18:00/6 gusht/2025
Ohër - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot priti themeluesit e Nismës Qytetare "Lamtumirë Bukovë" - Ohër, e themeluar me qëllim të tejkalimit të problemit të asgjësimit dhe trajtimit të mbeturinave të ngurta komunale në Komunën e Ohrit. Në takimin në vilën "Biljana" në Ohër, eko-aktivistët e informuan presidenten për aktivitetet e tyre në trajtimin e mbeturinave në deponinë "Bukovë" dhe në përgjithësi, me mbrojtjen e mjedisit në Ohër dhe zonën përreth. Për ta gjendja me mbeturinat e ngurta është ende shqetësuese, duke pasur parasysh faktin se deponia shpesh ndizet, duke përhapur tym me substanca kancerogjene që arrijnë në vendbanimet përreth dhe në Ohër.
Shkup - Kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit nga Fronti Evropian do të jetë Skender Rexhepi Zejd, deputet dhe lider i "Lëvizjes Popullore". Kandidaturën e Rexhepit e publikoi në faqen e tij të Fejsbukut, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. "Pas konsultimeve me krerët e partive politike që përbëjnë Aleancën Kombëtare për Integrim, me unitet të plotë dhe me vendim të përbashkët, ramë dakord që kandidati ynë për kryetar të Shkupit të jetë Skender Rexhepi, i cili është kryetar i partisë politike "Lëvizja Popullore". Ai është diplomuar në Fakultetin e Filozofisë, ka përvojë të gjatë dhe të dëshmuar në sektorin civil dhe shoqërinë civile. Aktualisht është anëtar i Kuvndot të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku është zëri i qytetarëve, mbrojtës i të drejtave të tyre dhe avokat i reformave të thella politike dhe shoqërore, shkruan Ahmeti në postim.
Shkup - Kater subjekte juridike janë mbyllur, prej të cilëve tre në Ohër dhe një në Strugë, për shkak të mosdhënies së faturave fiskale. Kontrolli i Drejtorisë për të Ardhurat Publike, i zbatuar nga 28 korriku deri më 3 gusht në shumë qytete, përfshirë edhe vendet turistike, ka treguar se tek 30 për qind e objekteve të kontrolluara janë konstatuar parregullsi në përputhje me Ligjin për regjistrimin e qarkullimit të parave të gatshme. Në kontrollë janë përfshirë, restorante, kafe-barë, banak plazhi, ëmbëltore, markete, dyqane për rroba dhe bizhuteri, hotele, transportues automjetesh, parkingje dhe subjekte të tjera tregtare për shitje me pakicë.
Shkup - Drejtori i IPSH Spitali psikiatrik "Shkup, Isa Avdullahi, shprehi keqardhje të thellë dhe ngushëllime për familjen e pacientit i cili tragjikisht e humbi jetën pasi që ishte lënduar gjatë zënkës fizike me një pacient tjetër në institucion, pas çka, edhe përkundër intervenimit të mjekëve, ndërroi jetë në Klinikën universitare për TOARMIQU. "Njoftoj opinionin publik se në orët e hershme të mëngjesit të datës 5 gusht 2025, në Repartin për trajtimin e personave të dënuar pranë Spitalit Psikiatrik Publik “Shkup”, ndodhi një ngjarje e rëndë me pasojë tragjike. Rreth orës 00:50 ndodhi një përleshje fizike midis dy pacientëve, gjatë së cilës njëri prej tyre, pacient 62-vjeçar, u lëndua. Stafi mjekësor reagoi menjëherë dhe thirri Ndihmën e Shpejtë Mjekësore. Pacienti u transportua në Klinikën Universitare për TOARILUC, ku, pavarësisht kujdesit mjekësor të ofruar, iu konstatua vdekja", deklaroi për MIA-n drejtori Avdullahi.
Shkup - Spitali special për gjinekologji "Nëna Terezë" - Çair u bë me aparat të ri EHO, me çka dukshëm përmirësohet diagnostikimi tek gratë shtatzëna dhe pacientet me probleme gjinekologjike, kumtojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Nga atje transmetojnë se ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, gjatë vizitës në spital, theksoi se me aparaturën e re përforcohet kujdesi për shëndetin e grave, mu atje ku është më se i nevojshëm.
Shkup - Rruga eksprese Prilep - Gradsko është mbyllur për qarkullim, ndërsa automjetet janë riorientuar përmes autostradës Veles - Gradsko, informon LAMM. Rruga është mbyllur nga ora 15:30.
Kavadar - Prokuroria Themelore Publike - Kavadar lëshoi urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër një personi për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se është kryerës i veprës penale, vrasje nga neni 123, paragrafi 1 i Kodit Penal, njoftoi pasdite Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut. "I dyshuari 43-vjeçar, mbrëmjen e 27 korrikut, e privoi nga jeta vëllanë e tij një vit më i vogël, duke e goditur disa herë në kokë me një mjet metalik. Krimin e kreu pas një përplasje verbale në dhomën e ndenjes në shtëpinë e viktimës. Pastaj, gjatë një periudhe prej disa ditësh, ai ndërmori disa veprime për të mbuluar krimin dhe për të shkatërruar provat - fshiu gjakun nga dyshemeja dhe objektet, ndërsa trupin e zhvendosi në hapësirat ndihmëse në oborrin e shtëpisë, ku e varrosi dhe e mbuloi me kompensatë dhe objekte të tjera", sqarojnë nga Prokuroria Publike.
Shkup - Moti nesër do të jetë me diell me vranësira lokale mesatare. Pasdite, kryesisht në pjesët lindore do të ketë kushte për paqëndrueshmëri të izoluar me shira të rrëmbyeshëm dhe bubullima afatshkurtra. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga veriu, më e theksuar përgjatë Vardarit. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 12 deri në 21 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 28 deri në 36 gradë.
Tiranë - Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas përfundimit të hetimeve, shpalli aktakuzën kundër ish-presidentit të Shqipërisë dhe kreut aktual të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Avokatët e tij menjëherë kanë kërkuar që paraburgimi t'i zëvendësohet me masë të lehtë. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka caktuar datën se kur do të zhillohet seanca ndaj ish-Kreut të Shtetit, Ilir Meta, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Athinë - Ishujt e vegjël grekë Paksi dhe Itaka në Detin Jon po shqyrtojnë mundësinë e kërkesës për vendosjen e një takse të veçantë për vizitat njëditore nga turistët për shkak të turizmit të tepërt, duke ndjekur shembullin e ishullit Simi, shkruan gazeta greke "Kathimerini", raportoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Kryetari i bashkisë së Simit, një ishull i vogël në afërsi të Rodosit dhe bregdetit turk, muajin e kaluar kërkoi leje nga Ministria greke e Punëve të Brendshme për të vendosur taksë prej tre euro për vizitorët që vijnë për një ditë, dhe ky shembull mund të ndiqet edhe nga Paksi dhe Itaka.
Romë - Kryeministrja italiane, Xhorxha Meloni e përshëndeti sot miratimin përfundimtar të projektit për ndërtimin e urës përmes ngushticës së Misinës, e cila do ta lidhë Sicilinë me Italinë kontinentale, thonë burimet e Qeverisë. Vendimi është marrë në seancën e Komitetit për planifikim ekonomik dhe zhvillim të qëndrueshëm, me çka projekti zyrtarisht mori dritën jeshile, transmeton agjencia italiane e lajmeve ANSA.
Frankfurt - Eksporti kinez në Bashkimin Evropian është rritur dukshëm pas pandemisë së koronavirusit, gjë që e ka rritur presionin mbi punësimin në Eurozonë, sidomos në industrinë e automobilave dhe industrinë kimike, tregon sot analiza e publikuar e Bankës Qendrore Evropiane (BQE). Eksporti i automobilave kinezë në Eurozonë është rritur për 150 për qind në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2024, ndërsa i produkteve kimike për 140 për qind.
Moskë - Takimi treorësh mes të dërguarit special të SHBA-së, Stiv Vitkof dhe presidentit rus Vladimir Putin ka qenë "i dobishëm dhe konstruktiv", deklaroi sot këshilltari për politikë të jashtme, Jurij Ushakov. Bisedimet mes Vitkof dhe Putin kanë ndodhur vetëm dy ditë para skadimit në afatit përfundimtar të dhënë nga presidenti amerikan Donald Tramp për Rusinë që të kontraktojë armëpushim në Ukrainë ose të përballet me sanksione të reja.
Islamabad - Pakistani e ka vazhduar afatin për deportimin e miliona afganëve deri më 1 shtator, raportuan agjencitë botërore, duke cituar njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Gjatë katër dekadave të fundit, shumë afganë janë arratisur në Pakistan për shkak të konfliktit ushtarak, paqëndrueshmërisë politike dhe vështirësitë ekonomike në atdheun e tyre. Sipas Komisariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), aktualisht ka rreth 1,4 milion afgan të regjistruar në Pakistan të cilët posedojnë leje qëndrimi.