• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mickoski: Lufta vazhdon, ilindenasit me armë për liri, ne me mendje, vizion dhe energji për të ardhme që meriton çdo njeri në Maqedoni

Mickoski: Lufta vazhdon, ilindenasit me armë për liri, ne me mendje, vizion dhe energji për të ardhme që meriton çdo njeri në Maqedoni

Krushevë, 2 gusht 2024 (MIA) - Unitetin mbi të cilin u ndërtua Manifesti i Krushevës, sot e kemi gjithnjë e më pak, ndërsa është ideal për të cilin sot vlen çdo luftë, prandaj lufta duhet të vazhdojë. Thelbi nuk janë kërkesat politike që mund të shpiken, por përpjekja për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Prandaj, nuk do të zhvilloj bisedë për tema që krijojnë tension dhe keqpërdoren çështjet etnike dhe u bëj thirrje të gjitha partive, subjekteve dhe liderëve që të flasin për atë që është me të vërtetë e rëndësishme, e ato janë ekonomia, arsimi dhe risitë që sjellin të ardhme, tha kryeministri Hristijan Mickoski në kremtimin e sotëm të festës 2 Gushti Dita e Republikës - Ilinden.

Ai theksoi se i kemi borxh historisë, por edhe vetes, që si njerëz të tregojmë respekt dinjizoz dhe me dinjitet dhe përkulje të sillemi ndaj veprës dhe heroizmit të ilindenasve nga viti 1903.

"Duhet secili prej nesh këtu dhe mbarë botën ta dijë se heronjtë ishin njerëz modestë dhe sfidues që e paguan me jetën e tyre lirinë që kemi dhe jetojmë sot. Çdo copë tokë në të cilën lëvizim sot është me gjakun e ilindenasve, me vuajtjet dhe sakrificat e mijërave më parë, që vetëm jep përgjigje se lufta jonë ka vazhdimësi, zgjati dhe vazhdoi, se heronjë janë të gjithë ata që mbi supet e tyre me sakrificën e tyre paguan çmimin e shtrenjtë të lirisë që kemi sot. Por, duhet pranuar dhe respektuar vizioni i atij brezi ilindenas të heronjve", tha Mickoski.

Në atë kohë në Evropë, shtoi ai, monarkitë kanë vrullin kryesor dhe shkëlqimin e plotë, e këtu në mes të Ballkanit të zemëruar, në Maqedoninë e robëruar, në Krushevën e vogël dhe të lavdishme, lind Republika, themelet e së cilës bazohen në idenë e demokracisë, sundimit të njerëzve dhe respektimit të plotë të të drejtave të njeriut.

"Me këtë vetëm konfirmohet natyra vizionare e heronjve, por edhe fakti se vullneti i popullit, të drejtat kolektive dhe dinjiteti i individit janë respektuar gjithmonë në kodin e popullit tonë. Jam shumë krenar për popullin tim që kurrë nuk kemi cenuar të huaj, nuk kemi dashur kurrë diçka që nuk ishte e jona dhe gjithmonë i kemi respektuar pa përjashtim të gjithë të tjerët", tha Mickoski.

Sot, shtoi ai, "derisa e nderojmë këtë histori madhështore, përkujtojmë fjalët e revolucionarit tonë të madh Goce Dellçev, i cili tha 'nuk dua kryengritje me njerëz që do të më braktisin në dështimin e parë!'".

Në kohë të sfidave globale, theksoi ai, lufta jonë për të ruajtur identitetin dhe sovranitetin kombëtar është më e fortë se kurrë, dhe Ilindeni është një thirrje për të gjithë ne që të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tona, për lirinë tonë.

Ajo që shqetëson, theksoi ai, është se ka elemente dhe subjekte në shoqëri që vazhdimisht bëjnë kërkesa, të cilat krijojnë konflikte dhe sulmojnë unitetin.

"Ajo që më shqetëson nëse shikojmë fotografinë e përgjithshme, është se ka elemente dhe subjekte në shoqëri që vazhdimisht vendosin në tavolinë kërkesa, të cilat krijojnë konflikte dhe sulmojnë unitetin. Në këtë kuptim, është e pashmangshme ndjenja se jo të gjithë subjektet dhe aktorët politikë janë të përkushtuar njëlloj ndaj atdheut tonë, respektivisht në narativa ata gjithmonë do ta respektojnë, por me veprat që i vendosin në tavolinë bëjnë pikërisht të kundërtën. Prandaj ju fola më herët për unitetin mbi të cilin u ndërtua Manifesti i Krushevës, të cilin e kemi gjithnjë e më pak sot, e është ideal për të cilin vlen çdo luftë sot, prandaj lufta duhet të vazhdojë. Dhe ky është folklori politik, edhe pse në thelb motivet për sjelljen e tillë ndaj atdheut janë të barabarta me ato sikur të jetë i huaj, e ata të njëjtit gjejnë interesa personale dhe qëllime fitimprurëse, të cilat fatkeqësisht ende janë të pranishme", tha Mickoski.

Sipas tij, thelbi nuk janë kërkesat politike që mund të shpiken, por përpjekja që të përmirësohet jeta e qytetarëve.

"Shpikin kërkesa për të ardhur në pushtet, që për ta do të thotë privilegje, para, qendra tregtare, perandori, ndërtesa, prona, përfitime të fituara në kurrizin e popullit. Dhe këtu tërë këtë e paguajnë së bashku edhe maqedonasit edhe shqiptarët edhe turqit edhe serbët edhe vllehët edhe romët edhe boshnjakët dhe të gjithë qytetarët. Dhe kur ashtu dalin me kërkesa që godasin vendin, duhet të jenë të vetëdijshëm se unë si lider mund dhe në fakt kam kërkesa që mund të vihen lehtësisht në tavolinë, por a do të zgjidh kjo problemin thelbësor të qytetarëve. A do të sjellë kjo besim tek njëri-tjetri dhe a do të sigurojë një të ardhme për të gjithë ne. Dhe ne të gjithë jemi nën të njëjtin qiell dhe ndajmë fat të përbashkët. Thelbi nuk janë kërkesat politike që mund të shpikin, por përpjekja për të përmirësuar jetën e qytetarëve", tha Mickoski.

Kryeministri tha se nuk do të bisedojë për tema që krijojnë tension dhe i keqpërdorin çështjet etnike dhe u bëri thirrje të gjithë liderëve, subjekteve që të diskutojnë për atë që është me të vërtetë e rëndësishme për të gjithë qytetarët, si ekonomia, sundimi i ligjit, arsimi, risitë që sjellin ardhmëri.

Ai tha se Qeveria ka vizion ekonomik për zhvillim të shtetit, për vende të reja të punës për krijimin e jetës më të mirë dhe ardhmëri të sigurtë.

"Kështu do të ndërtojmë unitetin dhe do të krijojmë ardhmëri për të gjithë. Ne kemi një vizion ekonomik për një Maqedoni të zhvilluar. Po vjen një epokë e re zhvillimi dhe vende të reja pune. Ky është vetëm fillimi i rilindjes sonë ekonomike dhe më e mira nuk ka ardhur ende. Qëllimi ynë është të krijojmë një ekonomi stabile dhe me prosperitet që do t'u sigurojë të gjithë qytetarëve një jetë më të mirë dhe një të ardhme të sigurt", tha kryeministri Mickoski në fjalimin e tij në Meçkin Kamen. bsh/

Foto: Qeveri

QËNDRONI TË LIDHUR