• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mickoski është optimist i madh për eurointegrimet e Maqedonisë pas samitit të Procesit të Berlinit

Mickoski është optimist i madh për eurointegrimet e Maqedonisë pas samitit të Procesit të Berlinit

Shkup, 16 tetor 2024 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski pas pjesëmarrjes në Samitin e Procesit të Berlinit dhe takimet e realizuara është optimist i madh lidhur me pritjet për procesin eurointegrues të vendit dhe është në dilemë nëse do të dërgojë letër të paralajmëruar te Bashkimi Evropian me të cilën do të japë ide të reja për vazhdimin e negociatave.

Në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri ku me ministrin për Transformim Digjital Stefan Andonovski në të cilën informuan për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Informatik-Komunikues dhe Telekomunikues, tha se ka pasur një vizitë jashtëzakonisht cilësore në Berlin.

"Patëm një vizitë që më bëri më optimist se sa para vizitës. Në margjinat gjatë drekës së punës, por edhe në takimet e tjera që kam pasur atje, shoh se ka iniciativa, të cilat i përmendi edhe ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Analena Berbok, në konferencën për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dhe mendoj se e gjithë kjo që kam bërë si bisedë dhe kam marrë si mesazh dhe kam dërguar ka vlerë të shtuar nëse krahasohet me situatën para vizitës sime atje", tha Mickoski.

Në interes të bisedave dhe pritjeve, nuk dëshironte publikisht të ndajë detaje, por dërgoi mesazh te qytetarët se nuk do ta braktisë kriterin e mbrojtjes së interesave kombëtare dhe eurointegrimin e vendit.

"Mesazhi im për qytetarët është se sjellja e kësaj Qeverie me mua si kryeministër, do të zhgënjejë një grup njerëzish, pra opozitën. Por le të jenë të sigurt se unë kurrë, kurrë dhe me asnjë çmim nuk do t'i tradhtoj pritshmëritë e qytetarëve, as nuk do të braktis standardet që janë në interes të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Maqedonisë, që janë mbrojtja e interesave kombëtare dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian", theksoi Mickoski.

Nuk dëshironte ta komentojë brifingun e përfaqësuesit special të Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin se në Berlin ishin refuzuar propozimet e Maqedonisë, duke përsëritur se është një optimist shumë i madh, pas vizitës në Berlin se sa ishte më parë.

"Do të vazhdojmë t'i zgjidhim problemet në vend, por do të luftojmë jashtë me të gjitha forcat, të cilat i kemi në dispozicion, në bazë të Kritereve të Kopenhagës, në bazë të vlerave të vërteta të BE-së, dhe këto nuk janë ultimatume dhe diktate, por një bisedë, një dialog konstruktiv, i cili do të jetë baza për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme dhe afatgjatë me të cilën askush nuk do të poshtërohet, por përkundrazi, të gjithë do të luftojmë për mbrojtje të këtyre vlerave të vërteta evropiane. Detyra jonë, si qeveri që ka marrë mbi 600.000 mijë vota në zgjedhjet e 8 majit, është që së pari të mbrojmë interesat kombëtare dhe interesi kombëtar është anëtarësimi i plotë i vendit në BE", theksoi kryeministri.

Në lidhje me letrën e paralajmëruar në Këshillin Evropian, ai nënvizoi se pas vizitës në Bruksel ka dilema nëse ta dërgojë sepse i ka njoftuar të gjithë me përmbajtjen.

"Duke e marrë parasysh se kryetarja e Komisioni vjen më 24 tetor, patëm mundësi në Berlin jozyrtarisht në drekë të bisedojmë edhe në margjinat e samitit të Procesit të Berlinit dhe me kancelarin Sholc pata një takim jozyrtar, i cili ishte shumë miqësor dhe përmbajtësor", theksoi Mickoski. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR