• e premte, 05 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00/ 16 qershor/ 2025

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski sot në konferencë për shtyp deklaroi se gjithsej 28 persona janë paraqitur për t'u evakuuar nga Izraeli dhe se evakuimi do të kryhet me aeroplanin qeveritar. Ai theksoi se më së voni deri nesër, tetë shtetas tanë, katër prej të cilëve janë fëmijë, do të nisen për në Egjipt dhe me aeroplan qeveritar, të shoqëruar nga një konvoj sigurie do të mbërrijnë në Shkup. "Menjëherë pas marrjes së informacioneve për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Afërt, Ministria, përmes ambasadës sonë në Izrael, filloi aktivitetet për evakuimin e qytetarëve tanë. Është formuar një shtab krize për nxjerrjen e tyre të sigurt. Sipas informacioneve të fundit, 28 qytetarë kanë kërkuar mbështetje për evakuimin. Presim që tetë nga qytetarët tanë të transferohen në territor të sigurt deri në fund të ditës ose më së voni nesër. Do të organizohet edhe një konvoj i sigurt për transport drejt Egjiptit. Grupi i dytë pritet të largohet nga Izraeli menjëherë pas vendosjes së trafikut të rregullt ajror nga Tel Avivi. Në këtë fazë, evakuimi do të kryhet me një aeroplan që do të sigurojë transportin", tha Mucunski në konferencë për shtyp.

Shkup - Nisma për ripërtëritjen e Memorandumit të bashkëpunimit në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, si dhe gatishmëria për një hap të ri konkret përpara në promovimin e bashkëpunimit dypalësh, ishin temat e diskutimit në takimin e sotëm në Shkup midis zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë dhe ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, dhe ministrit të Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit të Malit të Zi, Damjan Çulafiç. Siç bënë të ditur nga Ministria fokus i veçantë iu kushtua menaxhimit të mbeturinave dhe ujërave të ndotura, me theks të veçantë në rëndësinë e shkëmbimit të ekspertizës dhe përvojave për sisteme moderne të selektimit, trajtimit dhe ripërdorimit, si dhe nevojës për komunikim të hapur dhe efektiv me publikun.

Shkup - Në këtë moment për zero euro e kemi futur shtetin në borxh. Këshilli Fiskal për borxhin publik bëri llogaritjet bazuar në atë që kishte si informacione nga mediat, tha sot Ministrja e Financave Gordana Dimitrioska Koçoska. Siç theksoi ajo, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, borxh publik shtesë krijohet nga projekti me "Behtel dhe Enka", në përfundimin e të cilit tani është përqendruar Qeveria. Dimitrioska Koçoska është decide se borxhi regjistrohet në momentin që tërhiqet kredia. Siç do të paguhet dhe siç do të shkojë realizimi dhe zbatimi, ashtu do të ketë rritje të borxhit publik, por në të njëjtën kohë, kjo nuk do të thotë se do të ketë një rritje sepse pagesat e rregullta vjetore bëhen paralelisht, dhe kështu zvogëlohet edhe borxhi. Sipas ministres, opozita po dëmton vendin me komentet e saj mbi borxhin publik, të cilat janë "fakte dhe manipulime joreale dhe të pavërteta". Ajo apelon të mos spekulohet sepse, vuri në dukje, situata është nën kontroll si për sa i përket borxhit publik ashtu edhe buxhetit.

Shkup - Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në bashkëpunim me Shoqatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), sot hapi zyrtarisht Shkollën e parë Kombëtare Verore Rinore për Përfshirje Sociale. Shkolla Verore Rinore do të mbahet nga 16 deri më 20 qershor në Mavrovë, dhe thirrja për pjesëmarrje ishte e destinuar për të rinj nga Maqedonia e Veriut të moshës 16 deri në 22 vjeç. Përafërsisht 40 të rinj kanë mundësinë të marrin pjesë në shkollën verore rinore, e cila është një platformë për fuqizimin e të rinjve si agjentë për ndryshime. Pjesëmarrësit, përmes metodave interaktive të punës, do të kenë mundësinë të takohen dhe të shoqërohen me bashkëmoshatarë nga i gjithë vendi dhe të fitojnë aftësi të reja që lidhen me zhvillimin personal, marrëdhëniet ndërpersonale dhe punën në grup.

Shkup – Ministria e Financave sot, bashkë me Zyrën e OKB-së në Shkup e prezanton Marrëveshjen për financim të aktiviteteve të përbashkëta. Një nga konkluzionet e ngjarjes ishte se duhet të ketë komunikim më të shpeshtë mes donatorëve në shtet që të mos shpenzohen mjete për projekte të njëjta.  Ministrja e Financave, Gordana Dimitrioska Koçoska porositi se projektet kyçe për qytetarët duhet bashkërisht t’i definojnë Qeveria dhe ambasadat prezentë në vend. 

Shkup - Raporti mbi punën e Komisionit të Letrave me Vlerë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2024 u miratua sot nga Komisioni për Financa dhe Buxhet. Komisioneri Kiril Jovanovski, duke e shpjeguar Raportin, theksoi se përveç përmirësimit të performancës institucionale, ata gjithashtu mundësuan zhvillimin dhe stabilitetin e mëtejshëm të tregut të kapitalit dhe si rezultat i gjithë kësaj, besimi publik në institucionet e tregut të kapitalit vazhdoi të rritet vazhdimisht.

Shkup – Koalicioni Fronti Evropian në Kuvend ka parashtruar Propozim-rezolutë për krizën humanitare në Rripin e Gazës. Deputeti Skender Rexhepi nga Fronti Evropian në konferencën e sotme për media në Kuvend njoftoi se rezoluta është miratuar duke u nisur nga parimet themelore të të drejtave të njeriut dhe ndihmës ndërkombëtare humanitare, përgjegjësisë morale dhe juridike të bashkësisë ndërkombëtare që të kundërshtojë shkeljen e të drejtës së jetës dhe dinjitetit të njerëzve.  "Situata alarmante në Rripin e Gazës, e cila po përkeqësohet ndjeshëm si rezultat i bllokadës dhe pengesave për hyrjen e ndihmës humanitare, si dhe shqetësimi i thellë për vuajtjet e popullsisë civile në Gazë, veçanërisht grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Për këtë i kemi propozuar Kuvendit të miratojë rezolutën e mëposhtme mbi situatën humanitare në Rripin e Gazës. Ne dënojmë fuqishëm bllokadën humanitare të zbatuar nga Izraeli në Rripin e Gazës dhe e konsiderojmë atë një formë të ndaluar të ndëshkimit kolektiv sipas ligjit ndërkombëtar. Ne kërkojmë urgjentisht nga Izraeli që të lejojë, pa vonesë, hyrjen e ndihmës humanitare, ushqimit, furnizimeve mjekësore dhe mbështetjes logjistike për popullsinë civile në Rripin e Gazës, në përputhje me ligjin ndërkombëtar", tha Rexhepi, duke shtuar se shprehin solidaritetin e tyre të thellë me popullsinë palestineze në Gazë.

Shkup - Uji në Shkup është cilësor dhe i sigurt për pije, tregojnë rezultatet e analizave të kryera nga NP "Ujësjellës dhe Kanalizim"-Shkup. "Sektori për kontroll sanitar në periudhën nga data 9 qershor deri 13 qershor të vitit 2025 merr 213 mostra për analizë fiziko-kimike dhe 213 mostra për analiza mikrobiologjike të ujit për pije nga 53 stacione matëse në Qytetin e Shkupit. Sipas rezultateve të fituara të hulumtimit, të gjitha mostrat përputhen me Rregulloren e kërkesave për siguri dhe cilësi të ujit për pije, thuhet në kumtesën e NP "Ujësjellës dhe kanalizim"-Shkup. 

Tetovë - Në Universitetin e Tetovës, përkatësisht në Fakultetin Pedagogjik u promovua libri “Zhvillimet aktuale në edukim dhe arsim”. Ky libër përmban përmbledhje punimesh nga konferenca e organizuar nga Shoqata e Pedagogëve të Tetovës, që kanë të bëjnë me problemet aktuale në arsim. Në emër të Fakultetit Pedagogjik foli dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi. Ai tha se ky botim përfaqëson më shumë se një libër. Ai është një pasqyrë reale e sfidave që përjeton arsimi në vendin tonë dhe një dëshmi e përpjekjeve tona të përbashkëta për të reflektuar, analizuar dhe ofruar zgjidhje.

Ankara - Presidentët e Turqisë dhe Rusisë, Rexhep Taip Erdogan dhe Vlladimir Putin kanë biseduar në telefon për konfliktin midis Izraelit dhe Iranit, marrëdhëniet bilaterale dhe çështjet rajonale, kumton zyra e Erdoganit. Erdogani akuzoi Izraelin se po rrezikon sigurinë e gjithë rajonit. “Spirala e dhunës që filloi me sulmet e Izraelit ndaj Iranit rrezikon sigurinë e gjithë rajonit dhe qëndrimi i paligjshëm i qeverisë së Netanjahut përbën kërcënim të qartë për sistemin ndërkombëtar”, ka thënë Erdogani duke shtuar se “rajoni nuk mund të lejojë një luftë tjetër”. Sipas tij e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet me Iranin është përmes diplomacisë dhe se Teherani duhet sa më shpejtë të kthehet në tryezën e negociatave.

Moskë – Rusia sot njoftoi se SHBA-ja e ka anuluar takimin e ardhshëm dypalësh për normalizimin e punës së misioneve diplomatike. Takimi duhej të ishte pjesë e afrimit mes Moskës dhe Uashingtonit, që filloi para disa muajve.  “Takimi i ardhshëm ishte anuluar në nismë të bisedimeve amerikane. Shpresojmë se pauza nuk do të jetë shumë e gjatë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Maria Zaharova, pa i bërë të ditura arsyet për anulimin e takimit.  Bisedimet mbahen pas shpalljes së disa vite deklaratë të ndërsjellë të diplomacive për “persona non grata” dhe pengimin e punës së ambasadave adekuate në kushte të tensioneve ekstreme, veçanërisht në lidhje me konfliktin në Ukrainë.

Vjenë – Populli i Ukrainës nuk dëshiron të jetë subjekt i Rusisë, ata luftojnë për lirinë e tyre. Duhet ta mbrojmë sundimin e drejtësisë dhe demokracinë. Ukraina nuk lufton vetëm për veten, por për gjithë Evropën, deklaroi presidenti austriak Van der Belen në konferencën e përbashkët për media në Vjenë me homologun ukrainas Volodomir Zelenski.  Beleni theksoi se Austria që nga fillimi i luftës pa dyshim e mbështet Ukrainën.  “Austria respekton neutralitetin ushtarak, por jo edhe politik. Rusia padyshim është agresori”, theksoi Beleni gjatë kësaj duke i bëri thirrje Rusisë që ta ndërpresë luftën.  Zelenski e falënderoi Austrinë për mbështetjen e saj për Ukrainën.

Tel Aviv - Izraeli nuk ka për qëllim të lëndojë banorët e Teheranit, deklaroi sot ministri izraelit i Mbrojtjes, Izrael Kac.  “Do të doja të sqaroja atë që duhet të jetë e qartë: nuk ka qëllim për të lënduar fizikisht banorët e Teheranit, ndryshe nga ajo që diktatori (Iran) po u bën qytetarëve të Izraelit”, shkroi Kac në platformën Iks, transmeton Si-En-En.  raporton CNN. Më herët sot, pasi në sulmet iraniane ndaj Izraelit e humbën jetën të paktën tetë civilë, Kac tha se banorët e Teheranit "do të paguajnë çmimin, edhe atë së shpejti" për sulmet e Iranit ndaj Izraelit.

Islamabad– Pakistani i mbylli të gjitha vendkalimet kufitare me Iranin në kohë të pacaktuar, për shkak të sulmeve ndërmjet Izraelit dhe Iranit.  “Vendkalimet kufitare në të gjitha pesë rajonet janë mbyllur”, deklaroi Kadir Baksh Pirkani, përfaqësues i autoritetit lokal në zonën Baluçistan, e cila kufizohet me Iranin  Gjatë fundjavës Teherani njoftoi se Pakistani me armë bërthamore do ta sulmojë Izraelin në rast të ndonjë sulmi bërthamor izraelit ndaj Iranit.  Gjenerali iranian Mohsen Rezai për televizionin shtetëror deklaroi se Pakistani është pajtuar që ta mbështesë Iranin dhe do ta sulmojë Izraelin nëse ai përdor armë bërthamore ndaj Iranit. 

Jerusalem - Izraeli ka dy qëllime në Iran: largimin e kërcënimit bërthamor dhe largimin e kërcënimit me raketa, deklaroi sot kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu gjatë vizitës në bazën Tel Nof. Ai i porositi banorët e Teheranit të largohen nga qyteti. Izraeli po përdor të njëjtën taktikë si në Rripin e Gazës, duke u bërë thirrje civilëve të evakuohen para sulmeve në zonat e banuara. Më parë, presidenti i Izraelit, Isak Hercog, nga qyteti Petah Tikva, ku gjatë sulmeve iraniane e humbën jetën katër persona, theksoi se është koha për ndryshimin e regjimit të Iranit. 

Gazë – Të paktën 40 persona u vranë në sulmin e sotëm izraelit në Rripin e Gazës. Gjysma e viktimave u vranë pranë një qendre të shpërndarjes së ndihmave të Fondacionit humanitar të Gazës (GHF) në Rafah, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë së Palestinës. Sipas burimeve spitalore në sulmet izraelite u lënduan rreth 200 persona. Izraeli ia ka dorëzuar përgjegjësinë për shpërndarjen e pjesës më të madhe të ndihmës humanitare që lejon në Rripin e Gazës GHF-së, një organizatë e re e mbështetur nga SHBA-ja që udhëheq me tre pika kontrolli të mbrojtura nga ushtarët izraelitë.

QËNDRONI TË LIDHUR