Mickoski: Nga viti 2016 pronari i kompanisë spanjolle "Eptisa" është një kompani kineze
- Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pohon se nga viti 2016 pronar i kompanisë spanjolle"Eptisa" është një kompani kineze dhe në menaxhimin e saj drejtori i përgjithshëm i kompanisë është kinez.
- Post By Sara Ademi
- 16:15, 9 mars, 2023
Shkup, 9 mars 2023 (MIA) - Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pohon se nga viti 2016 pronar i kompanisë spanjolle"Eptisa" është një kompani kineze dhe në menaxhimin e saj drejtori i përgjithshëm i kompanisë është kinez.
Mickoski këtë e tha duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës në komunën e Bosilovës dhe komunën Novo Sellë. Ai e komentoi deklaratën e djeshme të zëvendëskryeministrit Artan Grubi në lidhje me punën e njërës nga firmat, të përfshira në mbikëqyrjen për ndërtimin e katër akseve të autosradës në korridoret 8 dhe 10d, të cilat do t'i ndërtojë konsorciuimi amerikano-turk "Behtel dhe Enka".
"Në një deklaratë kam bërë të ditur se kompania që është pjesë e Konsorciumit EPTISA, kompani që vjen nga Spanja nga Qeveria me konkluzion në vitin 2020, dua të them në tetor ose nëntor, ka një rekomandim për komunat dhe institucionet shtetërore për shkak të sjelljes së saj të paligjshme, joetike, të përjashtohet nga përzgjedhja për kontrata mbi një milion euro. Gjithashtu, ka një procesverbal nga e njëjta qeveri në shkurt të vitit 2021 që të gjitha kontratat e vlefshme me të njëjtën kompani EPTISA të ndërpriten dhe këtu do të them diçka ekskluzive ndoshta sot nga këtu, dhe kjo është nëse flasim për kompani që kanë kapital lindor, atëherë le të jemi plotësisht të sinqertë, sepse qeveria fajësoi dje dhe pastaj mendoj se po mendonte vetë, sepse që nga viti 2016 pronari i kompanisë spanjolle EPTISA është një kompani kineze dhe në menaxhimin e EPTISA, pra drejtori i përgjithshëm i kompanisë është kinez, struktura e pronësisë, pronari është sërish kompani kineze. Tani, nëse ka një vend në lindje të Kinës, atëherë ata duhet të specifikojnë se cili është. Pra, kur e gënjejnë opinionin e Maqedonisë, duhet të jenë të vetëdijshëm se gënjejnë edhe veten e tyre", theksoi Mickoski.
Mickoski tha se ky është rasti i parë në historinë botërore në të cilin një kompani kineze mbikëqyr punën e bërë nga një kompani amerikane.
Si kryeministri Dimitar Kovaçevski ashtu edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, dje në konferencën për media në Qeveri deklaruan se të gjitha institucionet që ishin të obliguara për zgjedhjen e mbikëqyrësit dhe kontraktorit janë përgjegjës për ligjshmërinë e procedurës dhe se gjithçka është e paraparë në ligjin për projektin, dhe garancia më e madhe për performancën janë referencat dhe projektet e kontraktorit, në Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Serbi.
Grubi, i cili është përgjegjës për koordinimin e projektit, përsëriti se çdo dyshim, përfshirë edhe atë të opozitës, mund të paraqitet në Prokurori. Procedura për përzgjedhjen e mbikëqyrjes, tha ai, është e paraparë me ligjin që ka kaluar në Kuvend dhe është zbatuar nga Ndërmarrja Publike për rrugë shtetërore.
"IRD u zgjodh për mbikëqyrjen në mënyrën më transparente, i kaloi të gjitha kontrollet dhe procesi përfundoi në mënyrën më legjitime. "Eptisa" ndërroi pronësi dhe nuk ka qenë e njëjta që nga viti 2020, tha Grubi, duke shtuar se IRD është prezente me punë në vend përmes disa projekteve.
Për ndërtimin e katër akseve të autostradës, dje në Qeveri është nënshkruar marrëveshja me konsorciumin "Behtel dhe Enka", ndërsa mbikëqyrjen do ta bëjë IRD. sa/