• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mickoski inicon hartimin e strategjisë për shtetin në bashkëpunim me ASHAM, i bëri thirrje opozitës që vendimet t'i marrin bashkërisht

Mickoski inicon hartimin e strategjisë për shtetin në bashkëpunim me ASHAM, i bëri thirrje opozitës që vendimet t'i marrin bashkërisht

Shkup, 23 tetor 2024 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski sot në fjalimin në Akademinë solemne me rastin e Ditës së Luftës Revolucionare të Maqedonisë, 23 Tetori, tha se është duke inicuar një projekt për zhvillimin e vendit që do të përkthehet në një strategji deri në vitin 2050. Qëllimet e projektit, siç tha ai, do të përcaktohen në bashkëpunim me ASHAM-in dhe në fund pas përfundimit të tyre do të kërkohet një konsensus gjithëpërfshirës nga të gjitha partitë politike dhe palët e interesuara.

Sipas Mickoskit, është një strategji "qëllimet e së cilës nuk do të varen nga lakmia dhe injoranca e politikanëve".

Ai i bëri thirrje opozitës që të bashkëpunojnë dhe të marrin vendime të përbashkëta.

"Të bashkohemi dhe bashkërisht të nxjerrim mësime për të ardhmen se atdhe tjetër nuk kemi. Të mendojmë në mënyrë strategjike për të mirën e vendit. Ne do të pranojmë çdo sugjerim konstruktiv që keni. Nëse duam të kemi sukses, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të bashkëpunojmë dhe kjo duhet të fillojë që tani. Një qasje sipërfaqësore ndaj politikës na ka çuar në këtë gjendje. Edhe pse e majta dhe e djathta kanë njerëz cilësorë, megjithatë nuk është gjetur asnjë forcë për të vendosur një strategji kombëtare. Koha nuk punon për ne tani, kushdo që ju thotë  ju gënjen. Koha, ashtu si kalon, punon kundër nesh. Nëse nuk ndihmojmë të gjithë së bashku tani, për fat të keq, do të jemi një territor plot fantazma, një udhëkryq trafikantësh emigrantësh, një shtet zombie. Dikujt i shkon, por neve jo, jam i bindur që nuk i shkon as rajonit. Unë dua t'u them të gjithëve që janë të gatshëm të luftojnë për këto ide, të cilat janë shtylla kurrizore e shtetit të Maqedonisë, dhe se sa të jem kryeministër, do të jem zëri juaj. Është koha të tregojmë se mundemi. Maqedonia duhet të jetë përsëri krenare, e sigurt, vend i zhvillimit dhe prosperitetit ku jetojnë njerëz të lumtur, ky është qëllimi ynë", theksoi Mickoski.

Ai gjithashtu thekson se shkenca, qëllimet dhe strategjia nuk duhet të etnizohen.

"Qytetarët janë ngopur me drejtimin e shtetit dita-ditës. Ne duhet të bashkohemi dhe të vendosim objektiva zhvillimi afatgjatë. Që kur kam filluar të merrem me politikë, pohoj se kjo çështje e jona e Maqedonisë ka nevojë për energji. Besoj se sot është dita për të nisur një projekt të ri, serioz. Në këtë ditë dua të inicoj një projekt që do të miratohet nga qeveria me ASHAM-in dhe komunitetin universitar, një projekt që do të përfshihet në strategjinë deri në vitin 2050, i cili do të përcaktojë zhvillimin e vendit, sfidat demografike, synimet ekonomike, zhvillimin e bujqësisë, teknologjisë, energjisë dhe transportit. Le të përgatisim një strategji që do të përcaktojë paradigmën e re të shtetit modern. Unë do të kërkoj një konsensus të gjerë partiak për të pranuar strategjinë. Një konsensus i tillë na ka munguar gjatë gjithë këtyre viteve", theksoi Mickoski.

Ai ngriti edhe çështjen e natalitetit, duke paralajmëruar se sipas hulumtimeve të fundit, në 70 vitet e ardhshme jemi në rrugë të mbarë drejt zhdukjes si shtet. sa/

foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR