Mickoski: Ne jemi me orientim proevropian dhe duam marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, por nuk do të lejojmë ultimatume
- Kryeministri Hristijan Mickoski është i bindur se do të gjejnë zgjidhje dhe se Bashkimi Evropian do të gjejë mekanizma për vendin ta marrë vendin e merituar në Union. Në një deklaratë për mediat të dhënë sot në Zhelinë, Mickoski tha se si shtet do të vazhdojmë të sillemi në mënyrë proevropiane dhe se Qeveria nuk ka dilema se duhet të ndërtojë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, duke përfshirë edhe me Bullgarinë, por që nuk do të lejojë ultimatume.
- Post By Sara Ademi
- 13:19, 22 maj, 2025
Shkup, 22 maj 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski është i bindur se do të gjejnë zgjidhje dhe se Bashkimi Evropian do të gjejë mekanizma për vendin ta marrë vendin e merituar në Union. Në një deklaratë për mediat të dhënë sot në Zhelinë, Mickoski tha se si shtet do të vazhdojmë të sillemi në mënyrë proevropiane dhe se Qeveria nuk ka dilema se duhet të ndërtojë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, duke përfshirë edhe me Bullgarinë, por që nuk do të lejojë ultimatume.
"Unë jam një person dhe politikan pragmatik dhe nuk kam asnjë dyshim se duhet të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, përfshirë Bullgarinë. Ne nuk kemi asnjë problem të zgjerojmë Kushtetutën tonë me disa nga kroatët që jetojnë këtu, sepse maqedonasit janë pjesë e Kushtetutës kroate, nuk e kemi problem t'i llogarisim malazezët, sllovenët, etj., por kemi problem të pranojmë ultimatume. Unë nuk jam njeri që pranoj ultimatume dhe kurrë nuk do t’ia lejoj vetes të negocioj për diçka që e di se paraqet problem dhe zhgënjim të madh për qytetarët maqedonas, shqiptarë, turq dhe të gjithë ata që janë pjesë përbërëse e Kushtetutës", tha Mickoski.
Ai beson se do të gjendet mënyra dhe do të zgjidhet problemi, por shton se kujtesa kolektive do të mbetet se ish-ministri i jashtëm negocioi për identitetin maqedonas.

"Ne do të kërkojmë një rrugë, do të ndërtojmë besim dhe do ta zgjidhim këtë, qoftë ky brez apo brezi tjetër, do ta zgjidhim, por dëmi që njeriu i shkaktoi identitetit maqedonas dhe popullit maqedonas do të mbetet në kujtesën kolektive. Problemi që krijoi njeriu na ka bërë që nga kampionët e Evropës të mos kemi mundur ende të fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian. Ai ka negociuar për identitetin maqedonas dhe ka gabuar, dhe nëse mendon se e kemi harruar, gënjen", tha Mickoski.
Në prag të vizitës së nesërme të përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri Kaja Kallas, Mickoski tha se ka marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me të dhe përkujtoi se ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski është ministri i parë nga rajoni që e ka nënshkruar marrëveshjen për politikë të jashtme dhe të sigurisë me Unionin.
Si pjesë e turneut rajonal, Kallas sot do të qëndrojë për vizitë në Beograd, ndërsa nesër vjen për vizitë në vendin tonë. Ajo do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe me ministrin e Punëve të Jashtme Timço Mucunski, ndërsa në shoqërim të ministrit të mbrojtjes Vllado Misajlovski do ta vizitojë grupin e përhershëm të punës mjekësor ballkanik. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s