk është politikë afatshkurte, por pjesë e një qasjeje më të gjerë, do të thosha holistike, të qeverisë për stabilizimin e ekonomisë në kushte krize. Paralelisht me këto masa, punojmë edhe për forcimin e ekonomisë vendore, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e kushteve për rritje afatgjate.
Do të vazhdojmë ta ndjekim me kujdes situatën dhe të reagojmë në mënyrë të përshtatshme. Qasja jonë mbetet e njëjtë, pa eufori, por me strategji të qartë, me fakte dhe me rezultate.
Sepse në fund, detyrimi ynë është një, të sigurojmë stabilitet, siguri dhe një jetë më të mirë për qytetarët.
Qeveria
Foto: MIA