• e premte, 05 dhjetor 2025

Mickoski pas takimit me Koshtën: Le ta zhbllokojmë bashkë me dinjitet procesin e integrimit evropian, ai bazohet në vlera, jo në çështje dypalëshe

Mickoski pas takimit me Koshtën: Le ta zhbllokojmë bashkë me dinjitet procesin e integrimit evropian, ai bazohet në vlera, jo në çështje dypalëshe

Shkup, 15 maj 2025 (MIA) - Shpresoj që në periudhën në vijim, së bashku ta zhbllokojmë këtë proces, me dinjitet, sepse një nga vlerat thelbësore evropiane është pikërisht dinjiteti. Kryetari Koshta tha se rruga drejt anëtarësimit të plotë në BE është frustruese, e vështirë dhe sfiduese, por ne si popull mund të themi se kemi ecur në rrugën më të vështirë për vite me radhë. Fakt është se edhe kombe të tjera që tani janë pjesë e familjes evropiane e kanë ecur atë rrugë, por qytetarët e këtij vendi, një nga vendet më të pakta në zemër të Ballkanit dhe në Evropë, kanë ecur dhe po ecin rrugën më të vështirë, nëse mund të themi se po ecin, sepse jemi në të njëjtin vend ku ishim 20 vjet më parë, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në konferencë të përbashkët për media me kryetarin e Këshillit të BE-së Antonio Koshta.

Mickoski theksoi se përkushtimi ynë në procesin e integrimeve evropiane do të mbetet dhe do të fuqizohet në periudhën që do të vijojë, sepse, theksoi, besojmë se e ardhmja e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut është në kuadër të familjes evropiane, duke theksuar se procesi i integrimeve evropiane bazohet në vlera, jo në çështje dypalëshe. 

“Në këtë etapë të re, kur qytetarët ia besuan përgjegjësinë qeverisë së re maqedonase, detyra ime si kryeministër është të flas hapur, sinqerisht dhe me dinjitet. E bëj këtë para së gjithash sepse kam detyrë ndaj popullit, por edhe ndaj vetë idesë evropiane, të cilën përpiqemi ta realizojmë me aq këmbëngulje. Dhe me dinjitet do të bëhemi pjesë e familjes evropiane. Jam i bindur se kemi vlera, kemi kapacitete, kemi njohuri dhe dimë si ta ndjekim atë rrugë në mënyrën më të shpejtë, ndërsa me ndihmën që personalisht jep kryetari Koshta dhe me mbështetjen dhe ndihmën që kemi nga Komisioni Evropian dhe nga vendet anëtare, jam i sigurt se do të bëjmë reforma cilësore dhe reforma që do të sigurojnë një të ardhme evropiane për shtetin tonë dhe për qytetarët tanë”, theksoi Mickoski.
 
Në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve nëse do të realizohen bisedime me palën bullgare, Mickoski tha se është i gatshëm që në çdo kohë të bisedojë për zgjidhjen e problemit. 

“Sa i përket bisedimeve me fqinjin tonë lindor, do t'ju kujtoj se presidentja ka pasur tashmë disa takime në nivel presidencial me kolegun e saj nga Bullgaria. Pra, nuk është vetëm takimi në nivel ministror, ​​dhe unë jam i gatshëm në çdo kohë, dhe ia përcolla këtë gatishmëri kryetarit Koshta për të ardhur në Bruksel, qoftë në praninë e tij, në praninë e kryetares Fon der Lajen, për t'u ulur dhe për të biseduar kurdoherë dhe për sa kohë që të duhet për të arritur një zgjidhje të përbashkët që të dyja palët mund ta ofrojnë”, tha Mickoski.

Kryeministri përkujtoi se Koshta e ka transmetuar atë që është qëndrim i BE-së, përderisa Qeveria e ka transmetuar qëndrimin tashmë të njohur, gjegjësisht nuk mund të ndryshojmë Kushtetutën, pa parë rezultate nga ana tjetër. 

“Zotëri Koshta përcolli qëndrimin e BE-së. Propozimi i vitit 2022, i nënshkruar dhe i pranuar nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së, pezulloi Parlamentin sepse kërkohet një shumicë prej dy të tretash për të ndryshuar Kushtetutën. Dhe e dini se si u pranua ajo që u pranua. Qëndrimi ynë është i qartë dhe parimor. Nuk mund ta pranojmë këtë pa parë vullnet të mirë nga vendi fqinj. Ne nuk mund ta ndryshojmë Kushtetutën disa herë pa pasur një porosit dhe një ofrim të qartë nga pala tjetër, që është pala bullgare. Askush këtu nuk ka problem të përfshijë, le të themi, kroatët, malazezët, sllovenët dhe të tjerët si pjesë të preambulës, sepse ne kemi një marrëdhënie parimore me ato vende. As portugezët, as spanjollët, as francezët, ne nuk e kemi një problem të tillë. Ne nuk jemi ai lloj qeverie, as ai lloj qytetarësh, as ai lloj njerëzish. Por le të themi se kemi një problem dhe për këtë arsye duam të flasim për ta zgjidhur atë problem. Dhe kjo është një rrugë me dy kahje”, deklaroi Mickoski.

Sipas kryeministrit, nëse njëra anë ofron në vazhdimësi, ndërsa ana tjetër asgjë, atëherë nuk ka qëllim, por nëse ofrojnë që të dyja palët, ndërsa është e qartë çka duhet të ofrojnë pala e dytë, atëherë mund të ulemi dhe të gjejmë siç do të thoja bazë të përbashkët, gjegjësisht të mund të merremi vesh. 

“Ne, si vend, kemi bërë mjaftueshëm në emër të atyre integrimeve evropiane, në emër të së ardhmes evropiane. Do t'ju kujtoj se ne ndryshuam flamuj, ndryshuam emra, ndryshuam Kushtetutën, si askush më parë. Kjo është arsyeja pse thashë po, rruga është frustruese dhe e vështirë. Por për ne është jashtëzakonisht frustruese dhe e vështirë dhe ende nuk ka filluar, jemi ende aty ku ishim 20 vjet më parë”, theksoi Miskoski.

Në lidhje me atë nëse do të vazhdojë të kërkojë zbatim të shtyrë të ndryshimeve kushtetuese ose do të kërkohet interpretim kreativ i Kornizës së negociatave dhe çka do të nënkuptonte kjo, Mickoski theksoi se qëndrimi ynë mbetet i qartë dhe i pandryshuar. 

“Ndërsa porosinë që tha kryetari Koshta është një porosi që e kemi dëgjuar prej kohësh. Dhe mendoj se do ta dëgjojmë, nëse nuk bëjmë përparim në proces. Do ta përsëris, si atëherë ashtu edhe sot, jam i të njëjtit mendim. Se procesi i integrimit evropian bazohet në vlera, jo në çështje dypalëshe. Fatkeqësisht, qeveria e mëparshme pranoi që një çështje e tillë dypalëshe të ishte pjesë e së ardhmes sonë evropiane. Nuk mund ta pranoj këtë. Dhe unë kurrë nuk do ta pranoj dhe do të luftoj sa më fort që të mundem dhe për aq kohë sa të mundem. Le të gjejmë një rrugëdalje nga ky proces në të cilin ndodhemi tani. Nuk mundem dhe nuk kam ndërgjegje të dal para qytetarëve maqedonas dhe t’u them atyre se Kushtetuta do të ndryshohet, duke harruar se ka të paktën 14 vendime të Strasburgut për maqedonasit në anën tjetër të kufirit që Bullgaria i injoron t’i zbatojë”, theksoi Mickoski.

Nuk mundem asnjëherë të pajtohem për çfarëdo gjë lidhur me ndryshimin e Kushtetutës, vazhdoi kryeministri, nëse e di se një vend anëtar i BE-së, ende e vendos në pikëpyetje gjuhën time amtare dhe identitetin tim maqedonas. 

“Kur të kemi një qëndrim të qartë, si nga ana e BE-së ashtu edhe nga ana e të gjitha shteteve anëtare, në lidhje me identitetin shekullor maqedonas, gjuhën dhe dëshirën e vërtetë për të qenë pjesë e familjes evropiane, por edhe respektin për institucionet evropiane siç është Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, atëherë jam këtu i gatshëm të diskutoj për çdo gjë në çdo kohë. Zgjidhja e problemeve është nëse i identifikojmë problemet, dhe nëse i përmbahemi formaliteteve nuk do t'i zgjidhim kurrë problemet”, theksoi Mickoski në konferencën e përbashkët për media me Koshtën. fc/

Foto: MIA 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR