• e premte, 05 dhjetor 2025

Mickoski pas takimit me Fon der Lajen: Shteti pret një angazhim të qartë nga BE-ja, si konfirmim i perspektivës evropiane dhe mbështetje për qytetarët

Mickoski pas takimit me Fon der Lajen: Shteti pret një angazhim të qartë nga BE-ja, si konfirmim i perspektivës evropiane dhe mbështetje për qytetarët

Shkup, 15 tetor 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski, në takimin e sotëm në Qeveri me kryetaren e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen, theksoi se shteti pret një angazhim të qartë dhe konkret nga Bashkimi Evropian, si konfirmim i perspektivës evropiane dhe mbështetje për qytetarët që kanë mbetur të përkushtuar ndaj vlerave evropiane me dekada.

Siç kumtoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, gjatë takimit u diskutua për perspektivën evropiane, përparimin e proceseve reformuese, bashkëpunimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe transformimin digjital.

Kryeministri Mickoski theksoi vendosmërinë e Qeverisë për të përshpejtuar integrimin evropian të vendit përmes rezultateve konkrete dhe përmbushjes së standardeve evropiane.

"Vizita e kryetares së Komisionit Evropian paraqet konfirmim të dialogut të hapur dhe gatishmërisë së ndërsjellë për thellimin e partneritetit, në interes të stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes evropiane të vendit", qëndron në kumtesën e shërbimit për shtyp të Qeverisë.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi dje se pret që vizita e ardhshme e Fon der Lajen në Shkup dhe takimi me të të riafirmojë qëndrimin se qëllimi ynë strategjik mbetet anëtarësimi i plotë në BE, dhe shpreson që Unioni do të japë rezultate në këtë proces.

Kryetarja e KE-së, Fon der Lajen, pardje nga Tirana e filloi turneun e saj tre-ditor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke mbërritur sot në Shkup. Gjatë qëndrimit të saj në Shkup, Fon der Lajen do të takohet edhe me presidenten e Maqedonisë, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi. sa/

Foto: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR