• e premte, 05 dhjetor 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/1 tetor/2025

Shkup - Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, priti ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në vend. Siç bëri të ditur Kabineti i zëvendëskryeministrit Fetati, takimi, i cili u zhvillua me qëllim thellimin e bashkëpunimit dypalësh, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të forta dhe miqësore midis dy vendeve, të cilat shërbejnë si model për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. 

Shkup  - Gjykimi për rastin "Shtekli", në të cilin disa persona akuzohen për shitje të organizuar të drogës, shtyhet për më 9 tetor, me kërkesë të avokatit të të pandehurit të parë Rade Trajkovski Shtekli. Shtekli para fillimit të seancës së sotme pësoi një lloj sulmi epileptik dhe u rrëzua në sallën e gjyqit. Pas ndihmës së dhënë nga mjekët e ndihmës së shpejtë, Shtekli refuzoi të marrë terapi, ndërsa Gjykata vendosi të vazhdonte ndjekjen e seancës nga një hapësirë tjetër në Gjykatë. "E kontrolluam. Ishte i kontaktueshëm, vetë tha se nuk e di ku gjendet. Nuk donte të merrte terapi, sepse po merrte terapi të tjera në burg. Nuk dëshironte të nënshkruajë deklaratë se e ka refuzuar terapinë", tha mjekja.

Shkup - Ministri i Sportit, Borko Ristovski, sot shënoi fillimin e rikonstruimit të plotë të këndit shumëfunksional të lojrave në Komunën e Tearcës.  Ky projekt përfaqëson edhe një investim të Ministrisë së Sportit për ndërtimin dhe rikonstruimin e insfrastrukturës sportive në të gjithë vendin. Kompleksi i ri sportiv do të përfshijë një fushë futbolli, një fush basketbolli dhe një zonë fitnesi në ambient të hapur, duke krijuar hapësirë për sport dhe rekreacion të qasshëm për të gjitha gjeneratat. 

Prilep - Ka një propozim, të cilin me siguri do ta pranojmë që disa herë të rriten gjobat, nga 20.000 euro të tanishme, për mosrespektimin e Ligjit për praktika të padrejta tregtare, njoftoi zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës Marjan Risteski. Risteski sot pati takim me biznesmenët nga oda ekonomike rajonale e Prilepit. "Një nga propozimet, të cilin me siguri do ta pranojmë për respektim më të madh të Ligjit për praktika të padrejta tregtare është rritja e politikës ndëshkuese. Propozimi është gjoba e tanishme prej 20.000 euro disa herë të rritet gjë që nuk është shumë duke pasur parasysh se po flasim për supermarkete dhe kompani tregtare në vend. Ndryshe, inkurajoj kompanitë nga rajoni, veçanërisht për prodhimin e ushqimit, të raportojnë shkeljet ligjore në KMK", deklaroi Risteski.

Tetovë - Përmes një pritjeje solemne, Universiteti i Tetovës sot zyrtarisht e filloi vitin e ri akademik 2025/2026. Një numër i konsiderueshëm i studentëve nga vendi, Kosova, Shqipëria dhe nga vende të tjera, ishin të pranishëm në amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”. Në këtë ceremoni ku morën pjesë: Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati; Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri; Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti; Prorektoria për Financa, Prof. Dr. Aida Baftjari Yzeiri; Sekretari i përgjithshëm, z.Adem Beadini; dekanë të fakulteteve dhe punonjës të tjerë, në emër të Universitetit të Tetovës studentëve iu drejtua, Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Shkup  - Aerodromi nuk meriton të duket si deponi, deklaroi sot kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, gjatë vizitës së sotme në komunë së bashku me kandidatin për kryetar të komunës së Aerodromit, dr, Aleksandar Trajanovski dhe kandidaten për kryetare të Qytetit të Shkupit, Kaja Shukova. "Sot jemi për vizitë në Komunën e Aerodromit së bashku me kandidatin tonë dr. Aleksandar Trajanovski dhe kandidaten tonë për kryetare të Qytetit të Shkupit, Kaja Shukova. Dua të them se është kënaqësi të jesh në Aerodrom. Fatkeqësisht, kjo komunë, në vend që të jetë urbane, e rregulluar siç duhet, duket si një deponi e madhe mbeturinash, mbeturina kudo në kontejnerë, kosha të thyer, mbeturina në sipërfaqet e gjelbra. Asnjë premtim i pambajtur, së pari nga Timço Mucunski i cili iku nga komuna, pastaj nga pasardhësi i tij Dejan Mitevski i cili me të vërtetë nuk e di se si mund të drejtojë dhe të premtojë gjëra kur tani komuna nuk është aspak e rregulluar. Nuk ka ambiente për të rinjtë. Nuk ka pajisje të reja urbane, ajo e vjetra është e prishur. Komuna duket praktikisht si asgjë", thotë Filipçe.

 Shkup  - Aktorja Teuta Ajdini-Jegeni, dirigjentja e korit prof. Letka Dimovska-Polizova dhe producenti dhe promovuesi i artit mqedonas Ivo Jankoski janë fituesit e çmimit shtetëror "11 Tetori" për njohjen më të lartë për vepër jetësore në vitin 2025 në fushën e shkencës, artit. Këshilli për ndarjen e çmimit shtetëror "11 Tetori" sot shpalli vendimin për ndarjen e njohjes më të lartë për vepër jetësore në vitin 2025 në fushën e shkencës, artit, ekonomisë dhe veprimtarive të tjera me interes publik.

Tiranë  - Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Sali Berisha, në fjalën e tij para grupit të Partive Popullore Evropiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, deklaroi se rreziku më i madh ekzistencial për shqiptarët është droga dhe shndërrimi i vendit në një shtet narkotik. "Miqtë folën për kërcënime të ndryshme, kërcënimin rus, kërcënimin tjetër, kërcënimin tjetër. Për shqiptarët, kërcënimi më i madh ekzistencial është droga. E vërteta është, e vërteta është se, ne do t’ju informojmë ju, kolegë të nderuar, me dokumente dhe materiale, por çfarë ka dalë? Ka dalë nga antimafia italiane që përfaqësues të qeverisë shqiptare kanë bërë një takim në Aruba me kartelet më të larta të drogës. Cili ishte qëllimi i takimit? Qëllimi ishte një marrëveshje për të investuar paratë e tyre në Shqipëri. Por kushdo që vjen në Shqipëri ose sheh të dhënat e Eurostat-it, do të gjejë që indeksi i ndërtimit në Shqipëri është tre herë më i lartë se mesatarja për Bashkimin Evropian. Ndërkohë që industria, bujqësia po bien, janë në recesion",ka thënë Berisha, raportuan mediat.

Ankara  - Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi sot se Turqia nuk do të lejojë fragmentim të Sirisë ose rrezikim të integritetit të saj territorial nëse nuk kanë sukses bisedimet për zbatimin e marrëveshjes për integrimin e Forcave Demokratike Siriane, të kryesuar nga kurdët dhe Qeveria siriane, transmetuan mediat britanike. "I kemi angazhuar të gjitha kanalet e diplomacisë me qëllim që ta ruajmë integritetin territorial të Sirisë dhe të parandalojmë formimin e strukturave terroriste përmes kufijve tanë. Vazhdojmë t'i përdorim ato kanale me durim, sinqeritet dhe mendje të shëndoshë", tha Erdogan në ngjarjen me rastin e hapjes së sërishme të punës të Parlamentit turk.

Bruksel - Grupe hakerësh të ndërlidhur me shtetin i kanë intensifikuar sulmet ndaj sektorit të administratës publike në BE me fushatë për kiber spiunim vitin e kaluar, publikoi sot agjencia e BE-së për kiber siguri ENISA. Administrata publike ka qenë shënjestra më e shpeshtë e sulmeve, në 38 për qind të rasteve, njoftoi ENISA në raportin e sja vjetor, e cila ka analizuar pothuasje 5.000 incidnete nga 1 korriku i vitit 2024 deri më 30 qershor të këtij viti. BE është shënjestër e rregullt e sulmeve, ndërsa grupe hakerësh të ndërlidhur me shtetin "i kanë intensifikuar operacionet kundër organizatave të BE-së", njoftoi ENISA.

Varshavë  - Polonia ka vendosur të vazhdojë kontrollet e përkohshme kufitare me Gjermaininë dhe Lituaninë deri më 4 prill të vitit të ardhshëm, pasi fillimisht kishte planifikuar t'i heqë ato më 4 tetor, njoftoi Ministria e Punëve të jashtme në platformën X.  "Po vazhdojmë kontrollin për të monitoruar rrugën e migrimit që kalon nga shtetet baltike përmes Polonisë në drejtim të Evropës Perëndimore", tha ministri i Punëve të Brendshme, Marcin Kiervinski në njoftimin e ministrisë së tij, raporton DPA. 

Uashington  - Një gjykatës federal amerikan i hedh poshtë kërkesat e Epël, Gugël dhe Meta për të rrëzuar paditë, me të cilat pohohet se kanë promovuar lojëra të fatit joligjore. Gjigantët teknologjikë akuzohen se e bëjnë këtë me hosting dhe pranim të provizioneve nga aplikacionet në stilin e kazinosë, të cilët shkatkojnë varësi tek përdoruesit. Një gjykatës i qarkut në San Hoze, Kaliforni, e ka hedhur poshtë argumentin kryesor të kompanive, se ata janë të mbrojtur nga paditë e propozuara grupore Neni 230 nga Ligji federal amerikan për mirësjellje në komunikim.

Kabull - Pas ndërprerjes pothuajse treditëshe që ishte urdhëruar nga qeveria e talebanëve prej sot në të gjithë Afganistanin janë rikthyer interneti optik dhe shërbimet celulare. Interneti optik dhe sinjali telefonik janë rikthyer në kryeqytetin e Kabulit, si dhe në provincat Host në lindje, Kandahar në jug dhe Herat në perëndim të vendit. Paraprakisht sot talebanët mohuan se interneti dhe sinjali telefonik celular janë ndërprerë në vend, duke sqaruar se po zhvillohet zëvendësimi i kabllove optike të vjetruara.

Jerusalem  - Ministri izraelit i Mbrojtjes, Izrael Kac, sot lëshoi ​​një paralajmërim të fundit për banorët e Gazës që të largohen në jug, përndryshe do të "konsiderohen terroristë". "Ky është shansi i fundit për banorët e Gazës që duan të lëvizin në jug dhe t'i lënë terroristët e Hamasit të izoluar në Gazë", deklaroi Kaci, i cituar nga mediat izraelite, derisa armata izraelite intensifikoi operacionet e saj në qytet.

Jerusalem  - Kryqi i Kuq sot kumtoi se është detyruar përkohësisht t'i ndërpresë aktivitetet e tij në Gaza për shkak të intensifikimit të operacioneve ushtarake izraelite. Organizata paralajmëroi se dhjetëra mijëra njerëz të cilët kanë mbetur në qytet po përballen me "kushte të tmerrshme humanitare". "Intensifikimi i operacioneve ushtarake në Gaza detyroi Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) përkohësisht t'i ndërpresë aktivitetet në zyrën e tij në Gaza dhe ta zhvendosë personelin e tij në zyrat në jug të Rripit të Gazës, me qëllim që të sigurohet siguria e ekipeve dhe vazhdimësia e operacioneve", citohet në kumtesë.

QËNDRONI TË LIDHUR