• e shtunë, 07 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Mickoski nga EBA: Prezantuam mundësitë për investim në Maqedoni, punojmë që të gjendemi në hartën e investitorëve botërorë

Mickoski nga EBA: Prezantuam mundësitë për investim në Maqedoni, punojmë që të gjendemi në hartën e investitorëve botërorë

Shkup, 17 prill 2025 (MIA) - Kryeministri Hristian Mickoski e vlerësoi si jashtëzakonisht cilësore dhe të suksesshme vizitën e ekipit qeveritar në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë ditëve të kaluara. Thotë se i prezantuan mundësitë për investim në Maqedoni, si dhe për vendosje të vendit në hartën e investuesve botërorë.

"Vizitën e filluam me një takim me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ditët në vijim u takuam me odat ekonomike nga Emiratet Sharxha dhe Dubai, e më pas patëm takime shumë cilësore me kompanitë kryesore këtu në Emiratet e Bashkuara Arabe, siç janë Mubadala, ADQ, Masdar, Eagle Hills etj. E gjithë ajo për të cilën biseduam është me të vërtetë diçka që do të paraqet një hap të madh përpara për ekonominë e vendit. Biseduam për projekte në fushën e transportit, para së gjithash për korridoret 8 dhe 10 dhe segmentin 10-d të korridorit 10", thekson Mickoski në video deklaratën pas vizitës në EBA.

Thekson se u bisedua edhe për projekte lidhur me turizmin, ndërtimtarinë, bujqësinë, energjetikën.

"Natyrisht, këtu është perla jonë maqedonase, ballkanike, madje do të thosha botërore – Ohri. Pastaj, Kodra e Diellit si një investim shumë i fuqishëm, i cili në vitet që vijojnë duhet të sjellë përfitime të mëdha ekonomike për qytetarët maqedonas. Vend ku nevojitet një investim i madh, për shkak të pozitës së saj gjeografike dhe të gjitha bukurive natyrore që ofron ajo qendër skijimi. Kuptohet për këtë, gjithashtu biseduam me miqtë tanë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pastaj, në sektorin e ndërtimtarisë, u shqyrtuan disa lokacione ku mund të ndërtohen objekte "landmark", të cilat do të jenë të njohura jo vetëm për Shkupin, Maqedoninë apo qytetet tjera në shtetin tonë, por edhe për rajonin, do të thosha, pse të mos kemi ambicie që ato objekte "landmark" të bëhen të njohura në gjithë Evropën.

Në pjesën e energjetikës, si prioritet kryesor janë projektet, përkatësisht hidrocentralet në lumin e Zi, konkretisht Çebreni dhe Galishta. Potenciali në sektorin e energjetikës nuk është i kufizuar vetëm në investime në hidrocentralet Çebren dhe Galishtë, por përfshin edhe panele të reja diellore, turbina ere të reja, parqe me erë etj.

"Me të vërtetë, nëse do të duhej ta vlerësoj këtë vizitë tonën, do ta vlerësoja me notën më të lartë, si nga aspekti ekonomik ashtu edhe nga ai politik, sepse pas një kohe të gjatë, për arsye që nuk i di, kishte një ndërprerje në marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe, por tani po rivendosim këtë bashkëpunim të afërt dhe të drejtpërdrejtë. Natyrisht, do të veçoja edhe Memorandumin për bashkëpunim më të thellë ekonomik të cilin e nënshkroi ministri për punë të jashtme dhe tregti të jashtme, Timço Mucunski, me homologun e tij, ndërsa lajmet e mira si rezultat i këtij Memorandumi do t’i kumtoj në ditët në vijim, kur të kthehemi në Maqedoni. Ju përshëndes nga Abu Dabi dhe shihemi në perlën tonë ballkanike, evropiane, botërore – Ohrin, për Pashkë, që ta kremtojmë Ringjalljen e Krishtit" thotë kryeministri Hristian Mickoski në deklaratën pas vizitës në EBA. ab/

 

Foto/video: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR