15:00/ 31 gusht/ 2025
Shkup- Vitin e ri shkollor 2025-2026 nesër do ta fillojnë 245 mijë nxënës, respektivisht 177.800 dhe 67.200 nxënës të shkollës së mesme. Mësim do të ketë deri më 10 qershor, ndërsa përjashtim do të jenë maturantët, për të cilët orët e rregullta do të zgjasin deri më 15 maj. Janë siguruar libra për të gjithë nxënësit, ndërsa për herë të parë pas shtatë viteve do të ketë edhe libra për gjuhë të huaja. Këtë sot në konferencë për shtyp e tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe informoi se në më shumë shkolla kushtet për mësim janë përmirësuar, ndërsa inkluzioni është ngritur me angazhimin e numrit të rritur të asistentëve arsimorë në shkollat fillore dhe për herë të parë në të mesmet. Nxënësit do të njoftohen me përfitimet nga intelegjenca artificiale dhe do të mësojnë që në mënyrë etike ta shfrytëzojnë për qëllime arsimore.
Shkup– Nga ne nuk do të dëgjoni një gjë para kamerës, ndërsa tjetër gjë pas dyerve të mbyllura. Ky është thelbi i besimit, të jemi të njëjtë edhe në fjalë edhe në vepra. Këtu është edhe kontradikta më e madhe te Venko Filipçe: nga njëra anë flet për ndryshime kushtetuese, nga ana tjetër për anulimin e bisedimeve nëse ka veto të re. Një qasje e tillë nuk sjell siguri, por pasiguri për drejtimin në të cilin duhet të ecë shteti, theksoi sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski në një publikim në Fejsbuk. “Gjatë viteve të kaluara pamë çka do të thotë politikë në veprime të shpejta dhe premtime boshe. LSD dhe BDI me çdo premtim hapnin shpresë, ndërsa me çdo presion e shkatërronin atë shpresë. Dokumentet e përbashkëta të cilat miratoheshin në Kuvend nuk sollën forcë, por dobësi – ishin përjashtuar menjëherë sapo paraqitjen ndonjë sfidë”, theksoi Mucunski.
Ohër– Ministria e Transformimit Digjital sot nga Ohri e filloi fushatën për promovimin e Portalit Kombëtar uslugi.gov.mk, përmes të cilit qytetarët mund të marrin më shumë se 200 shërbime elektronike. Fillimin e fushatës e shënoi ministri i këtij dikasteri Stefan Andonovski, i cili paralajmëroi se promovimi i portalit do të vazhdojë në të gjitha qytetet në vend, në sheshet e parqeve, por edhe në universitete, shkolla, vende të punës... “Pres që interesimi të rritet dukshëm. Çdo shërbim të cilin qytetarët mund ta shfrytëzojnë në portal është kohë e shkurtuar, shpenzime të shkurtuara dhe pritje e shkurtuar në radhë, si dhe efikasitet i rritur i institucioneve. Shpresoj se kjo do të hasë në pjesëmarrje të mirë te qytetarët”, tha Andonovski.
Shkup - Sot jemi mbledhur këtu për një arsye të veçantë, për fëmijët tuaj. E di se çdo ditë përballeni me sfida që nuk janë të lehta: nga sigurimi i terapisë së duhur, te gjetja e mbështetjes në shkolla, e deri te mundësimi që ata të kenë mundësi të barabarta në shoqëri. Prandaj, sot nuk vij me fjalë boshe, por me një vizion dhe plan konkret. Kështu e ka nis fjalimin kandidati për Komunën e Çairit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, ndërsa ka takuar prindërit e fëmijëve me autizëm, ku edhe ka premtuar ndërimin e një Qendre Ditore për fëmijët me nevoja të veçanta. "Një vend ku fëmijët tuaj do të marrin mbështetje defektologjike, logopedike dhe psikologjike, por edhe një vend ku do të ndihen të pranuar dhe të dashur. Qendra nuk do të jetë vetëm një institucion, por një shtëpi e dytë, me aktivitete që do të zhvillojnë talentet dhe aftësitë e tyre. Për ju, prindërit, do të sigurojmë këshillim dhe mbështetje profesionale, sepse e dimë se kujdesi për një fëmijë me aftësi të kufizuara është kujdes për tërë familjen. Do të krijojmë një fond për ndihmë financiare, përmes të cilit do të mbulohen një pjesë e shpenzimeve për barna, terapi dhe ndihmesa të veçanta. Ju nuk do të mbeteni vetëm në këtë betejë", ka thënë Osmani.
Shkup – Nevojitet qasje e një burrështetasi për zhbllokimin e integrimeve evropiane, më vjen keq që kryeministri njëherë kërkon konstruktivitet, ndërsa pastaj refuzon çdo propozim, tha sot kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve duke e komentuar refuzimin e propozimit për Rezolutë të përbashkët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për vijat e kuqe si mekanizëm për mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare nga ana e kryeministrit Mickoski. “Më vjen shumë keq që kryeministri njëherë kërkon konstruktivitet, e herë të tjera refuzon çdo propozim. Nëse kjo është pjesë e folklorit parazgjedhor apo duke mos marrë parasysh fushatën që zhvilluan vitin e kaluar, nuk mund ta them tani, por fakti është se asgjë nuk po ndodh në fushën e integrimit evropian, dhe rajoni po ecën përpara. Shqipëria po ecën përpara, Mali i Zi po ecën përpara me një plan tashmë konkret që deri në vitin 2027 ose 2028 do t'i përfundojnë plotësisht negociatat. Praktikisht jemi në një fazë ku praktikisht i kemi braktisur negociatat. Dhe kjo është gjëja më e keqe që mund të na ndodhë”, tha Filipçe.
Shkup - Si rezultat i motit të ligë i cili në orët e pasdites e kaploi Qytetin e Shkupit, në numrin për raste urgjente 112 ishte raportuar për drunj të rënë, kabllo të dëmtuara të EVN-së dhe në një pjesë të vogël dëmtime të pronave private (automjete, tenda, etj.). Të gjitha raportimet janë dërguar te shërbimet kompetente, të cilat po intervenojnë me prioritet me qëllim të tejkalimit të gjendjes së krijuar.
Shkup - Në territorin e shtetit deri në orën 10:00 të mëngjesit të sotëm ka gjithsej katër zjarre në vende të hapura dhe të njëjtët janë nën kontroll. Siç bëri të ditur Qendra për Menaxhim me Kriza, zjarret të cilat janë nën kontroll janë në komunën Makedonski Brod, rezervatin Jasen, në komunën Gjevgjeli në malin Kozhuf, në komunën Dollnen në fshatin Dollgaec dhe në komunën Dellçevë te deponia e qytetit.
Ohër – Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova, në cilësinë e patronatit të Maratonës së Notit në Ohër, ua ndau shpërblimet fituesve në bazë të rezultateve të regjistruara në momentin e ndërprerjes së garës. Siç përkujtuan nga Kabineti i saj, në këtë manifestim prestigjioz sportiv i cili për herë të 38-të u mbajt në Ohër në konkurrencën e femrave fituese është Majte Ajlen Puka, përderisa fitues në konkurrencën e meshkujve janë Mateo Furlan, Federiko Tamborino dhe Matias Dias Hernandes. Siljanovska – Davkova i ka uruar fituesit dhe të gjithë pjesëmarrësit në maratonë, duke u shprehur mirënjohje për qëndrueshmërinë, përkushtimin dhe frymën sportive. Ajo u dëshiroi shëndet të mirë dhe suksese të reja sportive.
Doboj – Një djalë 19-vjeçar ndërroi jetë në një fushë me mina në Bosnjë e Hercegovinë, me çka u bë edhe një viktimë e luftës e cila në këtë vend zhvillohej nga viti 1992 deri në vitin 1995, pas të cilës mbetën shumë mina të pashpërthyera të cilat nuk janë larguar as pas 30 vjetëve. Incidenti ka ndodhur në afërsi të Dobojit, në pjesën qendrore të Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa djali i ri, Mehmed Hasanamigjiq, iu nënshtrua plagëve. Sipas informacioneve në dispozicion, ai ka ndërruar jetë dje kur kishte hyrë në një fushë me mina.
Kiev – Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski ju bëri thirrje liderëve ndërkombëtarë që të bëjnë presion ndaj Moskës para udhëtimit të presidentit rus Vladimir Putin në Kinë për takim në Organizatën e Shangait për Bashkëpunim (SHOS), informon DPA. Zelenski deklaroi mbrëmë se ka biseduar me kryeministrin indian Narendra Modi, i cili duhet të takohet me Putinin në samitin në qytetin kinez Tjenxhin. Zelenski tha se pret që Modi të punojë në favor të armëpushimit në konfliktin ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, i cili po zgjat më shumë se tre vjet e gjysmë, transmetoi DPA. Lideri ukrainas përsëri tha se armëpushimi është parakusht për fillimin e bisedimeve paqësore.
Gazë– Zëdhënësi i krahut të armatosur të lëvizjes militante palestineze Hamas, Abu Obeida, është vrarë dje në një sulm izraelit, konfirmoi sot një burim palestinez për televizionin “Al Arabia”. Burimi bëri të ditur se Izraeli ka sulmuar një banesë në Gazë ku supozohet se ka qëndruar Abu Obeida, zëdhënës i brigadave “Ezedin al – Kasam”. Ai shtoi se të gjithë që ishin në banesë janë vrarë, dhe se anëtarët e familjes së Abu Obeidës dhe udhëheqësit e brigadave al-Kasam e konfirmuan vdekjen e tij pasi e kontrolluan trupin.
Uashington– Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se takimi ndërmjet presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas Volodomir Zelenski ka pak gjasa dhe se ndoshta do të nevojiten aeroplanë amerikanë që ta ndihmojnë Evropën që ta përfundojë luftën. "Takimi trepalësh do të ndodhë, ai dypalësh - nuk e di. Ndonjëherë njerëzit nuk janë gati për të. Unë përdor analogji. Ke një fëmijë dhe një fëmijë tjetër është në shesh lojërash. Ata e urrejnë njëri-tjetrin dhe fillojnë të zihen. Ti do që ata të ndalen, por ata vazhdojnë. Pas një kohe ata duan të ndalen. Ndonjëherë duhet të zihen pak para se t'i bësh të ndalen. Por kjo ka ndodhur për një kohë të gjatë. Shumë njerëz kanë vdekur", tha Trampi në një intervistë për gazetën amerikane “Dejli Koler”. Ai shtoi se është i gatshëm të ndihmojë me garanci të sigurisë, madje edhe nëse ajo përfshin mbështetje ajrore nga SHBA-ja, që të ndërpritet lufta.
Tjenxhin – Presidenti kinez Si Xhinping sot dhe nesër i tubon liderët e Rusisë, Indisë, Iranit dhe Turqisë, bashkë me njëzetë liderë të tjerë euroaziatikë, me qëllim që të tregojë se, në epokën e doganave amerikane dhe tensioneve gjeostrategjike, është i mundshëm model i ndryshëm ndërkombëtar i bashkëpunimit, me Kinën në qendër. Lideri i ekonomisë së dytë më të madhe në botë sonte do të organizojë pritje në Tjenxhin, qytet bregdetar në veri të vendit, për nder të pjesëmarrësve në samitin e Organizatës së Shangait për Bashkëpunim (SHOS), që do të mbahet nesër dhe është i pari pas kthimit të Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë.
Jerusalem – Armata izraelite sot njoftoi se ka shënjestruar lokacione në të cilat gjendet Hezbollahu proiranian, në afërsi të kështjellës Bofort, në jug të Libanit, pasi aty ka vërejtur aktivitet të caktuar ushtarak. Siç është bërë e ditur në kumtesën e IDF-së, cak i sulmeve ishte infrastruktura ushtarake e Hezbollahut, duke përfshirë edhe instalimet nëntokësore, ku ishte identifikuar aktivitet ushtarak në zonën e kështjellës Bofort në jug të Libanit. Lufta e fundit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut proiranian në Liban përfundoi me armëpushim më 27 nëntor të vitit të kaluar.
Gazë - Armata izraelite mbrëmë i ka bombarduar periferitë e Gazës nga ajri dhe toka, duke shkatërruar shtëpi dhe duke dëbuar familje nga rajoni, ndërsa kabineti i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu sonte duhet të mbajë mbledhje për të biseduar për plan për pushtimin e qytetit. Autoritetet shëndetësore lokale kumtuan se armata izraelite ka vrarë të paktën 18 persona në sulmet e mbrëmshme, duke përfshirë edhe 13 persona, të cilët kanë tentuar të sjellin ushqim në afërsi të pikës për dërgesë të ndihmës në Gazën qendrore dhe të paktën dy në një shtëpi në Gazë. Zyra e zëdhënësit ushtarak të Izraelit kumtoi se po i shqyrton raportet.
Londër - Mbrojtësi i Mançester Sitit, Manuel Akanxhi, do të mund ta vazhdojë karrierën në Totenhem, njoftuan sot mediumet britanike. Sipas informatave, klubi londinez është i interesuar për zviceranin 30-vjeçar dhe është favorit për nënshkrimin e lojtarit, për të cilin janë të interesuar edhe Milani dhe Kristal Palasi. Akanxhi është në Mançester Siti nga viti 2022 dhe prej atëherë ka luajtur në 136 ndeshje në të gjitha garat. Kontratat e tij me Sitin skadon në qershor të vitit 2027.
Londër - Çellsi e ka kompletuar transferin e sulmuesit të krahut Alehandro Garnaço nga Mançester Junajted me kontratë shtatëvjeçare. Sipas mediumeve britanike, kontrata është me vlerë 40 milionë funta. "Kjo është ditë e shkëlqyer për mua dhe familjen time. I bashkohem një klubi shumë të madh dhe mezi pres të filloj të luaj. Me të vërtetë jam i lumtur që u bashkohem fituesve të Kampionatit botëror për klube - ekipit më të mirë në botë", tha futbollisti argjentinas. Garnaço ka luajtur 144 ndeshje dhe ka shënuar 26 gola për Mançester Junajted.