Mickoski: Maqedonia ndër tri shtetet evropiane me masat më voluminoze kundrejt goditjeve të çmimeve, pritet ulje e re e çmimeve të karburanteve
- Maqedonia renditet ndër tre shtetet evropiane që kanë ndërmarrë masat më voluminoze për zbutjen e efekteve të goditjeve të çmimeve, ndërsa nga nesër pritet një ulje e re e çmimeve të benzinës dhe të naftës për një denar e gjysmë, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
- Post By Melahat Baftija
- 14:55, 19 prill, 2026
Shkup, 19 prill 2026 (MIA) – Maqedonia renditet ndër tre shtetet evropiane që kanë ndërmarrë masat më voluminoze për zbutjen e efekteve të goditjeve të çmimeve, ndërsa nga nesër pritet një ulje e re e çmimeve të benzinës dhe të naftës për një denar e gjysmë, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
Siç deklaroi Mickoski në një konferencë për shtyp, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuara më 15 prill, shteti renditet në vendin e tretë në Evropë për nga shtrirja e masave të ndërmarra, si përqindje e prodhimit të brendshëm bruto, të orientuara drejt amortizimit të pasojave të krizës energjetike, pavarësisht, siç tha ai, pretendimeve të qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së se masat ose kishin ardhur me vonesë, ose nuk kishin qenë të nevojshme.
"Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se politikat tona nuk janë të izoluara, por janë plotësisht në përputhje me trendet botërore. Bazuar në analizat e fundit në nivel evropian, sipas FMN-së, në Evropë jemi ndër tre shtetet e para që kanë ndryshuar më së shumti gjëra dhe kanë zbatuar më së shumti masa për përballimin e goditjeve të çmimeve. Dhe pikërisht këtë mund ta shohim këtu në këtë slajd. Ju kujtohet se gjatë periudhës së kaluar LSDM-ja dhe partnerët e tjerë të koalicionit në qeverinë e mëparshme, siç është BDI-ja, thonin se jemi duke u vonuar me masat, se ato masa nuk ishin të mjaftueshme e të tjera. Por, sipas të dhënave nga FMN, të publikuara më 15 prill, pra para katër ditësh, mund të vëreni se ne, si shtet, jemi në vendin e tretë për nga masat që kemi zbatuar si përqindje e PBB-së në Evropë. Gënjyen për migrantët, gënjyen se do të falimentonim, gënjyen se nuk do të kishte mjete për pensione, e kush e di edhe çfarë tjetër gënjyen; kështu gënjyen edhe për masat që i zbatuam dhe të përgatitur e pritëm krizën energjetike, e cila, po e përsëris, nuk varet nga ne, por nga zhvillimet gjeopolitike dhe botërore. Nga slajdi mund të shihni gjithashtu se praktikisht, si shtet, jemi në vendin e tretë, dhe kjo është diçka që në të kaluarën, për qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së, paraqiste diçka të pamundur. Efektet e këtyre politikave sot janë qartësisht të dukshme", tha Mickoski.
Kryeministri theksoi se kriza energjetike është shkaktuar nga zhvillimet globale gjeopolitike dhe se nuk është rezultat i politikave të brendshme, duke shtuar se efektet e masave qeveritare sot janë qartësisht të dukshme, veçanërisht në kushtet e korrigjimit të çmimeve në bursat botërore.
Ai nënvizoi se vendi po përballet me një periudhë të theksuar pasigurie globale dhe se goditjet e çmimeve të energjisë nuk janë rezultat i politikave të brendshme, por i rrethanave gjeopolitike, veçanërisht i krizave në Lindjen e Mesme dhe i turbulencave në tregjet botërore. Në kushte të tilla, theksoi ai, obligim i Qeverisë është të reagojë me kohë dhe t’i mbrojë qytetarët dhe ekonominë.
Mickoski informoi se Komisioni Rregullator për Energjetikë pritet që nesër të marrë një vendim me të cilin çmimet e benzinës dhe të naftës do të ulen për rreth një denar e gjysmë. Në fuqi mbetet edhe masa e dakorduar me kompaninë OKTA, sipas së cilës deri në fund të prillit benzina do të ketë zbritje.
"Njëkohësisht, në fuqi mbetet masa që më herët e dakorduam me OKTA-n, sipas së cilës deri në fund të prillit benzina do të ketë ulje prej dy denarësh për litër, ndërsa nafta prej tre denarësh për litër. Me këtë, sërish mund të konstatohet se jemi shteti me çmimet më të ulëta të karburanteve", theksoi Mickoski.

Sipas kryeministrit, me këto masa, Maqedonia është shteti me çmimet bindshëm më të ulëta të karburanteve në rajon dhe ndër më të ulëtat në Evropë. Ai theksoi se çmimi i benzinës 95 oktanëshe në vend sillet ndërmjet 1,27 dhe 1,31 euro për litër. Për krahasim, ai vuri në dukje se në Greqi dhe në Shqipëri ky çmim është mbi dy euro, ndërsa çmime më të larta ka edhe në Serbi, Bullgari, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni.
"Çmime bindshëm më të lira. Dhe ajo që po dëgjoj ditët e fundit, e po ashtu pata mundësi të dëgjoj shkurtimisht edhe një intervistë të dhënë nga ish-kryetari i Qeverisë, zoti Kovaçevski, se edhe atëherë kur ishte kriza e vitit 2022, kemi pasur çmimet më të ulëta në rajon, që është gënjeshtër, nuk është e vërtetë, çmimet atëherë në vitin 2022 nuk kanë qenë të tilla, dhe do t’ju kujtoj se atëherë inflacioni ishte me përqindje dyshifrore në nivel mujor; tani është 4,9, për shkak se vitin e kaluar në të njëjtin muaj kishim masa, kështu që baza me të cilën bëhet krahasimi është mjaft e ulët, dhe ato masa zgjatën edhe këtë muaj, sepse vitin e kaluar Pashkët ishin më 21 prill. Ju kujtohet se kishim shportën e Ramazanit dhe të Pashkëve, kështu që pres që tashmë prej muajit maj gjërat të vijnë në nivelin që ne e presim", theksoi ai.
Kryeministri vlerësoi se efektet e politikave qeveritare tashmë janë të dukshme dhe se, përveç ndërhyrjeve te TVSH-ja dhe akcizat, Qeveria ka një qasje afatgjate dhe gjithëpërfshirëse për stabilizimin e ekonomisë. Kjo qasje, siç tha ai, përfshin edhe masa për forcimin e ekonomisë vendore, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e kushteve për rritje të qëndrueshme.
"Dua të theksoj se kjo nuk është politikë afatshkurtër, por pjesë e një qasjeje më të gjerë, do të thosha holistike, të Qeverisë për stabilizimin e ekonomisë në kushte krize. Paralelisht me këto masa, po punojmë edhe për forcimin e ekonomisë vendore, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e kushteve për rritje afatgjatë. Do të vazhdojmë ta ndjekim me kujdes gjendjen dhe të reagojmë. Qasja jonë mbetet e njëjtë, pa eufori, por me strategji të qartë, fakte dhe rezultate. Kemi një obligim parësor, të sigurojmë stabilitet, siguri dhe standard më të mirë jetese për qytetarët", porositi Mickoski.
Në përgjigje të një pyetjeje gazetareske, kryeministri sqaroi se vendimi për ndryshimet te akcizat dhe tatimi mbi vlerën e shtuar është marrë pas përfundimit të paketës së parë të masave, e cila vlente gjatë dy muajve të parë të krizës energjetike.
Siç tha Mickoski, gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë ka përfunduar vala e parë ndërhyrëse e masave, me të cilat ishin ulur akcizat dhe TVSH-ja për karburantet. Në këtë kontekst, te nafta, TVSH-ja është kthyer sërish në 18 për qind, në vend të 10 për qind sa ishte më parë, sepse, siç sqaroi ai, gjatë periudhës së kaluar nafta kishte shënuar rritje më të madhe të çmimit në krahasim me benzinat.
"Sa i përket tatimit mbi vlerën e shtuar te nafta, implementuam që TVSH-ja të jetë 18 për qind, e jo 10 për qind, pra të rikthehet ku ishte, sepse përfundoi periudha e kësaj mase. Duke pasur parasysh lëvizjen e çmimit të naftës në Platts, konkluduam se me rikthimin e tatimit në 18 për qind, sërish do të kemi ulje të çmimit të naftës, duke marrë parasysh mesataren e javës së kaluar", sqaroi Mickoski.
Sa u përket benzinave, Qeveria ka vendosur ta mbajë TVSH-në e ulur prej 10 për qind edhe gjatë kësaj jave dhe dy javëve në vijim, me qëllim që të parandalohet shtrenjtimi shtesë dhe të ruhen stabile çmimet e këtij energjenti.
Foto: prtintskrin