18:00/ 17 qershor/ 2025
Shkup - Punohet që 40 kilometrat e para të autostradës Kërçovë-Ohër të lëshohen më 10 korrik, ndërsa deri në fund të muajit edhe autostrada ekspres Drenovë-Farish, paralajmëroi sot kryeministri Hristijan Mickoski. "Në seksionin Kërçovë-Ohër, pres që në fillim të korrikut, do të vonohemi nga ajo që thamë, diku rreth dy javë, që e thamë një vit më parë. Ndoshta mund ta kishim përfunduar rreth dhjetë ditë më parë, por edhe atje personalisht si ministri ashtu edhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore janë në terren çdo ditë, në mënyrë që të arrijmë dinamikën, në mënyrë që seksioni nga Vrbjani deri në Ohër të mund të hapet diku rreth datës 10 korrik. Me përjashtim të seksionit te Botuni, ato 4-5 kilometra ku kemi një rrëshqitje të tokës e cila duhet të sanohet. Pra, diku rreth dyzet kilometra do të vihen në funksion. Gjithashtu, këtu kemi një vonesë në projektimin e atyre rrëshqitjeve të tokës që duhet të sanohen, por mendoj se arritëm t'i motivojmë kompanitë që ta përmbushin afatin dhe ta hapin plotësisht atë rrugë deri në fund të vitit 2026, fillim të vitit 2027. E dini që nuk ishte askund", ka thënë ai.
Shkup – Sot, Ministria e Financave dërgoi kërkesë për shprehje interesi te 22 institucione financiare ndërkombëtare dhe banka të huaja komerciale për financimin e projektit për ndërtimin e linjës së shpejtë hekurudhore përgjatë Korridorit 10. "Bëhet fjalë për institucione financiare nga Evropa, SHBA-ja, Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar, disa prej të cilave janë institucione me të cilat vendi ka bashkëpunuar paraprakisht në projekte të caktuara. Kërkesë më konkrete i është dorëzuar Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane Investuese, Fondit të Zhvillimit Ndërkombëtar të OPEC-ut, Agjencisë Franceze të Zhvillimit, Bankës Zhvillimore KfW, Bankës Zhvillimore të Italisë, Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Bankës Gjermane DZ, Morgan Stanley-it, Bankës UniCredit në Austri, Bankës City, JP Morgan-it, Bankës Deutche, Bankës Societe Generale, Bankës ERSTE, Bankës IMI, Bankës britanike Standard Chartered, Bankës së Amerikës, Bankës Japoneze MUFG, si dhe Bankës Amerikane Goldman Sachs. Vlera që kërkohet për realizimin e këtij projekti është 1,91 miliardë euro", kumtoi shërbimi për shtyp i Ministrisë së Financave.
Shkup - Kuvendi sot në kuadër të seancës së 53-të plenare e miratoi Strategjinë fiskale të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitet 2026 - 2030 dhe ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Planifikim Urbanistik, ndërsa përfundoi debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe shtesë do të votohet edhe për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për arsimin fillor. Strategjia fiskale u shpjegua nga zëvendësministri i Financave, Nikolçe Jankulovski, i cili tha se dokumenti përmban drejtimet dhe qëllimet afatmesme të politikës fiskale, projeksionet themelore makroekonomike, shumat për kategoritë kryesore të të ardhurave dhe shpenzimeve të vlerësuara, si dhe projeksionet për deficitin buxhetor dhe borxhin.
Shkup - Deputetët sot e përfunduan debatin e përgjithshëm për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa votimi, siç kumtoi nënkryetari i Kuvendit Antonio Milloshoski, do të mbahet shtesë. Ndryshimet miratohen pesë muaj para zgjedhjeve të ardhshme lokale. Propozimin, i cili po miratohet me procedurë të shkurtuar, e dorëzuan koordinatorët e grupeve parlamentare nga shumica qeverisëse dhe LSDM-ja opozitare, Bekim Qoku, Boban Karapejovski, Bojan Stojanoski, Gjorgjija Sajkoski, Nikola Micevski dhe Oliver Spasovski, ndërsa Fronti Evropian dhe e Majta deklaruan se nuk do ta mbështesin atë.
Shkup - Asambleja e Qytetit të Los Anxhelosit në shtetin amerikan të Kalifornisë në nderim dhe kujtim të viktimave të tragjedisë së Koçanit u ndriçua me ngjyrat e flamurit të Maqedonisë së Veriut - të kuqe dhe të verdhë, nga dje në orën 20 deri mëngjesin e sotëm të orës 6, sipas kohës lokale. Nga Kisha Ortodokse e Maqedonisë në Los Anxhelos shprehën solidaritet me familjet e viktimave dhe mirënjohje për organizimin e kësaj ngjarje nga një këshilltar i pushtetit lokal të Los Anxhelosit në shenjë respekti për viktimat e tragjedisë së fundit në Koçan. "Shprehim solidaritet të thellë me njerëzit e Koçanit, me komunitetin global maqedonas dhe të gjithë të prekurit, ndërsa vazhdojmë të vajtojmë këtë humbje të dhimbshme. Ky homazh prekës, i cili jepet tre muaj pas katastrofës, do të jetë një kujtesë se uniteti dhe dhembja jonë, edhe përtej oqeaneve, mbeten të palëkundura. Falënderojmë sinqerisht këshilltarin e qytetit Soto-Martinez të Distriktit 13, ekipin e tij të mrekullueshëm dhe Qytetin e Los Anxhelosit për solidaritetin e tyre me popullin maqedonas”, theksohet në postimin në Fejsbuk të Kishës maqedonase.
Shkup - Zhvillimet dinamike gjeopolitike e përforcuan nevojën që Maqedonia e Veriut të përshpejtojë kalimin drejt burimeve të rinovuara të energjisë dhe pavarësisë më të madhe energjetike. Vendi mbetet partner aktiv dhe i përkushtuar në procesin rajonal në transformimin energjetik. Përmes qasjes vizionare, kornizës rregullator të harmonizuar dhe partneriteteve të fuqishme ndërkombëtare, vendi jo vetëm që po ju përgjigjet sfidave globale, por edhe në mënyrë aktive po kontribuon në formësimin e tyre, tha ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani. Në panelin me titull "Financimi i ambicioneve të energjetikës", i cili u mbajt në kuadër të Forumit të hartimit të së ardhmes së energjetikës së Ballkanit Perëndimor (MEF-WB Energy Forum 2025) , Murtezani theksoi se Qeveria rishikoi Planin Nacional të energjetikës dhe klimatik se si të përafrohet plotësisht me Marrëveshjen e gjelbër Evropiane dhe Marrëveshjen e komunitetit energjetik, dhe njëkohësisht mobilizon të gjitha instrumentet në dispozicion për financim, siç janë Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe IPA III.
Shkup - Në kuadër të apelit të Kryqit të Kuq të RMV-së për mbështetje të të prekurve nga zjarri katastrofik në Koçan, në periudhën nga 16.03.2025 deri më 16.06.2025, janë mbledhur gjithsej 153.931.166 denarë. Kryqi i Kuq i RMV-së ka kryer pagesa për të prekurit nga zjarri në Koçani në disa raste. Siç binë të ditur nga Kryqi i Kuq, me transferin e fundit të sotëm, janë paguar mjete për 156 persona, ndërsa në ditët në vazhdim do të kryhet transfer i mjeteve edhe për 11 persona.
Shkup - Për shkak të rritjes së shkallës së krimit, sulmeve terroriste që po ndodhin, ankthit të shoqërisë kundër të gjitha këtyre po rritet, njerëzit ndihen gjithnjë e më shumë si të huaj në vendin e tyre, tha kryeministri hungarez Viktor Orbаn, duke marrë pjesë në podkastin e Noufal. Më 9 qershor, Orbаn ishte i ftuari i Mario Noufal, prezantuesit të emisionit më të madh në X (ish Tëitter), i cili ka miliona shikues në javë, një udhëheqës i lëvizjes së gazetarisë civile dhe themelues dhe drejtor ekzekutiv i IBC Group - inkubatori më i madh në kripto dhe inteligjencën artificiale dhe një nga zërat kryesorë në industri. Gjatë kësaj vizite, kryeministri hungarez trajtoi në mënyrë të veçantë problemet me migrimin në vendet evropiane, duke theksuar se askush nuk do të hyjë në vendin e tij pa leje, pavarësisht nga dënimet e BE-së, sepse është një krim, dhe dëmi nga imigracioni i pakontrolluar i emigrantëve është afatgjatë.
Shkup - Prokurori publik i shtetit, Lupço Kocevski, sot së bashku me shefin e Prokurorisë themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Islam Abazi dhe Prokuroren publike për lidhje të vendit “Eurojust” Lençe Ristoska, morën pjesë në Forumin e dytë vjetor konsultativ të shefave të shteteve dhe Zyrave të Prokurorëve special në Ballkanin Perëndimor i cili mbahet në Tiranë në organizim të “Eurojust”. Siç informon PTHP, në takimin e sotëm, Prokurori publik republikan Kocevski theksoi se zgjidhjet për sfidat me të cilat përballet rajoni janë në veprim të përbashkët, shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit, si dhe lidhjen e marrëveshjeve për formimin e ekipeve të përbashkëta hetimore. Sipas Kocevskit, në këtë mënyrë, jo vetëm që do të rritet efikasiteti i institucioneve, por do të rritet edhe siguria juridike për qytetarët që presin rezultate.
Shkup - Komisioni i përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve në seancën e sotme të 4-të pa praninë e deputetëve të shumicës me pesë vota "për", pa asnjë të përmbajtur ose kundër, solli vendim për mbajtjen e Debatit mbikëqyrës me temën "Lëshimet e organeve shtetërore që kontribuuan në tragjedinë në Koçan më 16 mars 2025". Në seancën e mëparshme më 6 qershor të këtij viti në Komisionin anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve nuk u pranua propozimi i Dimitar Apasievit për të plotësuar rendin e ditës së seancës me debat mbikëqyrës mbi tragjedinë në Koçan. Arsyeja për mospranimin e këtij propozimi, siç theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, është se tashmë është në rrjedhë iniciativa për debat mbi tragjedinë në Koçan e cila është dorëzuar në Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive, por pritet që të përfundojë hetimi dhe të publikohet aktakuza, para se tema të mund të debatohet në Parlament.
Shkup - Ministrja për Çështje Evropiane e Mbretërisë së Danimarkës, Mari Bjere nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Maqedoni. Vizita është në prag të kryesimit danez të Këshillit të BE-së. Bjere do të takohet me homologun e tij nga Maqedonia, ministrin për Çështje evropiane, Orhan Murtezani me çka është paralajmëruar konferencë e përbashkët për shtyp. Siç informon kabineti i Murtezanit, bisedimet midis dy delegacioneve do të përqendrohen në integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, marrëdhëniet bilaterale, prioritetet rreth reformave dhe sfidat aktuale rajonale dhe gjeopolitike. Pas vizitës në Ministrinë e Çështjeve evropiane, Bjere do të realizojë takim edhe me përfaqësuesit e Komisionit për Çështje evropiane në Kuvend.
Shkup - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski mori pjesë në panelin ministror të nivelit të lartë në Samitin Digjital në Gdansk, një ngjarje strategjike e organizuar në kuadër të presidencës polake me Këshillin e Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, kumtoi kabineti i tij. Në panelin „Skills Gap – Ensuring ICT Talent Development“ u diskutua për një nga temat më të rëndësishme në Evropën digjitale – mungesën e TIK talenteve dhe nevojën për ndërtimin sistematik të aftësive digjitale. Në panel morën pjesë edhe përfaqësues të lartë nga Bashkimi Evropian, përfshirë ministren e Drejtësisë dhe Digjitalizimit të Estonisë Liisa-Li Pakosta, drejtoreshën e Fondacionit evropian për trajnim, Pilvi Torsti, drejtorin ekzekutiv të Synerise Jaroslav Krulevski dhe ministrin Andonovski nga Maqedonia.
Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili nga 17 deri më 19 qershor 2025 është në vizitë zyrtare në Republikën e Azerbajxhanit, sot pati takim kryetaren e Asamblesë Nacionale të Republikës së Azerbajxhanit (Milli Mexhlis), Sahiba Gafarova, me ftesë të së cilës po bën vizitën. Siç theksohet në kumtesën nga shërbimi për shtyp i qeverisë, në delegacionin, , i cili u prit me nderime të larta, janë edhe deputeti Petar Markov, i cili është edhe kryetar i Grupit Parlamentar për bashkëpunim me Azerbajxhanin, deputetja Imrlije Saliu-Fetai, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska.
Shkup - Jemi krenarë për profesionalizmin e njësive tona elitare, të cilat, krah për krah me partnerët e tyre të Armatës së SHBA-së, shkëmbejnë përvoja dhe njohuri, theksoi drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, i cili mori pjesë në stërvitjet ushtarake dhe antiterroriste të njësitit special NJSA - Tigrat. Siç bëjnë të ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme, Janevi theksoi se ky trajnim është një tjetër konfirmim i nivelit të besimit dhe bashkëpunimit që kemi me aleatët tanë strategjikë.
Shkup – Pas një sëmundje të shkurtër sot ndërroi jetë Vladimir Lape, gazetar shumëvjeçar dhe doajen i gazetarisë maqedonase. Është lindur në Shkup në vitin 1946. Me gazetari filloi të merret që në ditët studentore në mes të viteve të 60-ta në redaksinë Të rinj për të rinj në Radion e atëhershme “Skopje”, ndërsa pastaj edhe si një nga redaktorët e valës së parë të gazetarëve redaktorë progresivë të javores për të rinj “Fokus”. Në Televizionin e Maqedonisë Televizioni i atëhershëm “Skopje” fillon me punë në vitin 1970 dhe i kalon të gjitha shkallët profesionale, nga gazetar komentues, udhëheqës, deri në kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës për politikë të jashtme në RTM.
Tetovë – Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu sot në Tetovë bisedoi me drejtorin e Spitalit Klinik rreth nevojave të institucionit, si dhe për problemin me rreth 140 persona të cilët janë me kontratë në vepër dhe të cilët nëpërmjet protestave kërkuan punësim në kohë të pacaktuar. “Drejtori më informoi për sfidat që ekzistojnë, në mënyrë që të zgjidhim problemet sa më shpejt të jetë e mundur, të cilat janë akute, ndërsa ju e dini që sistemi i kujdesit shëndetësor është i madh, ka probleme të tilla akute dhe do të duhet të gjejmë zgjidhje hap pas hapi. Patëm edhe një takim me të punësuarit këtu, po punojmë për zgjidhjen e atij problemi, mendoj se do të kemi një zgjidhje në një kohë të shkurtër. Po punojmë për transformim dhe pas atij transformimi do të na duhen punësime të reja, sepse ato janë një pjesë jetësore e sistemit, përndryshe nuk mund të funksionojë”, theksoi Azir Aliu. Përfaqësuesit e personelit mjekësor theksuan se presin që të përmbushet premtimi i dhënë nga ministri.
Tetovë - Më 11–12 qershor 2025, në Universitetin e Arteve në Tiranë u mbajt Konferenca e Parë Ndërkombëtare mbi Artet dhe Edukimin – ICAE 2025. Në këtë veprimtari morën pjesë hulumtues shkencorë nga lëmenj të ndryshëm si arti pamor, dizajni, muzika, teatri dhe pedagogjia, me synimin për të eksploruar rrugë të reja bashkëpunimi ndërdisiplinor dhe për të thelluar dialogun ndërkombëtar në fushën e arteve dhe të edukimit. Në konferencë, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës u përfaqësua me dinjitet nga dy prodekanet të cilat kontribuuan me prezantime që pasqyrojnë orientimet bashkëkohore të kërkimit artistik.
Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas ceremonisë zyrtare të pritjes me nderime ushtarake nga presidenti i Hungarisë, Tamas Suliok ka zhvilluar takim bilateral. Pas këtij takimi, Osmani mori pjesë në drekën zyrtare të shtruar nga presidenti Suliok, në të cilën u diskutua për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. “Sot në takim me presidentin hungarez, Tamas Suliok, diskutuam thellimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve tona. Potenciali për rritjen e mëtejme të bashkëpunimit Kosovë–Hungari është i madh dhe vendi ynë mbetet i përkushtuar për të hapur kapituj të rinj në marrëdhëniet tona. Në takim i shpreha presidentit Suliok mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për rolin e Hungarisë në kuadër të KFOR-it, për mbështetjen e dhënë studentëve të Kosovës ndër vite, si dhe për iniciativat që kanë afruar edhe më shumë dy vendet tona”, ka thënë Osmani.
Moskë – Koreja e Veriut do të dërgojë mijëra pjesëtarë të inxhinierisë dhe çminues në Rusi, paralajmëroi sot nga Pheniani sekretari i Këshillit rus të Sigurisë, Sergej Shojgu. Siç informuan paraprakisht mediat ruse, Shojgu është për vizitë në Korenë e Veriut në kuadër të misionit “special” dhe sipas gjitha gjasave do të takohet edhe me liderin koreanoverior Kim Xhong – un. Shojgu në Phenian ishte edhe në fillim të këtij muaji, kur realizoi takim me Kimin.
Pekin – Pekini zyrtar njoftoi se presidenti amerikan Donald Tramp me këshillën për banorët eTeheranit që të largohen nga qyteti dhe Irani ta nënshkruajë marrëveshjen “hedh vaj në zjarr” në konfliktin izraelit-iranian. Hedhja e vajit në zjarr, dërgimi i kërcënimeve dhe presioni nuk do të kontribuojnë për qetësimin e situatës, por vetëm do t’i rrisë tensionet dhe do ta vazhdojë konfliktin, deklaroi sot zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Gjuo Xhiakun.
Teheran– Ish komandanti i Forcave të korpusit të gardës revolucionare të Iranit (IRGC), Ahmad Vahidi tha se Irani ende nuk ka përdorur gjeneratën e re të raketave dhe së shpejti do të prezantojë inovacione të reja në fushën e betejës. Ndërkohë, ministri i jashtëm iranian, Abas Aragçi akuzoi Izraelin për sulmin ndaj objekteve iraniane të naftës në Gjirin Persik. Ai tha se sulmet janë pjesë e një strategjie më të gjerë për përshkallëzim të konfliktit dhe përfshirje të aktorëve të tjerë rajonal dhe global në konflikt.
Uashington – Portali amerikan Aksios (Axios) duke iu referuar përfaqësuesve anonimë qeveritarë njoftoi sot se presidenti Donald Tramp e ndaloi planin për atentat ndaj liderit suprem iranian ajatollahut Ali Hamnei gjatë fundjavës. Armata izraelite ka vlerësuar se ka mundësi për sulm, por Trampi nuk e pranoi planin. Sipas Aksios, Shtëpia e Bardhë vazhdon t’i mbështesë qëllimet e Izraelit për shkatërrimin e programit iranian bërthamor dhe me raketa, por është kundër planit për rrëzimin e Republikës Islamike me dhunë.
Teheran - Në sulmin e sotëm izraelit, një tjetër shpërthim është shënuar në afërsi të selisë së televizionit shtetëror iranian (IRIB). Izraeli dje për herë të parë e sulmoi ndërtesën e IRIB-it, e cila ndodhet në pjesën veriore të Iranit. Pas sulmit të djeshëm izraelit, IRIB për kohë të shkurtër nuk transmetoi asnjë program. Pas disa minutash ndërprerje, IRIB rifilloi transmetimet, me një mesazh në ekrane që thoshte se "të gjitha programet vazhdojnë drejtpërdrejt, pa ndërprerje" dhe se Izraeli "shënjestroi një nga ndërtesat e televizionit shtetëror iranian në një sulm brutal".
Tel Aviv – Në pjesën qendrore të Izraelit u aktivizuan sirenat për alarm pasi Irani lansoi raketa balistike. Forcat izraelite të sigurisë (IDF) pesë minuta para se të aktivizohen sirenat i paralajmëruan qytetarët që të strehohen. Autoritetet izraelite njoftuan se në sulmin më të ri iranian nuk ka persona të lënduar. IDF bëri të ditur se ndaj Izraelit qendror janë gjuajtur më pak se 10 raketa, prej të cilave shumica ishin kapur.
Teheran- Organizata jofitimprurëse "Hjuman rajts aktivists in Iran" (Human Rights Activists in Iran) e cila monitoron numrin e viktimave civile dhe ushtarake, kumtoi se mbi 450 persona janë vrarë gjatë katër ditëve të fundit nga sulmet izraelite. Sipas të dhënave të organizatës, jetën e kanë humbur 224 civilë, ndërsa 188 janë lënduar, ndërsa janë vrarë 109 ushtarë iranianë, derisa 123 janë lënduar. Poashtu, 119 viktima ende nuk janë identifikuar, ndërsa 335 persona janë lënduar, për të cilët ende nuk dihet nëse janë ushtarë apo civilë. Sipas organizatës iraniane për të drejtat e njeriut, numri i përgjithshëm i viktimave është 452, ndërsa 646 persona janë lënduar.
Nion - Kampioni i Maqedonisë në futboll, Shkëndija do të përballet me ekipin TNS të Uellsit në raundin e parë kualifikues të Ligës së kampionëve (LK), është bërë e ditur nga shorti i sotëm në selinë e UEFA-s në Nion. Ndeshjet e para të sezonit të ri të Ligës së kampionëve 2025/26 janë paraparë më 8 dhe 9 korrik, ndërsa ndeshjet kthyese më 15 dhe 16 korrik. Shkëndija do ta presë TNS-në në ndeshjen e parë, përpara ndeshjes kthyese në Maqedoni një javë më vonë. Për Shkëndinë dhe TNS ky do të jetë takimi i dytë, pasi në vitin 2018 skuadra nga Maqedonia e eliminoi kundërshtarin nga Uellsi në raundin hapës të kualifikimeve të Ligës së kampionëve. Shkëndija fitoi ndeshjen e parë në shtëpi me rezultat 5-0, ndërsa në Uells humbi 4-0.