• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mickoski me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve: Qëllimi ynë është të krijojmë programe arsimore që do t’i frymëzojnë fëmijët tanë të bëhen liderë

Mickoski me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve: Qëllimi ynë është të krijojmë programe arsimore që do t’i frymëzojnë fëmijët tanë të bëhen liderë

Shkup, 20 nëntor 2024 (MIA) - Me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, në organizimtë UNICEF dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot në sallën solemne u mbajt seancë e Qeverisë me sloganin "Dëgjo të ardhmen", ku fëmijët së bashku me kryeministrin dhe ministrat diskutuan temat e mëposhtme: kriza klimatike dhe ekologjike, teknologjitë e avancuara dhe ndryshimet demografike.

Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se sot i ka pasur bashkëbiseduesit më të rëndësishëm nga kryesimi disa mujor me Qeverinë, pikërisht fëmijët.

"Kjo ditë është e dedikuar për ngritjen e vetëdijes për të drejtat e fëmijëve në mbarë botën dhe për promovimin e mirëqenies së më të vegjëlve. Dita Botërore e Fëmijëve është gjithashtu një kujtesë se duhet të punojmë së bashku për të krijuar një botë ku të gjithë fëmijët kanë mundësi të barabarta dhe rriten në mjedis që nxit zhvillimin dhe mirëqenien e tyre. Kjo ditë ka rrënjë të thella në historinë e të drejtave të njeriut. Në këtë ditë të nëntorit të vitit 1959, Kombet e Bashkuara miratuan Deklaratën për të Drejtat e Fëmijës, ndërsa në vitin 1989 u miratua Konventa për të Drejtat e Fëmijës – marrëveshja më gjerë e ratifikuar për të drejtat e njeriut në histori. Këto dokumente nuk janë vetëm korniza ligjore, por edhe një udhëzues moral për mënyrën se si duhet të trajtojmë anëtarët më të rinj dhe më të cenueshëm të shoqërisë. Sot jemi këtu për të riafirmuar përkushtimin tonë të përbashkët, çdo fëmijë ka të drejtën e kujdesit, arsimit, mbrojtjes shëndetësore dhe mbrojtjes nga çdo formë e dhunës dhe abuzimit", tha ai. 

Potencoi se fjalët në letër nuk mjaftojnë por, siç tha, nevojiten vepra.

"Misioni ynë është të shndërrojmë këto sfida në mundësi për ndryshim. Investime në arsim; Qasje në shërbime shëndetësore;
Mbrojtje nga abuzimi dhe dhuna. Kjo është një ditë kur nuk duhet vetëm të flasim, por edhe të veprojmë. Qeveria, organizatat civile, mësuesit, prindërit dhe çdo individ kanë një rol në këtë luftë. Prandaj, qëllimi ynë është: Të krijojmë programe arsimore që frymëzojnë fëmijët tanë të bëhen liderët e së nesërmes. Të mbështesim politika që garantojnë mbrojtje sociale për të gjithë fëmijët, veçanërisht për më të cenueshmit. T’i dëgjojmë fëmijët, t’i inkurajojmë ata të shprehin mendimet e tyre dhe t’i përfshijmë në proceset e vendimmarrjes. Le të mos jetë kjo ditë vetëm një kujtesë, por edhe një pikë kthese", tha kryeministri Mickoski.

Përfaqësuesja e UNICEF-it, Lesli Miler në konferencë për media tha se ishte interesante që të dëgjohen ata fëmijë të cilët treguan propozime dhe qëndrime interesante dhe mendime për të gjithë atë që e kanë të rëndësishme në të tashmen, por gjithashtu do të ndikojnë edhe në të ardhmen e tyre. 

Miler potencoi se do të bëjnë përpjekje që t'i ndihmojnë fëmijët që t'i realizojnë vizionet dhe qëndrimet e tyre për të ardhmen. fc/

Fotografia: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR