• e hënë, 17 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Mickoski: Do të ndërmarrim një sërë masash, aktivitete dhe vendime, këtë ua kam borxh familjeve të viktimave, mediave dhe çdo individi në Maqedoni

Mickoski: Do të ndërmarrim një sërë masash, aktivitete dhe vendime, këtë ua kam borxh familjeve të viktimave, mediave dhe çdo individi në Maqedoni

Shkup, 16 mars 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski e filloi konferencën për media me një minutë heshtje ku theksoi se në jetën e tij ka pasur shumë momente dhe sfida të vështira, por kjo sot, siç tha ai, ”është dita më e vështirë e jetës së tij”.

"Për këtë çështje nuk kam dilema dhe as nuk do të kalkuloj. Unë nuk kam nevojë për pushtet me asnjë çmim, por jam këtu për të luftuar dhe për të demonstruar me shembull personal se si se duhet të vazhdojmë, dhe çka nëse heqim dorë. Atëherë do të lejoj që të fitojë sistemi i korruptuar? Sigurisht që jo. Në ditët në vazhdim do të marrim një sërë masash, aktivitetesh dhe vendimesh që do të thonë shumë në luftën për këtë vend dhe në emër të të gjithë viktimave të kësaj tragjedie dhe familjeve të tyre. Këtë ua kam borxh juve, ua kam borxh familjeve të viktimave, mediave dhe çdo njeriu në Maqedoni”, tha Mickoski.

Ai informoi se menjëherë janë ndërmarrë hapat e parë për përballije me pasojat, ndërsa për momentin ka informacione se objekti ku ka ndodhur fatkeqësia është me licencë të falsifikuar e cila është lëshuar në mars të vitit 2024 për ryshfet. Është një dokument, tha Mickoski, për funksionimin e një kabareje e cila është dhënë ilegalisht, me vulën origjinale të Ministrisë së Ekonomisë dhe nënshkrimin e zyrtarëve të atëhershëm të po kësaj ministrie. Sipas tij, këtu ka shumë pyetje që hetimi do t'i përgjigjet.

"Pra, në gjithë këtë që po ndodh dhe na ka ndodhur, para së gjithash duhet të ketë përgjegjësi penale për të gjithë personat e përfshirë, pavarësisht se kush nga cili institucion është, në çfarë niveli, nga cila parti, nga cili profesion etj,. deri në të fundit. Prisni që kur bëhet fjalë për përgjegjësi, nuk do të ketë mëshirë. Do të duhet të ketë përgjegjësi me emër dhe mbiemër. Me veprim të saktë kirurgjik nga institucionet. Nuk ka mëshirë", ka thënë ai.

Ai shtoi se nevojitet një demonstrim i përgjegjësisë morale.

“Dhe shumë njerëz më thonë se populli e di se qeveria nuk ka faj për këtë, se është Qeveri e re që ka hyrë me probleme të grumbulluara me dekada dhe sistem të korruptuar që është krijuar me dekada në vend, por unë ju them, pavarësisht nga kjo, ne duhet të jemi shembull që do të ketë kuptim dhe vlerë dhe duhet të kemi përgjegjësi morale", tha në konferencën për shtyp, Mickoski. 

Mickoski tha se më e rëndësishmja është që t’u shprehim ngushëllime familjeve, lutemi për familjet e viktimave dhe të lënduarve dhe për popullin e Maqedonisë. Të bëjmë thirrje për unitet dhe kohezion dhe të përqendrohemi në faktet dhe gjithçka që është e rëndësishme për të filluar një resetim të madh të sistemit.

Mickoski theksoi se i ka dëgjuar mesazhet nga opozita dhe, siç tha ai, nuk dëshiron që kjo ngjarje të politizohet në kuptimin që dikush mundohet të fajësojë një palë tjetër për përgjegjësi.

"Kjo nuk është betejë ndërpartiake mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, por betejë e të ndershmëve kundër të pandershmëve dhe të korruptuarve nga të gjitha partitë dhe gjitha institucionet", tha ai.

Ai paralajmëroi se nëse ka përgjegjësi për mosveprim në periudhën e kaluar, do të ndërmerren hapat e duhur. Do të shqyrtohen dhe hetohen nga ana e institucioneve të gjitha aspektet dhe të gjitha problemet që çuan në këtë tragjedi. Do të shqyrtohen aspektet e kontrollit dhe gjithë asaj që opinioni në mënyrë të arsyeshme e detekton si problem dhe sfidë për shoqërinë.

Në vendin tonë, tha ai, ka pasur mohime dhe probleme me shtetësinë, probleme thelbësore për mbijetesën e kombit dhe shtetit, kishim edhe krizë ushtarake, konflikt të armatosur, ndodhi rrëzimi i një aeroplani,  përmbytje të anijes, rrëzim të helikopterit, masakër të njerëzve të pafajshëm, fëmijë afër Smilkovës, ndodhi terrorizëm si në Lagjen e trimave, ka pasur tentativa për destabilizim, ka pasur edhe imponim të skenarëve, ka pasur edhe fatkeqësi të vogla apo të mëdha.

"Secila me peshën e vet dhe intensitetin e vet të tragjedisë në vete. Por ky është kulmi i një sistemi të keq e të korruptuar që han shpresat tona dhe krahas shpresave edhe ëndrrat tona. Ose do ta mposhtim ne atë, ose do ta lëmë të na mposht ai neve...", ka thënë Mickoski.

Foto: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR