• e premte, 05 dhjetor 2025

Mickoski: Nga takimi me Fon der Lajen pres riafirmimin e qëndrimit për qëllimin tonë strategjik – anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian

Mickoski: Nga takimi me Fon der Lajen pres riafirmimin e qëndrimit për qëllimin tonë strategjik – anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian

Shkup, 14 tetor 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski nga vizita e ardhshme në Shkup e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe takimi me të, pret një riafirmim të qëndrimit se qëllimi strategjik i vendit mbetet anëtarësimi i plotë në BE, duke shpresuar që në këtë proces të ketë rezultate konkrete edhe nga ana e Unionit.  

Mickoski sot duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës së repartit plotësisht të rinovuar të Klinikës për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv dhe Qendrën e Urgjencës (TOARMIQU) theksoi se gjatë 25 viteve të fundit, duke ecur në rrugën drejt BE-së, Maqedonia ka humbur gradualisht dinjitetin dhe fytyrën e saj, duke shtuar se kjo Qeveri nuk ka më ndërmend ta lejojë një gjë të tillë.

"Pres që të riafirmojmë qëndrimet se qëllimi ynë strategjim mbetet anëtarësimi i plotë në kuadër të BE-së. Duket se gjatë këtyre 25 viteve kemi filluar të humbasim fytyrën, duke ecur në këtë rrugë, si të ketë mbetur pak nga ai dinjitet dhe ajo fytyrë. Shpresoj që të ketë dorëzim edhe nga ana e BE-së, që të paktën ta ruajmë fytyrën para se të anëtarësohemi, sepse me fytyrë dhe dinjitet të humbur nuk do t'i shërbejmë askujt - as atyre. Kjo Qeveri nuk e ka ndërmend të humbasë nga dinjiteti dhe fytyra e saj", theksoi Mickoski. 

Ai iu përgjigj edhe në pyetjen lidhur me njoftimin e Ursula fon der Lajenit për hapjen e qendrave për inteligjencë artificiale në Maqedoni dhe Serbi, duke sqaruar se bëhet fjalë për një projekt të cilin e udhëhoqi Qeveria, gjegjësisht Ministria për Transformim Digjital.

"Është projekt që e udhëhoqi qeveria, gjegjësisht Ministria për Transformim Digjital. Është diçka super për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pasi për herë të parë do të shfrytëzojmë resurset e tona vendore. Këtë e kemi bërë me fakultetet FEIT dhe FINKI, dhe kjo është diçka për të cilën jam vërtet i emocionuar dhe i lumtur", tha Mickoski dhe shtoi se bëhet fjalë për një bashkëfinancim me vlerë rreth pesë milionë euro.

Ai sqaroi se kjo do të thotë se praktikisht ekspertët tanë, studentët tanë, profesionistët do të mund t’i shfrytëzojnë dhe thithin resurset që i ka vetë BE-ja

Kryetarja e KE-së Fon der Lajen dje nga Tirana e filloi turneun e saj treditor në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të të cilit nesër do të udhëtojë për në Shkup.

Siç informon Komisioni Evropian, gjatë qëndrimit në Shkup, Fon der Lajen të mërkurën pasdite do të takohet me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me kryeministrin Hristijan Mickoskin dhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi. 

Komisioni Evropian njoftoi se ky turne do të jetë një mundësi që Fon der Lajen ta riafirmojë mbështetjen e BE-së për anëtarësimin e vendeve nga rajoni në Union dhe për qasjen e tyre graduale në Tregun e Vetëm Evropian, si dhe për të diskutuar mbi zbatimin e Planit për Rritje të Ballkanit Perëndimor. Ky është turneu i pestë me rradhë i Fon der Lajen në Ballkanin Perëndimor, pas atyre në katër vitet e kaluara, dhe sipas KE-së, ajo konfirmon rëndësinë që rajoni ka për Bashkimin Evropian. qa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR