Mickoski në takim me Koshtan: Maqedonia e Veriut është e përkushtuar ndaj rrugës evropiane, por meriton një proces dinjitoz dhe me parime, të bazuar në vlera, dhe jo në kushtëzime dypalëshe
- Kryeministri Hristian Mickoski, pasdite gjatë vizitës në Munih zhvilloi një takim me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta. Në takim, Mickoski theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe reformave, por se meriton një proces dinjitoz dhe me parime, i bazuar në vlerat evropiane, dhe jo në kushtëzime dypalëshe.
- Post By Qefsere Abduli
- 18:52, 13 shkurt, 2026
Shkup, 13 shkurt 2026 (MIA) - Kryeministri Hristian Mickoski, pasdite gjatë vizitës në Munih zhvilloi një takim me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta. Në takim, Mickoski theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe reformave, por se meriton një proces dinjitoz dhe me parime, i bazuar në vlerat evropiane, dhe jo në kushtëzime dypalëshe.
"Diskutuam hapur dhe sinqerisht për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, për reformat që po i zbatojmë dhe për sfidat që qëndrojnë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Unë e shpreh qartë qëndrimin tonë, Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane. Por, gjithashtu, Maqedonia meriton një proces dinjitoz dhe me parime, të bazuar në vlerat evropiane, dhe jo në kushtëzime dypalëshe", theksoi kryeministri Mickoski në takim.

Qeveria jonë, theksoi ai, punon për reforma thelbësore: sundim i ligjit, luftë kundër korrupsionit, stabilitet ekonomik dhe një standard më të mirë jetese për qytetarët.
"E ardhmja evropiane nuk është vetëm një qëllim politik, ajo është një zgjedhje për një shtet më të mirë. Vazhdojmë të punojmë. Me përgjegjësi, ndershmëri dhe me një vizion të qartë për Maqedoninë në Evropë!",shkroi Mickoski në Fejsbuk pas takimit me Koshtan.

Më herët sot, kryeministri Mickoski, në kuadër të Konferencës së 62-të të sigurisë në Munih, zhvilloi takim me udhëheqësinë e 4IG ku u diskutua për një pako prej 100 milionë euro investime në disa fusha në vend. Ai gjithashtu pati një takim pune edhe me menaxhmentin e gjigantit gjerman "Shvarc grup" nën të cilin punojnë brendet e njohura botërore "Lidl" dhe "Kaufland".

Mickoski prej sot qëndron në një vizitë disaditëshe në Republikën Federale të Gjermanisë, ku merr pjesë në Konferencën e 62-të të sigurisë në Munih, në të cilën, siç njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, do ta riafirmojë përcaktimin e shtetit për një proces të parashikueshëm dhe korrekt të integrimit në Bashkimin Evropian, pa kushtëzime dypalëshe plotësuese.
Mickoski është shoqëruar nga ministrat e Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, dhe për Punë të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Në kuadër të konferencës, shefi i Qeverisë do të zhvillojë disa takime dypalëshe me udhëheqës evropianë, përfaqësues të lartë dhe drejtues të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë. Bisedimet, siç informohet nga Qeveria, do të përqendrohen në stabilitetin gjeopolitik rajonal dhe rolin e vendit tonë si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe anëtar aktiv i NATO-s.
Në margjinat e Konferencës së sigurisë në Munih janë planifikuar edhe takime me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, si dhe me shefat e shteteve dhe qeverive. qa/
Foto: Fejsbuku i kryeministrit Hristijan Mickoski