• e diel, 22 dhjetor 2024

Mickoski: Nuk pres të ketë turbulenca dhe lëkundje më të theksuara në tregun e energjisë elektrike në vend

Mickoski: Nuk pres të ketë turbulenca dhe lëkundje më të theksuara në tregun e energjisë elektrike në vend

Shkup, 18 tetor 2024 (MIA) – Kryeministri Hristian Mickoski nuk pret të ketë turbulenca dhe lëkundje më të theksuara në tregun e energjisë elektrike në vend edhe krahas paralajmërimeve të disa vendeve evropiane se presin probleme gjatë dimrit. 

“Përsa i përket turbulencave në tregun e energjisë elektrike në Evropë, unë isha ndër të parët në verë që thashë se me ardhjen e dimrit do të ketë nevojë për tërheqjen e energjisë nga tregu në Evropë nga Ukraina, sepse fatkeqësisht atje për shkak të agresionit rus është shkatërruar plotësisht sistemi elektrik i vendit. E gjithë kjo do të ndikojë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike në bursa”, tha Mickoski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve pas vënies së gurthemelit të shkollës së re fillore "Krste Misirkov" në lagjen Hasanbeg të Shkupit.

Ai shtoi se megjithatë nuk pret të ketë lëkundje më të theksuara në tregun e vendit. 

“Nga ajo që kam si informacion, në fillim të sezonit të ngrohjes kemi më shumë se dy herë e gjysmë më pak defekte se sa ishte në parim deri tani. Ajo që kemi si resurs në KME Manastir dhe në termocentrale të tjera është në nivelin e pritur për këtë periudhë të vitit. Fatkeqësisht, hidrologjia ka rënë, diku rreth 22-23 për qind, ndoshta duhet të ishte mbi 30 në këtë periudhë, por ishte viti - i thatë. Vlerësoj që objektet e shtetit janë të gatshme të mirëpresin dhe e kanë mirëpritur këtë sezon të ngrohjes dhe nuk pres që të kemi tronditje të theksuara në treg”, tha Mickoski.

Për momentin, siç tha, punojnë dy blloqet në KME Manastir, sepse nuk ka nevojë për më shumë, ndërsa nga gjysma e dytë e dhjetorit do të përfshihet sipas nevojës edhe blloku i tretë. 

Për premtimin se do të hiqet pagesa për qasje prej 200 denarë në faturat për energji të shpenzuar elektrike për qytetarët, tha se do të hiqet gjatë mandatit të kësaj Qeverie. 

“Në këtë moment punojmë në konsolidimin e sektorit elektroenergjetik dhe mendoj se Komisioni Rregullator i Energjetikës i bën llogaritjet. Kur ato do të jenë të gatshëm do të marrim vendim i cili është më i rëndësishëm dhe më i mirë për qytetarët”, tha Mickoski. 

Në drejtim të konsolidimit, siç theksoi, është edhe vendimi që të mos transferohen para në SHA EMV, por vetë kompania përmes kredisë t’i paguajë borxhet e vjetra. 

“Paratë u transferuan në termocentralet shtetërore. Tashmë çështja është që me punën e kësaj udhëheqësie të konsolidohet kompania dhe të transferohen më pak. Kjo është thelbi. Kredia që është marrë është për pagesën e borxheve të vjetra të trashëguara nga udhëheqësia e mëparshme në vlerë prej pesë miliardë denarë dhe këto janë pasuri të cilat janë trashëguar nga më parë. Kredia është marrë me kushte jashtëzakonisht të favorshme, do të ketë edhe një periudhë mospagimi prej dy deri në tre vjet, një periudhë e mjaftueshme që kompania të konsolidohet. Vazhdojmë të punojmë në drejtim të konsolidimit të sektorit publik dhe shtetit nga ajo që është trashëguar nga qeverisja e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së dhe është mirë që ngadalë por me siguri e gjithë kjo po konsolidohet”, thekson Mickoski. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR