• e martë, 19 nëntor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 17 nëntor/ 2024

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot pas takimit me Asociacionin e Bankave të Maqedonisë ku janë precizuar kushtet në të cilat sektori i biznesit do të mund të shfrytëzojë 250 milionë euro nga huaja hungareze, lidhur me interesin, tha se është shprehur gatishmëri nga të dyja palët për të afruar qëndrimet. "Në pjesën e interesit do të negociohet edhe këtë javë dhe pres që deri në fund të javës së ardhshme, në gjysmën e dytë, të kemi një lloj qëndrimi lidhur me këtë çështje dhe në atë mënyrë do ta përfundonim gjithë këtë dhe në fund të fillojmë ta zbatojmë dhe ta transferojmë në ekonomi. Për momentin po përafrohen qëndrimet. Nuk do të flisja tani për përqindje, do të flisja më shumë për vullnetin e shprehur nga të dyja palët për afrimin e qëndrimeve", ka thënë Mickoski. Esenca, shton Mickoski është se ato 3.25 për qind interes si Qeveri doemos se do t’i paguajmë.

Shkup – Vitin e kaluar në shtet ka pasur gjithsej 604 foshnja të lindura para kohe, ndërsa këtë vit numri i foshnjave të lindura para kohe është 681. Me qëllim të parandalimit të lindjes së parakohshme, në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës nga fundi i këtij viti do të fillojë studim pilot për program skriningu falas për detektimin e pacienteve të cilat do të zhvillonin preeklampsi, ndërsa gjithashtu është lëshuar në përdorim edhe aparat respirator transportues intraklinik për ventilim respirator, informoi drejtoresha e kësaj Klinike, prof.dr. Irena Aleksioska Pepestiev. Ajo sot në konferencë për media, me rastin e Ditës Botërore të Foshnjave të Lindura Para Kohe – 17 Nëntori, theksoi se ekzistojnë më shumë faktorë të rrezikshëm për lindjen para kohe, në mesin e të cilave është edhe ajri i ndotur. Siç shtoi, një nga faktorët e rrezikshëm për lindjen para kohe është edhe mosha e grave. Gjithashtu, nënvizoi, shkaqet janë edhe infeksionet, si dhe shtatzënia e shumëfishtë. Drejtoresha theksoi se plani është që këtë vit të përqendrohen më së shumti në preeklampsi. 

Shkup - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska ka uruar Ditën ndërkombëtare të studentëve, 17 Nëntorin, duke theksuar se për Qeverinë aktuale, përkrahja e arsimit dhe përmirësimi i standardeve për studentët janë një prioritet i lartë. "Kemi dëshmuar se jemi të fokusuar te studentët në 4 muajt e fundit, ndërsa unë siguroj se kështu do të mbetet edhe në 4 vitet e ardhshme. Është intensive komunikimi me organizatat studentore. Ministria e Arsimit dhe Shkencës është partneri i tyre dhe së bashku i tejkalojmë sfidat që i tangojnë. Ata marrin pjesë në krijimin e ndryshimeve në sistemin e arsimit të lartë, gjë që duhet të ndodhë", ka publikuar Janevska në faqen e saj në Fejsbuk.

Shkup - Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski ka dërguar urim me rastin e 33 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së parë. "Me miratimin e Kushtetutës në vitin 1991 u ridizajnua rregullimi i brendshëm i sistemit dhe i institucioneve dhe kjo Kushtetutë reflektonte aspiratën e brezit të atëhershëm për një Republikë të lirë, sovrane dhe të pavarur. Me miratimin e Kushtetutës si akt më të lartë juridik, lindi shpresa e qytetarëve për një jetë më të mirë, një shtet demokratik ku do të sundojë ligji", thekson Kostadinovski, informon Gjykata Kushtetuese. Kjo ditë, 17 nëntori, shton Kostadinovski, duhet të jetë një kujtesë e obligimit të gjeneratës sonë, të secilit prej nesh që të mos tradhtojë shpresat e trashëguara dhe të kontribuojë në ndërtimin e shtetit juridik, të përballet me sistemin e vlerave të përfshirë në Kushtetutë.

Shkup - Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski në tre ditët e ardhshme do të realizojë vizitë pune në Talin të Estonisë. Siç ka kumtuar Ministria, në kuadër të vizitës, me ftesë të Akademisë estoneze për e-qeverisje, Andonovski do të jetë një nga folësit kryesor në samitin më të madh të digjitalizimit - Tallinn Digital Summit (https://www.tds.icds.ee/). Andonovski do të mbajë fjalim në panelin me titull "Rezistenca kibernetike dhe partneritetet me Ballkanin Perëndimor: Teknologjia dhe menaxhimi digjital", ku do të flasë për të arriturat e Qeverisë së re në drejtim të shërbimeve të reja elektronike, përmirësimit të proceseve të menaxhimit dhe planeve dhe vizionet me strategjitë kombëtare për sigurinë kibernetike dhe për zhvillimin e TIK.

Shkup – Zëvendësministrja e Çështjeve Evropiane dhe zëvendës kryenegociatore me BE-në, Viktorija Trajkov prej sot do të jetë për vizitë dyditore pune në Budapest, ku do të ketë shumë aktivitete të drejtuara në avancimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe arsimor mes Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë. Në kuadër të vizitës është paraparë edhe takim me ministrin hungarez të Çështjeve Evropiane, Janosh Boka.  Siç bëri të ditur MÇE, kjo vizitë është pjesë e angazhimeve për përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe me vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe për fuqizimin e mbështetjes të cilën vendi e merr në procesin e integrimit evropian në Presidencën hungareze me BE-në. 

Shkup - SPB Shkup i njofton qytetarët e Shkupit se sot me fillim në orën 16:00, për shkak të mbajtjes së garës ndërkombëtare të atletikës natën “13 Nëntori”, Njësia për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë SPB Shkup do të ndërmarrë masa për regjim të posaçëm të trafikut, me ç’rast komunikacioni do të realizohet nëpër rrugët e afërta. Ngjarja do të zhvillohet në këtë itinerar: nga porta "Maqedonia", përmes sheshit "Maqedonia", përgjatë rrugës "Nikolla Vapcarov", në të djathtë përgjatë rrugës "Dimitrie Çupovski", deri në kryqëzimin me rrugën "Dame Gruev", gjysmërreth prapa përgjatë së njëjtës rrugë, në vazhdim përgjatë rrugës "11 Tetori" deri në kryqëzimin me bulevardin "Koço Racin", në një gjysmërreth prapa përgjatë së njëjtës rrugë, djathtas përgjatë rrugës "Filipi II i Maqedonisë”, majtas përgjatë rrugës hyrëse të QTQ dhe djathtas në fund te porta “Maqedonia” në Shkup.

Shkup  – Me rastin e Ditës së Çlirimit të Shkupit, 13 Nëntori, ndërsa në organizim të Federatës së Atletikës së Maqedonisë do të mbahet gara tradicionale ndërkombëtare e atletikës natën “Përgjatë rrugëve të Shkupit 2024”, me fillim në orën 16.  Gara e atletikës së natës është një nga manifestimet më të vjetra në vendin tonë dhe ndër më të vjetrat në Ballkan dhe tradicionalisht mbahet çdo nëntor për nder të çlirimit të qytetit të Shkupit. Gara e parë u zhvillua në vitin 1953 dhe u zhvillua në konkurrencë individuale dhe ekipore, fillimi dhe fundi ishin në mes të sheshit dhe gjatësia ishte 5 km, qëndron në njoftimin e organizatorëve. Në programin e edicionit të këtij viti janë dy gara edhe atë gara kryesore në 5 kilometra dhe gara e fëmijëve deri 12 vjet në 400 metra, me më shumë se 400 pjesëmarrës të regjistruar në të dyja garat. 

Shkup  - Nga data 15.11.2024 fillon detyrimi ligjor për posedim të detyrueshëm të pajisjeve dimërore në vetura, pa marrë parasysh gjendjen momentale të motit. Ky detyrim do të zgjasë deri më 15.03.2025.  Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë kryesisht të lagështa në vendet më të larta dhe kryesisht të thata në vendet më të ulëta. Dukshmëri të ulur për shkak të paraqitjes së mjegullës deri 50 metra ka në qafën malore Gjavatë dhe deri 100 metra në qafën malore Presekë. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. 

Kiev – Shpërthime e goditën kryeqytetin e Ukrainës Kiev dhe qytete të tjera, ndërsa Polonia fqinje e rriti alarmin për aeroplanë në orët e hershme të mëngjesit sot pasi të dyja vendet raportuan një sulm masiv rus me raketa.  “Për shkak të sulmit masiv me raketa të Rusisë me raketa kryqëzuese dhe balistike dhe me fluturake pa pilot kundër objektivave të vendosura veçanërisht në Ukrainën perëndimore, aeroplanët polakë dhe aleatë filluan të operojnë në hapësirën tonë ajrore, njoftoi komanda operacionale e Forcave të Armatosura të Polonisë në rrjetin social "X".  Shtohet se “të gjitha forcat dhe burimet në dispozicion janë aktivizuar, aeroplanët luftarakë janë vënë në gatishmëri, ndërsa mjetet tokësore për mbrojtje ajrore dhe mbikëqyrje me radar janë vendosur në nivelin më të lartë të gatishmërisë”. 

Kiev – Rusia lansoi rreth 120 raketa dhe 90 fluturake pa pilot në një sulm të kombinuar ajror “masiv” ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, deklaroi presidenti ukrainas, Volodomir Zelenski.  “Objektivi i armikut ishte infrastruktura jonë energjetike përgjatë Ukrainës. Për fat të keq, ka dëmtim të objekteve nga goditjet dhe rënia e mbetjeve”, shkroi ai në deklaratën në rrjetet sociale.  Sulmi ajror rus në Ukrainë në orët e hershme të mëngjesit sot shkaktoi “dëm serioz” të pajisjes së termocentraleve të furnizuesit më të madh privat me energji në Ukrainë, DTEK, njoftoi kompania. 

Moskë – Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitrij Medvedev, paralajmëroi se armata ruse po kryen sulm të përqendruar ndaj objekteve infrastrukturore të Ukrainës, duke theksuar se fati i njëjtë i pret edhe rezultatet nga investimet amerikane në këtë territor.  “Rezultatet materiale nga investimet amerikane në territorin e ish Ukrainës, në kushte të vazhdimit të konfliktit me Rusinë, do ta presin fatin e këtyre objekteve infrastrukturore të cilat mëngjesin e sotëm ishin të nënshtruara në sulmin e përqendruar rus”, shkroi politikani.  Sipas tij, vazhdimi i konfliktit në Ukrainë është në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat i rritën dërgesat e tyre të gazit të lëngshëm natyror në Evropë për shkak të sanksioneve antiruse. 

Berlin - Opozita ruse në ekzil për shkak të represionit dhe e dobësuar nga konfliktet e brendshme, sot në Berlin organizon demonstratën e saj të parë të madhe jashtë vendit kundër invazionit në Ukrainë dhe presidentit rus Vlladimir Putin që do të jetë njëherësh test i kredibilitetit të tij politik. Autoritetet ruse kanë çrrënjosur sistematikisht çdo mospajtim gjatë viteve të fundit, duke burgosur qindra apo edhe mijëra njerëz dhe duke e bërë të pamundur çdo veprim protestues. Opozita e cila humbi figurën e saj drejtuese në shkurt, Aleksej Navalnin i cili vdiq në rrethana misterioze në burg është privuar nga mjetet për të vepruar në Rusi dhe për këtë arsye është detyruar të rifillojë lëvizjen nga jashtë.

Moskë - Forcat ruse kanë kryer një sulm masiv ndaj objekteve energjetike që furnizojnë industrinë ushtarake të Ukrainës, bënë të ditur agjencitë ruse të lajmeve duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes në Moskë. Është goditur edhe infrastruktura e aeroportit të ushtrisë ukrainase, shtojnë nga Departamenti ushtarak. Gjatë ditës së sotme, presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski madje bëri të ditur se Rusia kishte lëshuar rreth 120 raketa dhe 90 dronë në një sulm masiv ajror "të kombinuar" kundër sektorit energjetik të Ukrainës. 

Gazë – Në sulmet e forcave izraelite mëngjesin e sotëm përgjatë Rripit të Gazës u vranë të paktën 96 persona, ndërsa më shumë se 60 janë plagosur, informojnë sot mediat arabe.  Forcat izraelite (IDF) kryen sulme ndaj ndërtesave banesore në Beit Laija, Nusejrat, Burei dhe Xhabalia, njoftoi zyra e mediave në enklavën e okupuar palestineze, transmeton Al Xhezira.  Armata okupatore e dinte se në këto shtëpi dhe ndërtesa banesore jetojnë dhjetëra civilë të zhvendosur, prej të cilëve shumica fëmijë dhe gra, thuhet në kumtesë.

Uashington – Presidenti i porsazgjedhur i SHBA-së, Donald Tramp, paralajmëroi se për sekretar të energjetikës do ta nominojë Kris Rajt, drejtor ekzekutiv i kompanisë së naftës “Liberti energji”.  Rajt është themelues dhe drejtor ekzekutiv i “Liberti energji” me seli në Denver, ofrues kryesor i shërbimeve energjetike në Amerikën e Veriut. Pritet që Rajt ta mbështesë planin e Trampit që ta maksimizojë prodhimtarinë e naftës dhe gazit, si dhe të gjejë mënyra për rritjen e prodhimtarisë së energjisë elektrike.  Rajt sipas gjitha gjasave do ta ndjekë edhe qëndrimin e Trampit kundër bashkëpunimit global në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Jerusalem – Dy raketa mbrëmë ranë në afërsi të rezidencës private të kryeministrit Benjamin Netanjahu në qytetin Cezarea, në qendër të Izraelit, njoftuan shërbimet e sigurisë dhe e përshkruan si “rast serioz”.  “Rreth orës 19:30 (sipas kohës lokale), dy raketa ranë në oborrin para rezidencës së kryeministrit”, thuhet në kumtesën e përbashkët të policisë dhe shërbimit izraelit të inteligjencës Shin Bet.  “Kryeministri dhe familja e tij nuk ishin në shtëpi”, shtojnë shërbimet, duke vlerësuar se bëhet fjalë për “përshkallëzim të rrezikshëm”.  Nuk është precizuar prej ku ishin gjuajtur raketat. 

Teheran - Ministri iranian për Punë të Jashtme, Abas Arakçi ka paralajmëruar sot mundësinë e fillimit të negociatave midis Teheranit dhe Evropës, transmetojnë mediat iraniane. “Ekziston një interes i vendeve evropiane për fillimin e negociatave dhe me gjasë do të ndodhë”, tha ai. Ai gjithashtu mohoi pretendimet se ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara është takuar me drejtorin ekzekutiv të X, Ilon Mask në Nju Jork.

Nion– Asociacioni i Futbollit Evropian ka hapur procedurë disiplinore kundër përfaqësueseve të Kosovës dhe Rumanisë për shkak të sjelljes së tifozëve gjatë ndeshjes të së premtes të Ligës së Kombeve, informon “Bi-bi-si”. Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) në fund të takimit i akuzoi tifozët rumunë për diskriminim, për çka futbollistët e tyre ishin të detyruar të largohen nga tereni në Bukuresht.  Si përgjigje, Federata e Futbollit të Rumanisë (FRF) njoftoi se nuk ka pasur brohoritje raciste gjatë ndeshjes.  Përfaqësuesja e Rumanisë, pa këtë ndeshje, gjendet në vendin e parë në grupin 2 të Ligës C, me 12 pikë, Kosova është në vendin e dytë me 9 pikë.

Liverpul – Futbollisti i Liverpulit, Mohamed Sallah ka folur për lojtarët e tij të preferuar nga fëmijëria. "Më pëlqenin se si luanin braziliani Ronaldo, Zidan dhe Toti. I kam shikuar gjithmonë, ata e kanë shijuar lojën. Kristiano Ronaldo ishte poashtu njëri të cilit i kushtoja vëmendje kur fillova të luaja në Evropë. Ai është jashtëzakonisht i përkushtuar ndaj futbollit, është e mahnitshme se si ju shikon. I shikoja këta djem kur isha i ri dhe doja të luaja me ta ose të bëhesha si ata një ditë. Kam pasur një mundësi të shkëlqyer për të luajtur me Totin, kam kaluar dy vjet me të te Roma. Ishte një kohë e jashtëzakonshme", ka thënë Sallah për "Miror". Këtë sezon, 32-vjeçari egjiptian ka bërë 17 paraqitje për Liverpulin në të gjitha garat, duke shënuar dhjetë gola dhe dhjetë asiste. Sallah luan për Liverpulin që nga viti 2017.

QËNDRONI TË LIDHUR